PA RRITJE TË ÇMIMEVE, VITIN E ARDHSHËM MË PAK DUHAN!

    Kultivuesit e duhanit ankohen se çmimet grumbulluese për sezonin e ardhshëm janë të ulëta karshi harxhimeve prodhuese të kësaj kulture bujqësore. Për më tepër, çmimi i ofruar nuk mbulon as shpenzimet e rritura të jetesës për fermerët. Ata presin që çmimi i shitblerjes së duhanit të rritet për kilogram dhe klasë,për aq sa janë rritur çmimet e konsumit jetësor, harxhimit të lëndëve të para dhe harxhimit të naftës. Vlerësohet se me këto çmime grumbulluese – do të zvogëlohet edhe interesimi për rritjen e duhanit që do të sjellë edhe uljen e prodhimtarisë së duhanit. Bile shtojnë se në rast se nuk rriten çmimet e grumbullimit – në vend të 18.700 tonë sa janë grumbulluar sivjet, sasitë do të ulen në më pak se 16 mijë tonë. Me fjalë tjera, kërkohet rritja e çmimit të grumbullimit të duhanit për 20 deri në 25 për qind, në varësi prej cilësisë apo klasit të duhanit. Prodhuesit thonë se çmimi mesatar nuk duhet të jetë nën 250 denarë për kilogram.

    “Prodhimtaria e duhanit nuk është interes vetëm i kultivuesve, por edhe të vetë kompanive që duhet të angazhohen që të motivojnë prodhuesit me rritjen e çmimeve sipas klasave. Në rast se mbeten çmimet e njëjta, do të ketë tendencë për uljen e prodhimtarisë së duhanit”, thotë Sulejman Abazi, kultivues i duhanit nga fshati Norovë i Krushevës.

    Prodhuesit e tjerë të duhanit thonë se negociatat për çmime më të larta për duhanin e ri kanë filluar që në pranverë, mirëpo shtojnë se tani është momenti i vërtetë për negociata serioze me kompanitë grumbullues.

    “Veçmë një nga grumbulluesit ka paralajmëruar rritje të çmimit sipas klasave për 15 për qind, ndërsa presim që edhe të tjerët të ndjekin shembullin e tij. Në rast se nuk rritet çmimi, në mot do të kemi më pak rendimente, dhe do të shfaqet edhe rreziku që të shkatërrohet prodhimtaria e duhanit në vend”, thotë kultivuesi tjetër Mende Stomnarovski.

    Nga ana tjetër, sivjet në mesatare, çmimi grumbullues ka qenë ndërmjet 197 denarë. Sipas klasave, çmimet kanë qenë për të parën – 280 denarë, për të dytën 200 denarë, për të tretën 155 denarë dhe për të katërtën 90 denarë. Nga prodhimtaria e duhanit jetojnë gati 30 mijë familje, ndërsa duhani më së shumti mbillet në rajonin e Prilepit , Krushevës, Dollnenit dhe Pellagonisë. Nga viti 2017 subvencionet për duhanin arrijnë në 80 denarë për klasën e parë, 70 denarë për klasën e dytë, dhe 60 denarë për klasën e tretë.

    Në ndërkohë, përkundër ndarjes së madhe të subvencioneve, nuk po shënohet rritje e prodhimtarisë së duhanit në vend. Përkundrazi, të dhënat statistikore tregojnë se në vitin 2014 janë prodhuar 27.578 mijë tonë duhan, ndërsa gjashtë vite më vonë kjo prodhimtari është ulur në 26.112 mijë tonë në vitin 2020. Edhe analizat e tjera tregojnë se në 15-16 vitet e fundit në vend në mesatare po prodhohet afër 25 mijë tonë duhan në vit. Gjithashtu, numri i kultivuesve të duhanit po shënon rënie – nga 42.622 në vitin 2010 në 19.702 në vitin 2020.

    Kjo periudhë shquhet me një migrim masovik nga fshati në qytet si dhe ikja nga kultivimi i duhanit, duke marrë parasysh se ai kërkon një punë të mundimshme dhe të vështirë. Njëherësh gjeneratat e reja nuk janë edhe aq të interesuara për këtë veprimtari bujqësore dhe po orientohen ndaj profesioneve të tjera profesionale, thonë ekspertët. Ndryshe, duhani është një nga kulturat më fitimprurëse bujqësore, për shtetin që sjell mbi 100 milion euro nga eksporti. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Trençevska: Me marrëveshjen e re kolektive për sektorin publik, do të sigurohet rritje e përhershme e pagave

    Lajmi i rradhës

    Gjërat që nuk duhet t’ia fshihni kurrë mjekut tuaj

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë