Prokuroria: të mos përhapen informacione të paverifikuara për vrasjen e Vanjës, dëmtojnë hetimin

    Prokuroria Publike apelon që të mos përhapen informacione të paverifikuara që mund të dëmtojnë hetimin për vrasjen e 14 vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi dhe 74 vjeçarit Pançe Zhezhovski nga Velesi. Për rrjedhën e hetimeve, nga Prokuroria bëjnë të ditur se janë në pritje të raportit të autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

    “Ende nuk është përgatitur dhe dorëzuar në Prokurori raporti i autopsisë. Nën hetim janë veprimet e të gjithë të përfshirëve, për të cilët mblidhen çdo ditë prova verbale dhe materiale dhe krahasohen me njëra-tjetrën”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.

    Ndërkaq, opozita akuzon policinë për dështim në kërkimin e Pançe Zhezhovskit, i cili u raportua i zhdukur në Veles më 22 nëntor. Më pas me veturën e tij në Shkup është transportuar Vanja Gjorçevska. Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, paraprakisht tha se vetura e viktimës nga Velesi për herë të parë është parë në Shkup në kamera përmes sistemit “Qyteti i sigurt” më 27 nëntor, përkatësisht ditën kur është zhdukur Vanja. Sipas VMRO-DPMNE-së, Spasovski ka gënjyer dhe vrasja e saj ka mundur të parandalohet.

    “E pyesim ministrin Spasovski për disa ditë rresht dhe ai nuk pranon të përgjigjet për dështimin e dukshëm dhe fatal të MPB-së, pasojë e të cilit është rrëmbimi dhe vrasja e Vanjës. Publikisht e pyesim ministrin Spasovski- nëse automjeti është regjistruar në kamera para datës 27 nëntor, gjegjësisht më 24 nëntor në ora 6:30 në hyrje të Shkupit në afërsi të Maxharit?”, deklaroi Dragan Kovaçki – deputet i VMRO-DPMNE-së.

    LSDM akuzoi VMRO-DPMNE-në se po e politizon rastin dhe po përpiqet t’i pengojë hetimet.

    “Kovaçki është manipulues i njohur, disa herë i kapur duke përhapur lajme të rreme. E fundit ishte për Samitin e OSBE-së. Është e qartë se përpjekjet për manipulim, pengimi i hetimeve, nevoja e çoroditur për keqpërdorim të rastit të vdekjes së Vanjës janë për shkak të takimeve të Mickoskit me Palevskin, për të cilat Mickoski hesht disa ditë”, tha Darko Kaevski – deputet i LSDM-së.

    Përderisa hetimet janë ende duke vazhduar, ministri i Drejtësisë Krenar Lloga ditë më parë tha se ka kontakte joformale me autoritetet turke dhe pret që të mos vonohet ekstradimi i të dyshuarit kryesor për vrasjen, Lupço Palevski- Pallço. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Avokatët në Ohër dhe Strugë nuk kanë punë

    Lajmi i rradhës

    Shumë familje në RMV, bukën e gojës e sigurojnë nga zanate të ndryshme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë