Përplasen sërish Kasami dhe drejtoresha e gjimnazit të Tetovës

    Përplasen sërish drejtoresha e gjimnazit të Tetovës “Kiril Pjeçinoviq” dhe kreu i komunës Bilall Kasami. Drejtoresha Teuta Llalla, akuzoi Kasamin se ka çuar gjimnazin në kollaps ekonomik shkaku i mos lëshimit të mjeteve, si pasojë e të cilës nga dita e djeshme, gjimnazi ka mbetur pa drita.

    “Çështja e energjisë nuk është i vetmi problem në Gjimnazin e Tetovës sepse, gjatë gjithë gjashtë muajve, në Gjimnaz kanë arritur shkresat nga përmbarusit, operatorë e bashkëpunëtorë të ndryshëm, që me të drejtë ligjore kërkojnë të paguhen. Dhe në fund u vendos përmes përmbarimit të marrin mjetet. Edhe tani pas marrjes së kompetencave nga ministria e Arsimit do fillojnë edhe telashet tjera të destinimit të mjeteve ndaj operatoreve që kemi borxhe. Në dhjetor ne i mbyllëm llogaritë me borxhe zero denarë, ndërsa tani kemi borxh 8.8 milionë denarë”, tha Teuta Llalla, Drejtoreshë e Gjimnazit Kiril Peçinoviq Tetovë.

    Nga ana tjetër, Kasami vazhdon të jetë këmbëngulës se nuk do t’i lëshojë mjetet pasi drejtoresha e gjimnazit Teuta Llalla ka bërë keqpërdorim të fondeve, gjë që është konstatuar nga revizioni.

    “E kam thënë edhe më herët dhe po e përsëris, nuk lëshoj mjete financiare një institucioni që udhëhiqet nga një drejtoreshë e cila ka padi penale për keqpërdorim të mjeteve gjë kjo e konstatuar nga revizioni që konstatoi shkelje të rënda të shfrytëzimit të mjeteve nga bllok dotacionet”, u shpreh Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.

    Pikërisht shkaku i mos lëshimit të bllok dotacioneve, kohë më parë, Ministria e Arsimit, për të dytën herë me radhe i mori kompetencat kreut të komunës së Tetovës, Bilall Kasami, mbi gjimnazin e Tetovës, vendim ky, i cili, sipas kreut të komunës do të paditet, sepse Kasami konsideron se marrja e ingerencave për të dytën herë përbën shkelje ligjore. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    MPB me detaje për ngjarjet në ndeshjen Shkupi – Levski

    Lajmi i rradhës

    Kovaçevski: Banorët e Sllupçanit e paguajnë rrymën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë