Pse Londra nuk është më qendra e bursës në botë?

    Nëse do të konsiderojmë dy eksportet më të mëdha britanike, fushën e kinemasë dhe financat, viti 2005 ishte tejet i suksesshëm.

    Siç shkruan The Economist, albumi më i shitur britanik ishte “X & Y” nga Coldplay, një grup roku britanik. Libri “Harri Poter dhe Princi Gjakpërzier” u shit më shumë kopje në 24 orët e para se çdo roman i mëparshëm. Gjithashtu, përtej Atlantikut debutoi “Derkuci Peppa”, një program televiziv për fëmijë u bë aq popullor, sa që prindërit amerikanë u ankuan se po u jepte fëmijëve të tyre theks britanik.

    Rrethi financiar i Londrës, gjithashtu dukej se mbizotëronte në botë. Tashmë kishin kaluar kohërat e pasluftës dhe gjysmëshekulli novacion financiar dhe tregti e lirë, joshën bankat e huaja në Square Mile dhe më pas i hapën ato për kapitalin ndërkombëtar. Si vendlindja e tregut të eurobonove, që lejonte kompanitë të huazonin dollarë jashtë Amerikës, Londra kishte qenë prej kohësh një qendër ndërkombëtare për ngritjen e borxhit dhe tregtimin e monedhave të huaja.

    Tani po bëhej edhe qendra e kapitalit. Një e pesta e të gjitha kompanive globale që u bënë publike nëpërmjet një Oferte Fillestare Publike (IPO) në vitin 2005, zgjodhën ta bëjnë këtë në Bursën e Londrës (LSE). Brenda pak vitesh, analistët që shqetësoheshin se Amerika po vuante nga mungesa e listimeve, e tregonin Britaninë e Madhe si një shembull ku gjërat bëhen siç duhet.

    Çfarë po ndodh 15 vjet më vonë?

    Është për të ardhur keq që gjithë ato vite të vrullshme në prag të krizës financiare botërore vendosën standarde tepër të larta për tregun e kapitalit britanik. Një dekadë e gjysmë më vonë, shpresat se qyteti do të bëhej një bursë botërore, janë venitur. Pjesa e qytetit në IPO-të botërore ka rënë me një faktor pesë, duke arritur në 4 për qind dhe numri i kompanive të listuara në të ka rënë me 40 për qind që nga kulmi në vitin 2007. Vlera e Britanisë së Madhe ka rënë në mënyrë të vazhdueshme, e shprehur si peshë e tregut të kapitalit botëror.

    Ndërsa pjesa e IPO-ve të Londrës është zvogëluar, po kështu është reduktuar edhe prestigji i atyre pak që ementon. Më shumë se një dekadë më parë debutonin kompani si Glencore, një gjigant minierash, me vlerë 60 miliardë dollarë. Tani debutojnë kompani shumë më të vogla në vlerë si Deliveroo me 10.5 miliardë dollarë dhe Wise me 11 miliardë dollarë, por në kohët e sotme, ato konsiderohen të mëdha.

    Tregu po vuan nga mungesa e performancës. Një dollar i investuar në tregun botëror në vitin 2005, do të vlente 3.07 dollarë deri në fund të vitit 2020. Investuar në Britani të Madhe, ai do të kishte vlerën 1.55 dollarë. Pjesa më e madhe e kësaj ka ardhur si pasojë e rrezikut politik dhe luhatjeve të kursit të këmbimit të shkaktuar nga BREXIT, raporton Monitor.

    Analistët në kompaninë e administrimit të fondeve Jupiter, mendojnë se aksionet britanike janë ulur me 40 për qind në raport me dividentët, fitimet dhe perspektivat e rritjes, krahasuar me vlerësimet para referendumit të BREXIT në vitin 2016. Ky nënvlerësim ka nxitur kompanitë e huaja dhe fondet e kapitalit privat që të heqin nga tregu publik firmat britanike të listuara.

    Ndërkohë, humbja e IPO-ve ka bërë që tregu i aksioneve të Britanisë së Madhe t’i ngjajë më tepër së shkuarës, sesa së ardhmes. FTSE 100, një indeks i kompanive më të mëdha të listuara në Bursën e Londrës LSE, është i mbushur me aksionet e kompanive minerare, kompanive energjetike dhe bankave. Ka shumë më pak kompani teknologjike, të cilat përbëjnë më pak se 2 për qind të vlerës së tij, krahasuar me 39 për qind për ekuivalentin amerikan S&P 500.

    Rezultati i gjithë kësaj është një rreth vicioz. Nëse tregu i aksioneve në Londër vendos një vlerë më të ulët për kompanitë në krahasim me tregjet e tjera, firmat me perspektiva të mira do të zgjedhin të listohen aty ku mund të shesin aksionet e tyre për më shumë para. Mungesa e listimeve të reja krijon një treg të varur aksionesh dhe vlerësime të ulëta.

    Lajmi Paraprak

    Kjo është lista e produkteve që u është rritur çmimi në Kosovë

    Lajmi i rradhës

    Dëbimi i dy zyrtarëve rusë, Kommersant: Kosova i shpall luftë ndikimit të Rusisë në Ballkan

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë