RMV, nxënësit pa aktivitete gjatë pushimeve verore

    Pushimet verore janë emocionuese për nxënësit, sepse nuk ka detyra shtëpie dhe ka shumë kohë të lirë, mirëpo kjo mund të jetë edhe e dëmshme për shkak të mungesës së stimulimit.

    Psikologët në lidhje me mungesën e aktiviteteve gjatë pushimeve verore krahasojnë me makinën që nuk ndizet gjatë tre muajve dhe në fund vijmë te rezultatet që mbaron bateria. E njëjta vlen edhe për fëmijët në vendin tonë, ku gjatë pushimeve verore si pasojë e mungesës së aktiviteteve nga MASH dhe shkollave, ata shfrytëzojnë kohën në gjumë dhe gjëra që ulin kreativitetin.

    Prindërit e fëmijëve ankohen se nuk ka aktivitete në vendin tonë për dallim nga vendet perëndimore dhe kur fillon viti i ri shkollor nuk dëshirojnë të shkojnë në shkollë, ndërsa për sa i përket shkollave private, nuk kanë mundësi ekonomike. “Kam probleme me fëmijët e mi kur fillon viti i ri shkollor dhe nuk dëshirojnë të shkojnë në shkollë, sepse janë për një periudhë të gjatë kohore pasiv, pavarësisht se sa punojmë ne në shtëpi. Shkollat asnjëherë nuk organizojnë aktivitete për gjatë tre muajve, që në perëndim bëhen aktivitete të shumta si kamping dhe shumë aktivitete jashtë ambienteve të shkollës. Sa për shkollat private që organizojnë aktivitete edhe gjatë pushimeve verore, ne nuk kemi aq mundësi”, theksoi për KOHA, Murtezan Elezi, prind.

    Ai gjithashtu thekson se për një Maqedoni evropiane, së pari duhet të punohet me trurin e shtetit që janë të rinjtë, për të mos humbur kreativitetin e tyre.

    Ndërkaq arsimtarja e shkollës fillore “Ismail Qemali”, Teuta Imeri thekson për gazetën KOHA se në këtë shkollë aktivitetet zhvillohen vetëm brenda vitit shkollor. “Aktivitete ka, por vetëm brenda vitit shkollor, ndërsa gjatë pushimeve nuk kam dëgjuar të ketë, por sigurisht që do ishte shumë mirë të kishte aktivitete për fëmijët edhe gjatë pushimeve verore. Zakonisht vetëm ato prindër që punojnë i dërgojnë fëmijët në shkolla private edhe gjatë verës, sepse kushton. Mirëpo kërkesa të tilla në MASH nuk kemi bërë, sepse kemi kërkesa të tjera që kësaj shkolle i nevojiten, gjithsesi shpresoj që MASH të merr iniciativën për aktivitete verore”, deklaroi për KOHA, Teuta Imeri, profesoreshë në shkollën fillore “Ismail Qemali”.

    Nga ana tjetër profesori universitar Xheladin Murati, tha për KOHA se nga aspekti psikologjik nga ajo që fëmijët e kanë mësuar gjatë nëntë muajve, sigurisht që duhet një pushim për paqe shpirtërore, emocionale, mirëpo sigurisht që nuk mund të harrohet, vetëm se duhet të lexohet më shumë.

    “Tani MASH ka marrë vendim përpos pushimeve verore, dhe kjo ndihmon më shumë nxënësit, mirëpo nga aspekti psikologjik nga ajo që fëmijët e kanë mësuar gjatë nëntë muajve, sigurisht që duhet një pushim për paqe shpirtërore, emocionale, mirëpo sigurisht që nuk mund të harrohet, vetëm se duhet të lexohet më shumë. Pushimet verore te nxënësve kanë funksione të shumta sociale pedagogjike, psikologjike, emocionale por nuk duhet të ketë një shkëputje të tërësishme nga libri”, theksoi Murati.

    Ai gjithashtu shprehet se pushimi veror i aftëson më shumë, e që të harrohet ajo që ke mësuar ndodh vetëm të fillestarët që mësojnë shkronjat, mirëpo edhe ajo rikuperohet brenda dy jave. “Të harrohet ajo që mëson ndodh vetëm te fillestarët, por ajo sigurisht që rikuperohet brenda dy jave, mirëpo ajo që i bën të kenë mungesë stimuluese janë shpesh prindërit, pavarësisht se ata ndihmojnë dhe kontribuojnë për fëmijët, mirëpo angazhimi në punë tjera i largon pak nga leximi”, deklaroi për KOHA, Xheladin Murati, profesor universitar. Për sa i përket pushimit pranveror Murati shprehet se MASH duhet të kishte bërë sondazh së pari, sepse kjo iniciativë u morr edhe para shumë viteve, mirëpo u refuzua.

    Ndryshe, psikologët rekomandojnë për prindërit të punohet shumë me fëmijët gjatë pushimeve verore, me qëllim të mos bie kreativiteti i tyre. Ata sugjerojnë të angazhohen me punë që rrisin aftësitë e përgjithshme dhe e rëndësishme është zgjimi herët dhe udhëtimet. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Qasje në internet kanë 98.6 për qind e familjeve

    Lajmi i rradhës

    PËRKUNDËR ANKESAVE TË QYTETARËVE, KOMUNA E KUMANOVËS NUK I DËGJON “ZHURMAT”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë