Policia e Kosovës interviston edukatoret që dyshohet se ushtruan dhunë ndaj një 3-vjeçari

    Policia e Kosovës ka intervistuar tri edukatore të një çerdheje shtetërore në Fushë Kosovë, nën dyshimet për ushtrim të dhunës ndaj një djali 3-vjeçar. Dëshmi në polici ka dhënë edhe prindi i fëmijës.

    Një ditë më herët, familjarë të 3-vjeçarit, publikuan në rrjetet sociale, incizime nga kamerat e sigurisë në çerdhen “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë, ku thanë se shfaqen edukatoret duke ushtruar dhunë ndaj fëmijës.

    Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Fatlum Berisha, tha për mediat se edukatoret që dyshohet të jenë përfshirë në këtë rast do të pezullohen nga puna pasi të përfundojnë intervistimin në polici.

    Ndërkaq, koalicioni i organizatave joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka reaguar pas kësaj ngjarjeje.

    “Nisur nga kjo ngjarje e rëndë, KOMF bën thirrje që institucionet përgjegjëse në përmbushje të mandatit të tyre, të ndërmarrin menjëherë veprimet dhe masat e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi”, tha ky koalicion.

    KOMF po ashtu u bëri thirrje institucioneve që të intensifikojnë monitorimin dhe inspektimin e institucioneve parashkollore në Kosovë “në mënyrë që të parandalohen raste të tilla”.

    Ky koalicion rikujtoi se sipas Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve dhe legjislacioneve të tjera, është e ndaluar çdo formë e dhunës ndaj fëmijëve, përfshirë ajo fizike, psikologjike dhe neglizhimi i fëmijëve.

    Sipas familjarëve që kanë publikuar pamjet, 3-vjeçari është rrahur nga dy edukatore, duke pretenduar se në dhunë janë përfshirë edhe pastruesja dhe kuzhinierja e këtij institucioni. Ata thanë po ashtu se fëmija po përjeton “trauma të rënda psikike, nuk mund të flejë më dhe po përjeton ankth të madh”. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Skocezët zbulojnë “gralin e shenjtë” që do ta zëvendësojë vajin e palmës

    Lajmi i rradhës

    BE: Themelimi i Asociacionit, pa parakushte

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë