PAGUHEMI PAK! | Maqedonia e Veriut me pagat e ulëta

    Punonjësit në Maqedoni në mesatare punojnë për afër 4 euro për orë, përderisa funksionarët dhe drejtorët me paga prej 2000 euro paguhen nga 12.5 euro për një orë pune. Paga neto në janar të kë tij viti arriti në 39.542 denarë, që për 20 ditë pune apo 160 orë pune sjell një mëditje prej afër 247 denarë për një orë pune që është për disa herë më pak se mesatarja evropiane dhe pagat e funksionarëve tanë.

    Për dallim prej tyre, me mijëra zyrtarë të emëruar dhe të zgjedhur si dhe më shumë drejtorë në agjenci dhe kompani shteti paguhen me afër 770 denarë në orë. Gjithashtu afër 1050 euro është paga mesatare mujore neto që monitoruesi i tregut të telekomunikacionit në vend apo Agjencia e Komunikimeve Elektronike ndau 2023 për 140 punonjësit e tij. Këtë e tregon përllogaritja nga raporti financiar për vitin e kaluar ku për pagat neto të punëtorëve janë shpenzuar 107 milionë denarë.

    Njëherësh matematika tregon një diferencë të madhe në fitimet e profesioneve të ndryshme në vend. Më të paguarit janë funksionarët dhe drejtorët e shtetit. Kështu, anëtarët e organeve legjislative dhe ekzekutive, diplomatët dhe drejtorët, funksionarët shtetërorë, ishin disa herë më të mirë me të ardhura sesa mesatarja e punonjësve në shtet.

    Punonjësit në Maqedoni jo vetëm që paguhen gati tre herë më pak se zyrtarët, por kanë edhe paga tetë herë më të ulëta edhe në raport me punonjësit në Evropë.

    Në kërkim të një jete më të mirë, shumë qytetarë nga Ballkani shkojnë në Bashkimin Evropian për të punuar për paga më të larta, të cilat në komunitetin e vendeve evropiane shkojnë nga rreth 9 euro në lindje në pothuajse 6 herë më shumë në perëndim të kontinentit të vjetër.

    Sipas të dhënave të Eurostat, apo Zyrës evropiane të statistikave, shkalla mesatare e kompensimit për punonjësit në Bashkimin Evropian, për sa i përket pagave, mëditjeve dhe kontributeve sociale të paguara nga punëdhënësi, varion nga 31.8 euro në tërë Bashkimin Evropian dhe në 35.6 euro në zonën e euros. Megjithatë, kjo mesatare mbulon shumë boshllëqe të konsiderueshme midis shteteve anëtare të BE-së, me kostot e punës për orë që variojnë nga 9.3 euro në Bullgari, 11 euro në Rumani dhe 12.8 euro në Hungari, 41 euro në Gjermani dhe deri 47 dhe 48 euro në Belgjikë dhe Danimarkë. Më shumë paguhet me afër 54 euro në Luksemburg.

    Njëherësh pjesa e shpenzimeve jo-pagash në totalin e shpenzimeve të punës për të gjithë ekonominë është 24.7 për qind në BE dhe 25.5 për qind në Eurozonë. Pjesa më e ulët e të ardhurave përveç pagave u raportua në Maltë (1.4 për qind ), Rumani (5 për qind ) dhe Lituani (5.4 për qind), dhe më e larta në Suedi (32.2 për qind ) dhe Francë (31.9 për qind ).

    Në Kroaci një orë punë paguhet 14.4 euro, në Slloveni paguhet 25.5 euro, në Greqi-15.7 euro, në Itali afër 30 euro.

    Sipas të dhënave të Zyrës Evropiane të Statistikave – EUROSTAT, një punëtor në Maqedoni për një orë krijon vetëm 43 për qind të vlerës së shtuar të mesatares evropiane, apo për tre herë më dobët se mesatarja gjermane prej 127 për qind. Ekonomistët vlerësojnë se Maqedonia ngjashëm me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor ka probleme me shumicën e faktorëve që ndikojnë në suksesin e një prodhimtarie, siç janë kapitali fizik apo makineritë relativisht të vjetra që përdoren në industrinë vendore, kapitali njerëzor që përfshin shkallën e arsimimit, shkathtësitë e punëtorëve si dhe përvojën që mbështet procesin e punës, teknologjia moderne e punës që shpesh mungon në fabrikat vendore. Problemet e tjera janë edhe organizimi shpesh joefikas i punës, ambient ekonomik dhe ai juridik nën të cilin zhvillohet puna si dhe faktorët e tjerë që rrisin apo ulin produktivitetin.

    “Produktiviteti dhe konkurrueshmëria janë dy fusha në të cilat kemi probleme shumë serioze në rrugën drejt BE-së dhe nëse nesër vendi hyn në tregun e përbashkët do të ketë pengesa serioze”, thekson akademiku Taki Fiti.

    Sipas tij, ne nuk jemi plotësisht të gatshëm për të hyrë në tregun evropian, por është një proces, tha ai, edhe nëse shkojmë për një variant rajonal. Bashkëpunimi rajonal, theksoi profesori, nuk mund të jetë alternativë për BE-në, por intensifikimi i tij përshpejton procesin e integrimit evropian.

    Për sa i përket produktivitetit dhe konkurrencës, vendi do të ketë pengesa serioze nëse do të hynte nesër në tregun e përbashkët. Për sa i përket konkurrencës, jemi në vendin e 82-të mes 141 vendeve, dhe për sa i përket produktivitetit kemi një situatë jashtëzakonisht të keqe, si në Prodhimin e Brendshëm Bruto për punëtor, ashtu edhe për sa i përket vlerës së shtuar të krijuar rishtazi për punëtor dhe për sa i përket produktivitetit total të faktorëve.

    Problem i rritjes së pagave në vend është mjaft kompleks dhe varet prej më shumë faktorëve.

    Nga OEMVP kanë propozuar që paga minimale në sektorin privat të bëhet 30 mijë denarë, mirëpo të ulen kontributet nga 52 për qind në 32 për qind , për të rritur edhe konkurrencën e ekonomisë vendore.

    Së fundmi Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore ka kërkuar që të ulen kontributet e pagave. Sipas OEMVP, vendi ynë paguan kontribute më të larta të pagave në rajon 52 për qind si normë të kontributeve nga vlera e pagës Neto prej 1000 euro. Pas Maqedonisë me 39 për qind pason Serbia dhe Shqipëria me 27 për qind. Ngarkesa më të ulëta për pagën me 14 për qind ka Kosova. Përderisa norma prej 26 për qind ka Mali i Zi.

    Ekspertët vlerësojnë se dallimi i madh i pagave tregon qartë se Maqedonia ka nevojë urgjente për një proces të përshpejtuar të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, sepse rritja e pagës për orë dhe përmirësimi i kushteve të punës janë thelbësore për të parandaluar largimin masiv të punëtorëve në kërkim të punësimit më të mirë jashtë vendit. Integrimi më i shpejtë në BE do të mundësonte qasje në fonde dhe politika që do të mbështesin rritjen dhe zhvillimin ekonomik, duke promovuar njëkohësisht kohezionin social dhe kushte më të mira të punës për të gjithë qytetarët në vend. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Heqja e “balancuesit”, kusht i VMRO-së për partitë shqiptare

    Lajmi i rradhës

    Akuza, glorifikime etnike… gjuha politike e njëjtë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë