Pollog: gratë, të rinjtë dhe bashkësitë e vogla etnike mbeten jashtë vendimmarrjes lokale

    Rajoni i Pollogut, që përfshin komunën e Tetovës, Gostivarit, Vrapçishtit, Tearcës, Bërvenicës, Bogovinës,
    Zhelinës dhe Jegunovcës, karakterizohet me sfida të shumta në drejtim të përfaqësimit të grupeve të ndryshme shoqërore, të përfaqësimit të të rinjve, grave dhe bashkësive më të vogla etnike. Përkundër faktit që ekziton një suazë solide ligjore që mundëson përfshirje të barabartë të grupe të ndryshme shoqërore në qeverisjen lokale, realiteti i zbatimit të kësaj suaze ligjore shpesh pasqyron një pjesëmarrje të kufizuar, formale ose simbolike të këtyre grupeve në institucione dhe në procesin e vendimmarjes, përcjell
    Nistori.

    Përfaqësimi i grave, edhe pse garantohet me ligj përmes kuotave gjinore, vazhdon të jetë në nivele të
    nënpërfaqësuara në këshillat komunalë dhe në komisionet e përhershme në nivel lokal. Ky nënpërfaqësim për më tepër vjen për shkak të barrierave strukturore, kulturore dhe politike.

    Përfaqësimi i të rinjve gjithashtu përballet me sfida të shumta në përfshirjen e tyre në procesin e vendimmarjes lokale, në radhë të parë për shkak të mungesës së kuotave për përfaqësim, pranisë së pasivitetit institucional për zbatimin e Ligjit për të Rinjtë dhe Politikat Rinore, dhe të mungesës së Këshillave Rinorë funksionalë në shumicën e komunave të Pollogut. Kjo rezulton me një boshllëk përfaqësimi të identifikuar nga përfaqësues të të rinjve të intervistuar për këtë studim, por edhe në shumë raporte dhe analiza relevante.

    Ndërkohë, bashkësitë më të vogla etnike përballen me një tjetër dimension të përjashtimit në procesin e vendimarrjes, për shkak të sistemit elektoral që favorizon partitë më të mëdha dhe mungesës së mekanizmave të qarta për përfshirje institucionale të këtyre bashkësive.

    GJETJET KRYESORE:

    Gratë janë të nënpërfaqësuara në këshillat komunalë të Pollogut, me një mesatare prej 36%, nën kuotën ligjore prej 40%. Përfaqësimi i tyre në pozita ekzekutive dhe drejtuese është edhe më i ulët. Komisionet për barazi gjinore janë të dobëta dhe shpesh pa ndikim real.

    – Të rinjtë përballen me përjashtim të theksuar nga vendimmarrja lokale. Përfaqësimi i tyre në këshilla është nën 7%, ndërsa shumica e komunave nuk kanë këshilla rinorë funksionalë. Rinia shfaq mosbesim dhe apati ndaj institucioneve dhe proceseve politike.
    – Bashkësitë më të vogla etnike nuk kanë përfaqësim efektiv në këshillat dhe komisionet komunalë. Sistemi elektoral dhe listat jo-favorizuese të partive i pengojnë këto komunitete të kenë zë në qeverisjen lokale. Mungojnë të dhëna dhe mekanizma për përfshirje të qëndrueshme.
    – Zbatimi i ligjeve për barazi dhe përfshirje mbetet i dobët, për shkak të mungesës së vullnetit politik, burimeve të pamjaftueshme dhe normave tradicionale që dominojnë në nivel lokal.
    – Rekomandimet përfshijnë forcimin e kuotave të përfaqësimit, funksionalizimin e këshillave rinorë dhe komisioneve për barazi gjinore, si dhe zhvillimin e politikave gjithëpërfshirëse që adresojnë nevojat e grave, të rinjve dhe bashkësive më të vogla etnike.

    LIGJE DHE STRATEGJI PA ZBATIME:

    Edhe pse ligjet dhe dokumentet strategjike obligojnë njësitë e vetadministrimit lokal të krijojnë më shumë hapësirë për angazhimin e të rinjve, grave dhe bashkësive më të vogla në procesin e marrjes së vendimeve, megjithatë realiteti nxjerr në pah mungesën e rezultateve konkrete që janë pasojë e mungesës së zbatimit të normave juridike, ose të zbatimit të pjesshëm të tyre. Ish-anëtarë të këshillave, gazetarë lokalë dhe përfaqësues të sektorit civil thonë se, përveç përfaqësimit të ulët të këtyre kategorive, i njëjti është jokualitativ dhe formal, që u shërben partive politike vetëm për të përmbushur obligimet ligjore apo për një fushatë më premtuese. Sipas tyre, dëshira dhe aftësitë e institucioneve në nivel lokal për transparencë dhe përfshirje të qytetarëve, në përgjithësi, ende janë në nivel të ulët, pavarësisht ekzistimit të shumë veglave digjitale të thjeshta dhe falas, të cilat do të mund t’i ndihmonin këto procese nëse do të përdoreshin. Nga ana tjetër, të intervistuarit nënvizojnë se një numër i madh të rinjsh nuk besojnë se me përfshirjen e tyre do të mund të sjellin ndryshime pozitive, pasi shpesh manipulohen që të jenë vetëm dekor në tryezë dhe rekomandimet e tyre nuk merren seriozisht në konsideratë.

    LEXO STUDIMIN E PLOTË KËTU!

    Lajmi Paraprak

    Prodhimi rritet, punëtorë çdo ditë e më pak në RMV!

    Lajmi i rradhës

    Eurobarometri: Maqedonia e Veriut ka besim te BE

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë