Shtabi Q,endror Bashkërendues për Covid-19 pranë Qeverisë së RMV-së i pranoi rekomandimet e Komisionit të Sëmundjeve Ngjitëse për lehtësimin e masave, duke filluar prej nesër, 1 qershor 2021. Shërbimi i shtypit i Qeverisë kumtoi se Shtabi, në mbledhjen e sotme i ka shqyrtuar dhe konfirmuar rekomandimet e Komisionit dhe i propozoi për miratim përfundimtar në seancën e nesërme qeveritare, përcjell Nistori.
Duke pasur parasysh se numri i të infektuarve është në rënie, ditë më parë KSN-ja propozoi:
- Nga 1 qershori, maskat mbrojtëse të mos jenë të detyrueshme në mjedise të hapura. Maskat të mbeten të detyrueshme në të gjitha hapësirat e mbyllura, transport publik dhe kudo ku nuk mund të qëndrohet në largësi të rekomanduar.
- Të lejohet grupimi në mjedise të hapura. Te grupimet e njerëzve të mbetet rekomandimi për mbajtjen e maskës mbrojtëse.
- Të lejohet organizimi i dasmave dhe i ahengjeve në mjedise të hapura me maksimum 50% të shfrytëzimit të kapacitetit të hapësirës, por jo më shumë se 100 të ftuar.
- Numri maksimal i lejuar i mysafirëve në një tavolinë të jetë gjashtë.
- Ndeshjet sportive që luhen në mjedise të hapura të luhen me publikë, por vetëm me 30% të kapacitetit të studiumit.
- T’u lejohet objekteve hotelierike të pranojnë nga gjashtë mysafirë në një tavolinë, ndërkaq mbeten në fuqi të gjitha kufizimet e tjera për to.
- Ora policore të mbetet në fuqi.
- Gjatë këtyre dy javëve të ardhshme, Komisioni i Sëmundjeve Ngjitëse në bashkëpunim me organizatorët e ngjarjeve të punojnë në specifikimin e protokolleve për organizimin e ngjarjeve dhe të koncerteve në mjedis të hapur, ndërkaq pas 15 qershorit, sipas protokolleve të dakorduara, do të lejohet organizimi i këtyre lloje ngjarjeve.
Ministri i Ekonomisë, Kreshik Bekteshi ka bërë të ditur se Qeveria do të vendosë ditën e nesërme për lehtësimin e masave kundër Covid-19 dhe për protokollet për organizimin e dasmave. /Nistori/