Qytetarëve të RMV u duhen tre rroga për një iPhone, zviceranëve tre ditë

    Në pritje të iPhone 15 që duhet të del në treg pas pesë muajsh, blerësit kanë në disponim më shumë modele të iPhone 14. Megjithëse prej kohësh prodhimet e kompanisë Apple janë shoqëruar me dilemën nëse janë një e mirë luksi apo një e mirë që konsumohet në masë, modelet e telefonave Apple lakmohen nga shumë konsumatorë, pavarësisht të ardhurave. Të dhënat e fundit tregojnë se në Maqedoni, iPhone 14 pro maks kushton afër 84 mijë denarë, shkruan gazeta Koha. Me të ardhurat mesatare në vend prej 34 mijë denarë apo afër 550 euro, qytetarëve të Maqedonisë së Veriut ju duhet të punojnë dy muaj e gjysmë për një telefon të tillë, por vetëm nëse nuk harxhojnë asgjë nga paga dhe me kusht që edhe të fitojnë këtë pagë mesatare në shtet. Mirëpo kur dihet se paga më e përhapur në vend është diku 25 mijë denarë, kjo nënkupton se në mesatare nevojitet 3 muaj e një javë për blerjen e iPhone 14.

    Kjo do të thotë se për një telefon, qytetarët e Maqedonisë duhet të punojnë pa ndërprerje diku 90 ditë ose 720 orë ose të lënë mënjanë një të katërtën (25.7 për qind) të pagës mesatare vjetore. Pra, modeli i fundit i iPhone është më pak i disponueshëm në vend në krahasim me më shumë vende të tjera të rajonit.

    Analizat tregojnë edhe shtetet ku nevojitet më pak ditë pune për blerjen e një telefoni luksoz dhe ato ku ai është më pak i disponueshëm karshi orëve të punës.

    Sllovenia është vendi i 30-të më i përballueshëm në botë për të blerë një iPhone 14. Një qytetar slloven duhet të shpenzojë 5.90 për qind të pagës së tij vjetore, ose afër 71 për qind të pagës mujore për të blerë modelin bazë iPhone 14. Kjo është afërsisht 122.71 orë punë, ose 15.34 ditë punë.

    Mali i Zi është vendi i 26-të më pak i përballueshëm në botë për të blerë një iPhone 14. Një qytetar malazez duhet të shpenzojë 18.33 për qind të pagës së tij vjetore për të blerë modelin bazë iPhone 14. Kjo është afërsisht 381.16 orë punë, ose 47.65 ditë punë.

    Shqipëria është vendi i 17-të më pak i përballueshëm në botë për të blerë një iPhone 14. Një qytetar shqiptar duhet të shpenzojë 29 për qind të pagës së tij vjetore për të blerë modelin bazë iPhone 14 -128 GB .Kjo është afërsisht 604.15 orë punë, ose 75.52 ditë punë. Turqia është vendi i 20-të më pak i përballueshëm në botë për të blerë një iPhone 14. Një qytetar turk duhet të shpenzojë 26 për qind të pagës së tij vjetore për të blerë modelin bazë iPhone 14 -128 GB. Kjo është afërsisht 550.55 orë punë, ose 68.82 ditë punë. Indeksi i Pagës mujore dhe vjetore që duhet të shpenzuar për të përballuar një iPhone 14 në mbarë botën, tregon se Nigeria është vendi më pak i përballueshëm në botë për të blerë një iPhone 14. Një qytetar nigerian duhet të shpenzojë 69.12 për qind të pagës së tij vjetore për të blerë modelin bazë iPhone 14 128 GB. Kjo është afërsisht 1.437.67 orë punë, ose 179.71 ditë pune.

    Nga ana tjetër, Zvicra me paga të larta në nivel botëror, është vendi i dytë më i përballueshëm në botë, pas Luksemburgut për të blerë një iPhone 14. Një shtetas zviceran duhet të shpenzojë 1.67 për qind të pagës së tij vjetore, ose 20 për qind të pagës së tij mujore për të blerë modelin bazë iPhone 14 128GB. Kjo është afërsisht 34.67 orë punë, ose 4.33 ditë punë.

    SHBA është vendi i tretë më i përballueshëm në botë për të blerë një iPhone 14. Një qytetar amerikan duhet të shpenzojë 1.84 për qind të pagës së tij vjetore, ose 22 për qind të pagës mujore për të blerë modelin bazë iPhone 14 -128GB. Apo thënë ndryshe, amerikanët e blejnë këtë telefon për pesë ditë pune.

    Nga ana tjetër, sipas raportimeve, linja e re do të ketë ndryshime edhe në veçori. Pritet të vijë me kamerë më të përmirësuar e modelet Pro dhe jo-Pro do të kenë dallime më të mëdha. Modelet iPhone 15 Pro pritet të vijnë me çipin e gjeneratës së re të kompanisë Apple, A17, e që pritet të ketë performancë më të mirë e efiçiencë më të madhe. Pritet edhe kornizë titani në vend të çelikut si dhe Port USB-C më të shpejtë që do të bënte që pajisja të transferonte të dhënat më shpejt në krahasim me iPhone ekzistues me kabllot aktuale. Sikur pajisjet tjera më të mëdha, iPhone 15 Pro do të përkrahë internetin më të shpejtë Wi-Fi 6E. Spekulohet edhe për më shumë RAM apo memoria shtesë do të bënte që aplikacionet si “Safari” të mbajnë më shumë të dhëna në prapavijë e të mos kenë ngarkesë kur rihapen.

    iPhone 15 Pro pritet të kenë “butona të brendshëm” si dhe butonin e i fikjes së zërit. Modelet Pro të pajisjes së re pritet të vijnë me buton për fikjen e plotë të zërit, në vend të ndërprerësit që ka qenë deri tash.

    Lajmi Paraprak

    PESHKOPI PETAR QË I DO GRATË SI DIKUR! Vijojnë reagimet, kërkohet shkarkimi i mitropolitit

    Lajmi i rradhës

    RMV, kur është koha për logoped?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë