Priten mbi dy miliardë euro investime të huaja në RMV 

    Pas nënshkrimit të investimit nga Tajvani në Maqedoni që vlerësohet si më i madhi që nga pavarësia e shtetit si investim grinfild apo investim në fushën e blertë nga e para, po rritet edhe optimizmi qeveritar për arritjen e nivelit të investimeve të huaja sivjet në disa miliardë euro. Përvojat pozitive të Kemet Electronixs, e cila u ble në vitin 2020 dhe zyrtarisht nga grupi “Yageo” vitin e kaluar, ishin ndër arsyet pse Maqedonia u zgjodh si destinacion investimi në mesin e disa vendeve të rajonit, thekson kryeshefi ekzekutiv i “Yageo”, David Vang. Kompania “Yageo” do të investojë mbi 200 milionë euro në vend, dhe do të hapë 3900 vende pune në vitet e ardhshme.

    Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi thotë se ardhja e këtij investimi është rezultat i politikave të mira për krijimin e një klime të parashikueshme biznesi e cila është e rëndësishme për investitorët, një partner i besueshëm që ata kanë në Qeveri, anëtarësimi në NATO që sjell stabilitet shtesë dhe e gjithë kjo pa roud shou të shtrenjta, pa shpenzuar asnjë denar të vetëm nga qytetarët .

    Sipas tij, kjo ka rezultuar edhe me një shumë historikisht rekorde të investimeve të huaja direkte në vend në vlerën prej 753.8 milionë euro, për vitin 2022. Bile nga ekzekutivi thonë se janë optimist për shumën e investimeve të huaja që sivjet pritet të arrijë së paku trefishin e atyre të vitit të kaluar.

    ÇEBREN PRET ZGJEDHJET GREKE

    Sipas tij, është e pritshme të finalizohet edhe marrëveshja për ndërtimin e hidrocentralit Çebren që është në fazën përfundimtare. Realizimi i këtij investimi pret edhe përfundimin e zgjedhjeve parlamentare më 21 maj, për shkak se kompania investuese është me kapital shtetëror.

    Mandati katërvjeçar i qeverisë konservatore të Demokracisë së Re skadon në korrik. Ndërsa sondazhet tregojnë se Demokracia e Re e kryeministrit Mitcotakis është në epërsi ndaj partisë kryesore opozitare të krahut të majtë Syriza, mirëpo hendeku është ngushtuar pas fatkeqësisë hekurudhore më 28 shkurt që vrau 57 njerëz, duke nxitur zemërimin e opinionit. Epërsia e qeverisë është ngushtuar në 4 për qind, tregon Sondazhi i POLITICO. Zemërimi i opinionit pas përplasjes vdekjeprurëse të trenit i bashkohen edhe çështje të tjera me të çilat po merret qeveria greke, duke përfshirë inflacionin e lartë dhe çmimet e ushqimeve, keqbërjet financiare nga deputetët konservatorë, një skandal përgjimi dhe një ofertë sekrete nga Arabia Saudite për të paguar stadiumet e futbollit për Greqinë dhe Egjiptin nëse ata ranë dakord të bashkoheshin dhe të organizonin Kupën e Botës 2030. Shifrat sugjerojnë se në bazë të sondazheve aktuale do të jetë pothuajse e pamundur të formohet një qeveri e shumicës edhe pas raundit të dytë dhe do të nevojitet një koalicion. Partia e parë do të duhet të marrë rreth 38 për qind të votave në raundin e dytë për të formuar një shumicë të vogël.

    ENERGJETIKA NGJALL OPTIMIZËM

    Në ndërkohë Zëvendëskryeministri Bytyqi paralajmëron edhe dy investime strategjike në energji të rinovueshme që së shpejti do të gjenden në Parlament. Sipas tij, këto investime prej afër 1.3 miliard euro, së bashku me një miliard euro nga Çebren, pritet që vendi të mbyllë muajin shtator me 2.3 miliardë euro investime në energji. Në ndërkohë, kompania nga Tajvani “Yageo”, planifikon prodhimin e pjesëve rezervë dhe komponentëve për automjete elektrike, si dhe pajisje për teknologjitë e gjelbra, për zhvillimin dhe studimin e projekteve në bashkëpunim me universitetet në Maqedoni. Ajo bleu kompaninë amerikane Kemet Elektroniks që hapi fabrikën e saj për prodhimin e kondensatorëve elektronikë në Bunarxhik në tetor të vitit 2012 me investimin e mbi 25 milionë euro dhe hapjen e mbi 500 vendeve të reja të punës. Numri një i Drejtorisë për Zonat e Lira, Jovan Despotovski paralajmëron muajin e ardhshëm hyrjen edhe të kompanive vendore në këto zona ku deri tani kanë punuar vetëm investitorët e huaj, si dhe orientimin ndaj teknologjive të reja që nënkupton edhe zhvillim të përshpejtuar të vendit.

    RISI NË ZONAT TEKNOLOGJIKE

    Kemi dëshmuar se shteti mundet edhe ndryshe edhe më mirë, në kuptimin e saj që mund të sjellë edhe kompani të teknologjisë së lartë që kanë vlera serioze të shtuara , që sjellin teknologji të reja, paguajnë më shumë si dhe rrisin cilësinë. Për më tepër ai thekson se vetëm në kuadër të zonave, ne dy vitet e fundit janë arritur marrëveshje në vlerë prej 650 milionë euro. Në pesë vitet e fundit nuk janë regjistruar fabrika të mbyllura në zonat teknologjike, por përkundrazi, gjysma e tyre që kanë investuar deri tani, sërish po realizojnë investime të reja. Investimi i fundit ishte ai i kompanisë Gersehajmer që në shkurt vendosi gurthemelin e fabrikës me teknologji shumë të avancuar, ku do të prodhohen produkte të specializuara nga qelqi mjekësor, shiringa për vaksina dhe produkte farmaceutike për nevojat e kompanive farmaceutike me renome botërore. Po punohet për një investim prej mbi 126 milionë eurosh, që paraqet një shumë rekord investimi që nga krijimi i zonës zhvillimore teknologjiko-industriale të Bunarxhikut. Është planifikuar hapja e më shumë se 180 vendeve të reja të punës, me një pagë mesatare shumë më të lartë se mesatarja kombëtare. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Triumfi i lëvizjes antibërthamore në Gjermani

    Lajmi i rradhës

    “Predatori” izraelit që spiunoi gazetarë e politikanë u zhvillua në Maqedoninë e Veriut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë