Pritet të fillojë pastrimi i shtretërve të lumenjve në rajonin e Tetovës

    Lumi Shkumbin/Fotografia: Nistori

    Në këtë periudhë pritet që të fillojë pastrimi i lumenjve në rajonin e Tetovës. Të paktën kështu thonë nga komuna e Tetovës, prej nga potencojnë se tashmë të gjitha procedurat janë përfunduar dhe pritet që kompania e përzgjedhur të fillojë me punë. Në ndërkohë, gjendja me shtretërit e lumenjve në Tetovë, viteve të fundit gjithmonë është e vështirësuar për shkak të prurjeve të sasive të mëdha të dheut dhe rërës nga pjesët e larta të Malit Sharr. Kjo shpesh herë ka bërë që të ketë edhe vërshime nga prurjet e mëdha.

    Kohëve të fundit, prurje më të mëdha të sasisë së dheut dhe rërës ka pasur edhe në shtratin e lumit në fshatin Poroj. Prandaj nga komuna thonë se pastrimi do të fillojë prej atje.

    “Pas përfundimit të procedurave të tenderimit, tashmë veç kemi kontratë të nënshkruar dhe pas kësaj vazhdojmë me procedurat që ne ti japim urdhëresë kontraktuesit që të fillojë me punë dhe mendojmë se tashmë edhe koha edhe moment që njëkohësisht të bëhet pastrimi I shtretërve të lumenjve në territorin e komunës së Tetovës. Fillimisht do të pastrohet shtrati i lumit në Poroj, pasi që atje ka një prurje të rërës më të madhe se në lumenjtë tjerë, me qëllim që të stabilizohet situata në atë lum. Pastaj do të vazhdojmë me pastrimin e e lumenjve edhe në vendet tjera, pra atje ku do të paraqitet nevoja”, deklaroi Memeti Jonuzi, udhëheqës i Sektorit për Veprimtari komunale.

    Gjendja aspak më e mirë nuk është edhe në shtratin e lumit Shkumbin në Tetovë. Në shumë pjesë, hidhen mbeturina sidomos material ndërtimore por edhe të amvisërisë. Shtuar këtu edhe dheun që sjell me vete rrjedha e lumit, gjendja paraqitet e pasigurt në rast të reshjeve më të mëdha atmosferike. Gjendja më e rëndë paraqitet në lumin mes Reçicës së Vogël dhe Reçicës së madhe, ku çdo herë kur ka reshje më të mëdha ka edhe vërshime.

    “Sipas programës që e kemi për pastrimin e lumenjve, janë pesë lumenj që duhet të pastrohen, respektivisht shtretërit e këtyre lumenjve. Bëhet fjalë për shtratin e lumit Poroj, shtratin e lumit Shkumbin, shtrati i lumit në Reçicë të madhe që kufizohet me Reçicën e vogël, ku ne atje kemi pasur probleme serioze gjatë reshjeve të shiut, poashtu kemi edhe shtratin e Lumit në Reçicë të madhe, ku atje është pastruar, por nëse paraqitet nevoja do të intervenohet. Krahas kësaj do të intervenohet edhe në lumin në Shipkovicë”, tha Jonuzi.

    Ai ka njoftuar se intervenimi gjithmonë bëhet atje ku ka nevojë dhe shtretërit e lumenjve pastrohen në pjesën mbi fshat dhe deri në rrjedhën e lumenjve në pjesën e poshtme. Poashtu pritet që me rebalancin e buxhetit të shtohen mjetet për pastrimin e shtretërve të lumenjve. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Në Maqedoni inflacioni dyfish më i lartë se në BE

    Lajmi i rradhës

    Dardan Krivaqa dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë