PËRKUNDËR ANKESAVE TË QYTETARËVE, KOMUNA E KUMANOVËS NUK I DËGJON “ZHURMAT”

    Pavarësisht se qyteti i Kumanovës është shpallur qyteti më i zhurmshëm në vend sipas Raportit Vjetor për Cilësinë e Mjedisit për vitin 2022, të publikuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), komuna deri më tani nuk ka hartuar ndonjë strategji për parandalimin e zhurmës. Ambientalistët thonë se nuk ka as ndalim, ndaj nëse pushteti vendor ka përgjegjësi duhet të ndjekë prioritetet dhe shëndetin e qytetarëve.

    Shërbimet komunale thonë se nuk kanë obligim të sjellin një dokument të tillë dhe të ndërmarrin aktivitete të tilla, sepse kjo është kompetencë e institucioneve tjera që duhet të merren me këtë çështje.

    Ndërsa qytetarët ankohen dhe kërkojnë nga Komuna dhe MPB që të ndërmerren masa, sidomos gjatë sezonit veror. “Nuk mund të bëjmë një sy gjumë, sezoni veror është me të vërtetë i lodhshëm. Unë e kam shtëpinë afër rrugës kryesore, zhurmat janë larta si gjatë ditës edhe gjatë natës poashtu, ndërkohë që ne punojmë. Kërkojmë nga Komuna të merr masa në bashkëpunim me MPB, sidomos gjatë pushimeve verore kur edhe vinë mërgimtarët”, deklaroi për gazetën KOHA, Ridvan Ismajli, qytetarë i Kumanovës.

    Ekologët thonë se çdo pushtet vendor i përgjegjshëm duhet t’i japë prioritet mjedisit dhe të krijojë masa afatgjata që do të përmirësojnë kushtet e jetesës dhe shëndetin e qytetarëve, pavarësisht nëse ka detyrim ligjor apo jo. Ata gjithashtu rikujtojnë se nuk ka asnjë ndalim që komunat të miratojnë masat e tyre për mbrojtjen nga zhurma.

    Profesoresha Olgica Veljkoviç nga partia RDM para dy vitesh ka dorëzuar në Komunën e Kumanovës propozim për masa në disa pika që parashikojnë uljen e ndotjes atmosferike dhe zhurmave, të cilat janë parakusht për një qytet më të pastër dhe më të qetë. “Propozimi ynë parashikonte në radhë të parë një rritje të buxhetit për ekologjinë. Në propozimin e paraqitur kërkojmë që disa të zgjidhen menjëherë, por deri më sot asnjë prej tyre nuk është zbatuar. Është koha për të bërë diçka. Gjithsesi nuk mund të marrësh frymë në qytet, ndaj zhurma na e bën jetën edhe më të vështirë. Ne nuk kemi as një gjumë të qetë dhe cilësor, gjë që e dëmton më tej shëndetin tonë”, thotë Veljkoviç, teknologe në pension dhe ambientaliste për një kohë të gjatë.

    Një pjesë e problemeve që kanë të bëjnë me zhurmën dhe shkeljet tjera mjedisore janë përgjegjësi e Departamentit për Inspektim dhe Mbikëqyrje, pranë Komunës së Kumanovës. Nga aty thonë se rregullisht veprojnë sipas ankesave të qytetarëve dhe se komuna merr masa serioze në sferën e komunikacionit.

    “Komuna e Kumanovës ka kompetencë të gjobisë objektet hotelerike për zhurmë të tepërt, por procedura është më e gjatë. Vlerat e matura duhet të verifikohen nga një laborator i akredituar dhe vetëm atëherë mund të lëshojmë një paralajmërim, masa ose sanksione sipas nevojës. Pas kallëzimeve veprojmë në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut dhe policinë. Në sferën e komunikacionit, me projektet tona të realizuara, po mundohemi të rrisim fluksin dhe të ulim presionin në ‘fytet e ngushta’ në Kumanovë duke hequr semaforët dhe duke ndërtuar rrethrrotullime, të cilat deri më tani janë dëshmuar se janë zgjidhja më e mirë“, tha Boban Bojkovski, kryetar i inspektoratit lokal.

    Kumanova është rekordmen për zhurmën ekstreme, e cila është edhe më e lartë për më shumë se 50 për qind e nivelit të lejuar. Niveli jashtëzakonisht i lartë maksimal i zhurmës është matur në periudhën e pranverës në Kumanovë dhe është 95,80 decibel, që është 35,80 d/b mbi vlerat kufitare, ndërsa rekordi u arrit në kryqëzimin e rr. “Boris Kidrich” dhe “Goce Dellçev”, më saktësisht te udhëkryqi te e ashtuquajtura “Ured”.

    Nga ana tjetër gjatë natës në të gjitha pikat matëse është matur zhurmë më e lartë nga ajo që është e lejuar dhe kryqëzimet ndërmjet rrugëve “11 tetori” dhe “Sava Kovaçeviq”, afër Spitalit të Përgjithshëm, në rrugën “Revolucioni Popullor” dhe “Kiril i Metodij”, afër shkollës “Braça Miladinovci” dhe në rrugën “Tode Dumba”, tek kryqëzimi tek varrezat e Qytetit.

    Qytetarët kërkojnë që shërbimet kompetente komunale dhe MPB të marrin masa konkrete dhe të zgjidhin problemin e zhurmave të pakontrolluara në qytet. /koha/

    Lajmi Paraprak

    RMV, nxënësit pa aktivitete gjatë pushimeve verore

    Lajmi i rradhës

    Mickoski: Kërkoj falje për gabimet e kaluara të VMRO-DPMNE-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë