Presidentja bullgare: RMV s’ka alternativë tjetër, bullgarët në kushtetutë

    Presidentja në detyrë e Bullgarisë, Iliana Jotova, deklaroi se Sofja është e shqetësuar nga informacionet se Maqedonia e Veriut po shqyrton mënyra alternative për hapjen e kapitujve të tjerë në negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, në vend që të fillojë me klasterin e parë që lidhet me të drejtat e njeriut.

    Sipas saj, pikërisht klasteri i parë përbën bazën e gjithë procesit negociues dhe Bullgaria nuk do të pranojë anashkalimin apo shtyrjen e tij.

    “Maqedonia e Veriut të mos mashtrohet se ka rrugë më të shkurtër, deri në qershor duhet të zgjidhet çështja nëse ende dëshiron të jetë pjesë e BE-së”, tha Iliana Jotova.

    Në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ajo realizoi takim me presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, me të cilin bisedoi për zgjerimin e Bashkimit Evropian, zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe qëndrimin bullgar lidhur me procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut.

    Jotova përsëriti se pa ndryshime në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut dhe pa përfshirjen e bullgarëve si pjesë e popujve në shtet, nuk do të ketë përparim në procesin e integrimit evropian. Sipas saj, këto kushte janë në përputhje me kriteret evropiane dhe janë pjesë e kornizës së dakorduar. Ajo theksoi se deri në qershor, me angazhimin e Bullgarisë dhe partnerëve evropianë, duhet të gjendet një zgjidhje nëse Maqedonia e Veriut dëshiron të vazhdojë rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

    Në fund, Jotova shtoi se Bullgaria do të vazhdojë të mbrojë fuqishëm interesat e saj kombëtare brenda institucioneve evropiane dhe në NATO, duke theksuar se Evropa duhet të marrë përgjegjësi më të madhe për sigurinë dhe të ardhmen e rajonit, sidomos duke pasur parasysh rolin e Bullgarisë si kufi i jashtëm i BE-së.

    Lajmi Paraprak

    Botërori 2026, i fundit për Messin dhe Ronaldon

    Lajmi i rradhës

    Trump: Është koha për ndryshim të regjimit në Iran

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë