“Politikanët në RMV më shumë i shohin mediat si mjete për të mbajtur pushtetin, sesa si instrumente për emancipim demokratik”

    Në kuadër të vizitës zyrtare të Përfaqësueses së lartë të OSBE-së për lirinë e mediave, Tereza Ribeiro, u zhvillua një takim me përfaqësues të organizatave gazetareske dhe mediatike. Në takimin e punës, përfaqësuesit e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGPM) dhe Institutit Maqedonas për Media (IMM) theksuan se edhe pse atmosfera në sektorin mediatik në përgjithësi është përmirësuar, megjithatë edhe pas gjashtë vitesh, ende mungojnë reformat thelbësore mediatike, përcjell Nistori.

    Këto reforma nënkuptojnë ndryshime të rëndësishme të ligjeve për të siguruar pavarësi më të madhe të punës së mediave, siguri të garantuar të gazetarëve dhe përmirësim të praktikës gjyqësore në drejtim të garantimit të të drejtave të punonjësve mediatik. Gjithashtu, u theksua se problem i veçantë është bllokimi në Kuvend i ndryshimeve pozitive të Kodit Penal, të cilat do të mundësojnë siguri më të madhe nga presionet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve. Këto ndryshime në Kodin Penal tashmë 14 muaj nuk janë votuar nga deputetët.

    Një problem tjetër që u theksua nga organizatat gazetareske ka të bëjë me moszgjedhjen e anëtarëve të organeve administrative në RTVM dhe në Agjencinë për Media, zgjedhje e cila nuk është zbatuar tashmë dy vite, edhe pse anëtarëve aktualë u ka skaduar mandati, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e vendimeve në servilin publik dhe rregullatorin e mediave.

    Drejtori i SHGM-së, Dragan Sekullovski theksoi rritjen e rasteve për shpifje ndaj gazetarëve dhe tha se aktualisht ka 52 padi kundër gazetarëve në krahasim me vitin e kaluar kur kishte vetëm 20 raste, dhe kjo potencialisht mund të nxisë vetëcensurimin te gazetarët. Përveç kësaj ai theksoi se: “Dëshira e pushtetit qendror dhe lokal për t’i rikthyer fushatat publike me qëllim që të reklamohen në mediat private paraqet një rrezik serioz që mund të përkeqësojë më tej pavarësinë e medias. Nëse qeveria, por edhe komunat, sinqerisht duan të ndihmojnë sektorin e mediave, kjo mund të bëhet vetëm përmes krijimit të një fondi për media të lira, i cili do të japë mundësinë në mënyrë transparente dhe me kritere të qarta për të mbështetur iniciativat gazetareske për tema që do të nxisin interesin publik, e jo atë partiak”.

    Drejtoresha e IMM-it, Biljana Petkovska, gjatë takimit theksoi se: “Vitin e kaluar ka filluar procesi i futjes së shkrim-leximit mediatik në arsimin fillor, i cili po realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Byronë për Zhvillim të Arsimit dhe është një nga hapat më pozitivë që janë ndërmarrë periudhën e kaluar në këtë sferë. Fatkeqësisht, nuk ka vullnet politik në mesin e partive për të zbatuar reforma sistematike në sferën e mediave, të cilat ne i kemi kërkuar prej vitesh, sepse politikanët tanë më shumë i shohin mediat dhe gazetarinë si mjete për të fituar dhe për të mbajtur pushtetin, sesa si instrumente për emancipim demokratik, ekonomik dhe arsimor të qytetarëve”.

    Kryetari i SPGPM-së, Pavle Bellovski tha se SPGPM është vazhdimisht prezentë në të gjitha zhvillimet në sferën mediatike. “Aktivitetet tona janë të gjera dhe gjithëpërfshirëse. Ne monitorojmë të gjitha ndryshimet ligjore me fokus në lirinë e shprehjes dhe të drejtat e punës. Ne bëjmë sugjerime dhe marrim pjesë në grupe të punës, gjithmonë të lidhur me organizatat partnere. Sindikata po rritet dhe po zhvillohet, por dua të theksoj se edhe pas më shumë se një dekade ekzistencë, ne ende po përballemi me të njëjtat probleme. Lista e problemeve është e gjatë, por zgjidhjet për tejkalimin e tyre janë të thjeshta. Sindikata e sheh nënshkrimin e kontratave kolektive si të vetmen mundësi për të tejkaluar situatën e keqe të punonjësve mediatik”, theksoi Belovski.

    Gjatë vizitës së saj në Maqedoni, Tereza Ribeiro do të zhvillojë takime për tema lidhur me pavarësinë e mediave dhe të drejtat e gazetarëve me Kryetarin e Kuvendit të RMV-së, me përfaqësues të Qeverisë si dhe me Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratë, servilin publik dhe rregullatorin mediatik. Ajo, si përfaqësuese e OSBE-së për lirinë e mediave, ka funksionin e një shqyrtimi dhe paralajmërimi të plotë për rreziqet ekzistuese të shkeljes dhe mosrespektimit të lirisë së mediave, por edhe të lirisë së shprehjes në të gjitha vendet anëtare të OSBE-së. Shkup, 14.09.2022. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Polonia dhe Baltiku ua ndalojnë hyrjen shumicës së qytetarëve rusë

    Lajmi i rradhës

    Banorët e qytetit të vjetër të Ohrit janë vazhdimisht të diskriminuar nga vendi i tyre

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë