Problemi me parkimin në Tetovë nuk ka fund

    Qendra e Tetovës/Fotografia: Nistori

    Problemi me parkimin në Tetovë në ka fund. Një problem që zgjatë me dekada assesi të gjejë zgjidhje. Krahas mungesës së vendeve të parkimit, që janë premtuar nga të gjithë kryetarët e komunave, problem në vete kohëve të fundit janë bërë edhe parkimet në rreshtat e dyfishtë, apo parkimi jo i lejuar paralel me zonën e parkimit. Me një fjalë, nëse një qytetar parkon veturën e tij në zonë parkimi, vjen një vozitës tjetër dhe me veturën e tij parkohet paralel dhe pamundësohet dalja nga parkimi. Kjo shkakton shumë probleme edhe mes qytetarëve të cilët paguajnë në mënyrë të rregullt për parkim por më pas nuk mund të dalin. Shpesh herë ka edhe zënka mes vozitësve për këtë dukuri dhe fenomen që është shumë i përhapur në pjesën qendrore të Tetovës.

    “Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë në koordinim me pushtetin lokal në Tetovë çdo ditë ndërmerr masa dhe aktivitete për më shumë rend dhe siguri në komunikacion sa I përket parkimit në qytetin e Tetovës. Gjatë katër muajve të kaluar numri I masave për këtë lloj kundërvajtje arrin shifrën 906, ndërsa numri i veturave që janë marrë nga shërbimi I merimangës është 1440. Pjesa më e madhe e masave kanë të bëjnë me parkimin në vend të gabuar dhe në të ashtuquajtura reshta të dyfishtë. Me këtë rast janë përgatitur edhe padi adekuate dhe vozitësit do të ballafaqohen me dënime të cilët fillojnë nga 25 deri në 180 euro. Me të njëjtën dinamikë do të vazhdojnë aktivitetet edhe gjatë periudhës së ardhshme ku orari i tre automjeteve të shërbimit të merimangës do të jetë në qarkullim nga ora 9 deri në orën 23, me qëllim që të largohen në kohë veturat të cilët pengojnë në qarkullimin e lirë të të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion. Me këtë rast në fokus do të jetë veturat të cilët parkohen në udhëkryqe, në vijat e bardha për këmbësorë, në zona të gjelbra dhe në reshta të dyfishtë, e cila kohëve të fundit është shumë e përhapur në zonën qendrore në Tetovë”, deklaroi Marjan Josifovski, zëdhënës i SPB-Tetovë.

    Vitin e kaluar policia dhe komuna ndërmorën aksion në qytetin e Tetovës që të lirohen rrugët nga veturat që pengojnë qarkullimin e lirshëm dhe që parkohen në korsinë e dytë. Kryesisht ky aksion u zhvillua disa javë dhe më pas është ndërprerë intensiteti i të dy institucioneve për të mirëmbajtur më shumë rregull në këtë drejtim. Pas atij aksione gjendja vazhdon të jetë si më parë dhe parkimi në korsinë e dytë është prezent çdo ditë. Nga ana tjetër,se a mund të ketë rregull në Tetovë e vërtetojnë rastet kur ka vizitë të delegacioneve të larta qoftë shtetërore qoftë nga jashtë.

    Në atë rast, policia arrin që të mbajë në kontroll të gjithë komunikacionin dhe këta vizita të kalojnë pa probleme, kurse pas shkuarjes së tyre gjendja kthehet si më parë. Shpesh herë arsyetimet e policisë në këtë drejtim janë se kanë pak ekipe në terren dhe nuk arrijnë të mbajnë në kontroll situatën. /koha/

    Lajmi Paraprak

    A do të shpëtojnë borxhlinjtë në RMV nga kamatat ndëshkuese?

    Lajmi i rradhës

    Dibranet të painteresuara për PAP teste

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë