A do të shpëtojnë borxhlinjtë në RMV nga kamatat ndëshkuese?

    Kamatat e mëdha ndëshkuese që për disa herë janë më të larta se borxhi kryesor po rëndojmë tejmase gjendjen ekonomike të mjaft borxhlinjve në vend. Pas kufizimit të kamatës kryesore para tre vitesh, tani me ndryshimet ligjore pritet të kufizohet edhe kamata ndëshkuese që shpesh llogaritet për borxhet e vjetra për ngrohje, telefoninë fikse dhe celulare. Me ndryshimet e vitit 2020, u ndryshua Ligji për përmbarim, me të cilin u vendos kufizimi i arkëtimit nga përmbaruesi, në një të treta në një të pestën e të ardhurave, nga paga apo pensioni. Mirëpo në këtë zgjidhje ligjore nuk u intervenua në kamatat ndëshkuese që shpesh tejkalojnë shumën e borxhit kryesor.

    Në nëntor të vitit të kaluar, avokati i Popullit Naser Ziberi në Qeveri dorëzoi nismën për hartimin e një projektligji për plotësimin e Ligjit për Përmbarim në pjesën e kamatës në procedurat përmbaruese. Me këtë nismë propozohet që kamata ndëshkuese të mos jetë më e madhe se borxhi kryesor.

    ”Nëse kihet parasysh gjendja ekonomike e borxhlinjve, ata nuk janë në gjendje thuajse asnjëherë të sigurojnë mjete të mjaftueshme që ta mbyllin borxhin për njëherë ndaj kreditorit, përfshirë këtu edhe shpenzimet në noter dhe avokatë e kështu me radhë. Vijnë në situatë që në mënyrë permanente, gjithë jetës të jenë borxhlinj. Gjithsesi të paguajnë këste gjithë jetën dhe asnjëherë të mos lirohen nga kjo”, thotë Avokati i Popullit, Naser Ziberi.

    Kjo nënkupton se për shembull, për një borxh prej 500 denarë, kamata maksimale duhet të jetë 500 denarë. Ose për një borxh prej 1.000 denarë, kamata maksimale duhet të jetë 1.000 denarë.

    “Për një borxh në llogari prej 500 denarë ka pasur raste kur është kërkuar arkëtimi prej 5000 denarë, sepse kamata që duhet të paguajnë është dhjetëra herë më e lartë se borxhi që realisht e kanë pasur. Gjithashtu, me ndryshimet ligjore të propozuara parashikojmë shkurtimin e afatit të parashkrimit nga 10 në 5 vjet nga vlefshmëria e vendimit. Kjo nënkupton zvogëlimin e mundësisë së grumbullimit të interesit dhe pamundësimin e fitimit të interesit të madh. Në anën tjetër, nënkupton edhe stimulimin e kreditorëve për reagim më efikas dhe më të shpejtë gjatë inkasimit”, thotë koordinatori i Grupit parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitreski.

    Ndër të tjerash, dispozita e propozuar parashikon që kur në dokumentin përmbarues përcaktohet arkëtimi i kamatës nga debitori, ai llogaritet dhe arkëtohet deri në ditën e derdhjes së mjeteve në llogarinë e veçantë të përmbaruesit, apo momenti kur kamata e papaguar e gjobës arrin shumën e borxhit kryesor.

    Mirëpo aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se ndryshimet ligjore nuk bëjnë punë nëse nuk vlejnë në mënyrë retroaktive ose në periudhën edhe para miratimit të këtyre ndryshimeve ligjore.

    “Nëpër gjykata janë me qindra mijëra procedura të iniciuara për të cilat tashmë ka një procedurë. Por ka edhe nga ata që aktualisht po paguajnë procedura të ndryshme të nisura. Nëse duam që të përfitojnë qytetarët, ligji duhet të zbatohet në mënyrë retroaktive. Ndryshe nuk ka aq shumë situata të reja, nuk ka shumë raste të reja me detyrime të prapambetura. Nëse ata që paguajnë shuma të mëdha për kamatë aplikohen në mënyrë retroaktive, do të mund të ndalet kjo shlyerje dhe të shpëtohen qytetarët“, thotë kryetari i Konfederatës së Organizatave Sindikale të Maqedonisë, Marjan Risteski.

    Nga zyra e Avokatit të Shtetit thonë se janë marrë parasysh edhe lëndët për të cilat qytetarët veçmë po paguajnë kamata të larta ndëshkuese.

    “Kur e kemi punuar për iniciativën e kemi pasur parasysh edhe këtë, pra për shkak të garantimit konsekuent të parimit kushtetues të sigurisë juridike për qytetarët, si pjesë përbërëse e parimit të shtetit ligjor, në dispozitat kalimtare dhe përfundimtare të këtyre ligjeve, kemi planifikuar që të përcaktojmë si normë dhe si më të favorshme për t’u zbatuar edhe në procedurat e përmbarimit që janë në zhvillim e sipër”, thonë nga zyra e Avokatit të Shtetit

    Ndryshe, vetëm në vitin e kaluar në zyrën e Avokatit të popullit kishin arritur mbi 450 ankesa nga fusha e drejtësisë, ndërkaq rreth gjysma e tyre janë për punën e përmbaruesve. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Çfarë shërbime ofrojnë në të vërtetë qendrat e masazhit në Kosovë?

    Lajmi i rradhës

    Problemi me parkimin në Tetovë nuk ka fund

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë