Prej nesër pritet rritje shtesë e çmimeve të produkteve ushqimore bazë

    Përfundojnë disa nga masat kundër krizës, pas së cilës pritet rritje shtesë e çmimeve të produkteve ushqimore bazë. Nga 1 Qershori me kthimin e TVSH-së buka, mielli i llojit 400, sheqeri, gjalpi, qumështi i lopës, mishi, orizi, vezët dhe makaronat, do të shtrenjtohen automatikisht për 8-10%. Do të shfuqizohet edhe masa e importit pa doganë të lëndëve të para për industrinë e mishit. Me heqjen e të gjitha këtyre masave, inflacioni shndërrohet në kërcënim për qytetarët, të cilët thonë se çmimet janë të papërballueshme.

    “Tash për tash çmimet janë shumë të larta. E kemi vështirë por patjetër duhet, s’kemi çfarë të bëjmë. Shpenzojmë goxha, varet se sa anëtar jeni por kjo nuk është vetëm tek ne është në gjithë botën”, tha një qytetar.

    Ministria Ekonomisë nuk ka dhënë propozim të ri për vazhdimin e këtyre masave. Nga Qeveria thanë se janë duke shqyrtuar një model të ri për zbutjen e krizës, ndërkaq marzha më nuk do të jetë opsion. Sipas statistikave, në muajin prill, çmimet me pakicë u rritën nga 10-11%.

    “Po e dimë, është bërë e zakonshme rritja e çmimeve. Sa është e përballueshme për një buxhet familjar? Është e vështirë të përballet. Duhet të menaxhoj secili sipas mundësive të veta, duhet të reduktohen pak nevojat. Sa shpenzoni në baza mujore vetëm për ushqim? Aq sa marrin, nuk kursejmë asgjë”, u shpreh një tjetër qytetar.

    Kuvendi tre muaj më parë miratoi masat kundër krizës, të propozuara nga Qeveria, me të cilat u ul TVSH për produktet ushqimore bazë nga 5% në 0% dhe akciza për karburantet. Qeveria gjithashtu pati kufizuar marzhën për shitësit me pakicë në 5, përkatësisht 10% për produkte të caktuara.

    “Nuk kemi para për të blerë as kur është më lirë edhe më hiç kur të shtrenjtohen, është katastrofë. Unë jam i papunë nga 2014-ta, më thonë se nuk më takon as ndihma sociale nuk e di përse. Asnjë të ardhur, dy-tre fëmijë, njërin kam në fakultet, vërtetë katastrofë”, theksoi një tjetër qytetar.

    Rritje automatike të çmimeve pritet të ketë edhe tek derivatet e naftës, gazit dhe benzinës e si rezultat i kthimit të normës së TVSH-së nga 10% në 18% në shitjen e energensëve, si dhe me heqjen e masës për uljen e akcizës në bazë të çmimeve të bursës, kjo nënkupton që do tu mbeten më pak para në xhep pasi të merrni sasinë e njëjtë të ushqimeve dhe derivateve. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Kërkesa e VMRO-DPMNE-së për zgjedhje të parakohshme është decide

    Lajmi i rradhës

    Ambasada gjermane në Shkup: Nesër do të hapen terminet për viza pune

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë