RMV, kur është koha për logoped?

    Koha në të cilën po i rrisim fëmijët padyshim që është “kohë e teknologjisë” por kjo po ndikon edhe në rritjen e numrit të fëmijëve që kanë probleme në të folurit. Ditëve të sodit çdo i dyti fëmijë ose fillon të flasë me vonesë ose ka probleme me të folurit dhe duhet të kërkohet ndihma e logopedëve. Por kur është mosha ideale që duhet të kërkohet ndihma e logopedëve? Sipas logopedit Muharrem Smajli mosha ideale kur duhet të kërkohet ndihmë nga logopedi është nga 2.5 deri në 3 vjeç. Sipas tij, fëmijës duhet ti flitet që në kohën kur është akoma në barkun e nënës.

    “Me fëmijët duhet që të komunikojmë vazhdimisht në mënyrë që problemet me të folurit e tyre të jenë sa më të pakta, pasi ata mund të na dëgjojnë edhe kur janë foshnje dhe me kalimin e kohës derisa rriten ata fillojnë dhe i shqiptojnë fjalët që kanë dëgjuar dhe u janë tashmë të njohura. Të vegjëlve duhet që tu flitet sa më  thjeshtë, në mënyrë që për ata të jetë sa më e kuptueshme, pasi kështu ata pasurojnë si të kuptuarit ashtu edhe të folurit njëkohësisht”, tha logopedi Smajli.

    Shkaqet që ditëve të sotshme shumë fëmijë kanë probleme në të folurit, sipas tij janë të ndryshme. “Qëndrimi nëpër kopshte, me gjyshërit apo me ndonjë anëtar tjetër të familjes në kohën kur prindërit janë në punë po bënë që fëmijët gjatë kësaj periudhe të jenë në komunikim pasiv, gjë që po i bën ata mos të kenë nevojë të flasin, dhe kështu vijnë deri te problemet gjuhësore. Një faktor tjetër është edhe qëndrimi përpara ekraneve, një dukuri shumë e përhapur në shoqërinë tonë që po bënë që fëmijët të jenë totalisht të shkyçur nga bota që i rrethon, të mos kenë nevojë të flasin pasi që gjithçka që duan është ajo që po shohin”, shprehet Smajli.

    Sipas logopedit të gjithë jemi të vetëdijshëm që problemet me të folurit e fëmijëve dita-ditës po rriten, por sa më herët që trajtohen ashtu edhe do të reduktohen problemet e tilla. “Mosha ideale kur prindi duhet ti drejtohet logopedit për konsultime dhe etapat që duhet ti ndjekë në mënyrë që fëmija ta tejkaloj problemin me të folurit është nga 2.5 deri në 3 vjeç, që është edhe mosha e hershme e fëmijës”, tha ai. Shkronjat më problematike për këtë kategori të fëmijëve, sipas tij janë shkronjat SH, ZH,Ll, R, Ç, XH, Q, Gj. “Kur mungojnë këto shkronja, fjala bëhet e pakompletuar dhe e pakuptimtë. Logopedi me përsëritje të shpeshta i ndihmon fëmijës në përmirësimin dhe shqiptimin e duhur të shkronjave”, potencoi ai. Si përfundim ai tha se personat kryesor dhe shumë të rëndësishëm në jetën e fëmijëve janë prindërit pasi ata janë të parët që vërejnë ndonjë çrregullim në zhvillimin e fëmijës, dhe për këtë arsye duhet që vetë ata të drejtohen tek logopedi dhe bashkë të ndihmojmë në zhvillimin gjuhësor të fëmijës.

    Që teknologjia, apo konkretisht ekranet po shkaktojnë probleme në të folurit e fëmijëve pajtohet edhe psikologja Lindita Vejseli-Mustafa e cila për gazetën Koha tha se teknologjia ofron stimulim të fuqishëm i cili bënë që ambientet e jetës reale të jenë të mërzitshme dhe të paraqesin problem për durimin dhe vëmendjen e fëmijëve. “Foshnjëria dhe fëmijëria janë fazë e lidhshmërisë me familjen dhe funksionon në pranin e nënës(prindërve). Fëmijët dhe prindërit e sotëm kohën e lirë e zënë me celular, për çka po mungon edhe loja në ambiente të jashtme dhe komunikimi me prindërit. Kjo bënë që aftësitë e tyre sociale të mbeten të pazhvilluara, edhe pse janë aftësitë kryesore që duhet zhvilluar tek një fëmijë apo individ i shëndosh”, u shpreh Vejseli-Mustafa.

    Sipas saj një foshnje që prej në tre muaj tregon preferencë për zërat dhe fytyrat njerëzore, gjë që i ndihmon ata të mësojnë gjuhën nga njerëzit në jetën e tyre.

    “Gjuha më së miri mësohet kur ka ndërveprim mes fëmijës dhe njerëzve të tjerë, gjë që për momentin ekranet nuk e sigurojnë. Foshnjat nën 18 muaj nuk janë të aftë tu japin kuptim figurave dhe skenave në ekran, ata tërhiqen nga ngjyrat e ndritshme dhe lëvizjet. Ajo që fëmijët kanë nevojë është, ndërveprimi me nënën dhe njerëzit përreth, mundësia për të hulumtuar mjedisin e tyre, qoftë prekja e gjërave, tundja, hedhja, dhe mbi të gjitha të shohin fytyrat dhe të dëgjojnë zërat e atyre që i duan më shumë”, u shpreh ajo.

    Që të zhvillohet sistemi limbik, (pjesë përgjegjëse për emocionet) sipas psikologes, fëmijës i nevojiten disa eksperienca siç janë shikimi në sy, të folurit gjatë gjithë kohës, buzëqeshja, masazhi dhe të kënduarit. “Në këtë mënyrë truri i fëmijës organizohet dhe çorganizohet, çorganizim ky që sjell vdekjen e biliona qelizave të cilat nuk kthehen përsëri, prandaj fëmijët e lënë para ekraneve që në moshë të vogël nuk kanë kontakt me sy, nuk përgjigjen kur i thërret në emër, nuk ndër-veprojnë me të tjerët, kanë mungesë të folurit. Nëse fëmija nuk qëndron para ekraneve dhe prej gjithë këtyre që ceka ai përsëri ka mungesë në të folurit, atëherë arsyeja mund të jetë e ndryshme dhe është mirë të bëhet një konsultë me defektolog, psikolog ose logoped për të shqyrtuar situatën”, tha Vejseli-Mustafa.

    Lajmi Paraprak

    Qytetarëve të RMV u duhen tre rroga për një iPhone, zviceranëve tre ditë

    Lajmi i rradhës

    Për dy vite, 10 mijë dhen më pak në RMV!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë