Paga mesatare neto mujore e paguar për punonjësit në muajin tetor 2025 arriti në 45.943 denarë, njoftoi Enti Shtetëror i Statistikës. Megjithatë, pavarësisht këtij niveli mesatar që i afrohet 750 eurove, një pjesë e madhe e të punësuarve mbeten larg këtyre të ardhurave mujore. Tradicionalisht, pagat më të larta regjistrohen në sektorin e Informacionit dhe Komunikimit, ku paga mesatare arrin 85.894 denarë. Pasojnë aktivitetet financiare dhe të sigurimeve me 61.531 denarë, si dhe minierat dhe guroret me 57.861 denarë.
Në sektorin e IT-së, megjithëse statistikat nxjerrin paga të larta mesatare, realiteti është i larmishëm. Ka programues që marrin paga nën 1500 euro, por edhe profesionistë shumë të kualifikuar që paguhen me mijëra euro në muaj, shpesh duke punuar për kompani të huaja, pa pasur nevojë të emigrojnë jashtë vendit. Mesatarja prej rreth 750 eurosh, ashtu si edhe në vitet e kaluara, ndikohet nga pagat në disa sektorë të caktuar, por edhe nga rritja prej 78 për qind e pagave të funksionarëve të emëruar dhe të zgjedhur, të cilat në mesatare janë mbi 2.000 euro. Në anën tjetër, në sektorin e bujqësisë, mbi 50 mijë të punësuar marrin paga mesatare prej rreth 35.000 denarë, ndërsa mbi 133 mijë të punësuar në industrinë përpunuese paguhen mesatarisht rreth 41.000 denarë, tregojnë të dhënat zyrtare.
Sipas statistikave, pasojnë: aktivitetet financiare dhe të sigurimeve – 61.531 denarë, furnizimi me energji elektrike dhe gaz – 56.221 denarë, veprimtaritë profesionale, shkencore dhe teknike – 52.269 denarë, mbrojtja shëndetësore dhe sociale – 50.242 denarë, administrata publike dhe mbrojtja – 48.639 denarë, arsimi – 45.764 denarë, veprimtaritë e pasurive të paluajtshme – 45.626 denarë, ndërsa arti, zbavitja dhe rekreimi – rreth 45.000 denarë. Në fund të listës renditen sektorët me paga më të ulëta është tregtia me 42.623 denarë, transporti dhe magazinimi me 42.203 denarë, ndërtimtaria me 40.280 denarë, veprimtaritë administrative dhe ndihmëse me 37.200 denarë, si dhe furnizimi me ujë, menaxhimi i mbeturinave dhe ujërave të zeza me 36.543 denarë.
Nga ana tjetër, të dhënat tregojnë se pagat mesatare në vendet e rajonit variojnë nga 740 deri në 1.444 euro. Mali i Zi ruajti pozicionin e dytë në rajon, me një pagë mesatare neto prej 1.015 eurosh në gusht 2025. Në krye të listës është Kroacia, me pagë mesatare neto 1.444 euro (qershor 2025).
Serbia renditet në mes, me pagë mesatare prej 932 eurosh (korrik 2025), ndërsa në Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës paga mesatare në gusht ishte 797 euro, dhe në Republikën Serbe 782 euro. Pagat më të ulëta në rajon u regjistruan në Maqedonia e Veriut, ku paga mesatare ishte rreth 740 euro, ndërsa gjatë verës së vitit 2025 diferenca mes pagës më të ulët dhe asaj më të lartë në rajon tejkaloi 700 euro.
Ndërkohë, në Shqipëri, paga mesatare mujore bruto arriti në 83.300 lekë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025, sipas të dhënave të INSTAT, duke shënuar rritje prej 7,3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Pas zbritjes së rreth 20 për qind të sigurimeve dhe tatimit mbi të ardhurat, paga neto rezulton rreth 66.640 lekë, apo afërsisht 650 euro. /Koha/






