Pse njerëzit kërkojnë përgjigje të lehta, për problemet më komplekse që ka sot bota?

    Kerry Boyd Anderson

    Ne jetojmë në një botë komplekse, që ndryshon në mënyrë të vazhdueshme. Por truri i njeriut e  ka të vështirë të përballojë kaq shumë kompleksitet. Dhe shpesh kjo vështirësi i bën njerëzit që të kërkojnë përgjigje të lehta.

    Ndonëse është e kuptueshme, kjo tendencë krijon shumë probleme për politikën, shoqërinë, ekonominë. Ajo është veçanërisht problematike gjatë një pandemie. Çdo individ është një qenie e shumanshme.

    Secili person ka humor, mendime dhe besime të ndryshme. Secili burrë dhe grua ka përvojat e veta, të cilat formësojnë mënyrën se si ata e shohin botën. Kur ndalemi më në detaje për të analizuar një familje apo bashkësi të madhe, panorama bëhet edhe më komplekse, me shumë individë që ndërveprojnë me njëri-tjetrin në rrethana të ndryshme.

    Të gjithë këta individë plaken dhe ndryshojnë, dhe kësisoj ndryshojnë shpesh edhe marrëdhëniet e tyre. Në të njëjtën mënyrë, ndaluni më në detaje mbi çështjet në nivelin kombëtar dhe më në fund atë global, dhe do të shihni se bota bëhet tejet komplekse.

    Gati 8 miliardë individë i shtohen një sistemi që është në evoluim të vazhdueshëm dhe që formëson ekonominë globale, sigurinë, shoqërinë, politikën, shëndetin e njerëzve dhe mjedisin. Ky rrjet i gjerë i ndërlidhjeve të ndryshueshme të vazhdueshme midis individëve, duhet ta bëjë të qartë se bota është një vend kompleks.

    Ndaj duhet të jetë më se e qartë, se hartimi i politikave efektive ekonomike, të sigurisë, shëndetit dhe mjedisit është shumë i vështirë. Edhe politikë-bërësit më inteligjentë, dhe më të mirë-arsimuar dhe me përvojë, e kanë të vështirë të menaxhojnë politikat në një botë komplekse e në zhvillim.

    Gjithsesi, njerëzit duan shpesh të besojnë se bota është mjaft e thjeshtë, me probleme të përcaktuara lehtësisht, dhe për pasojë me zgjidhje të thjeshta. Shumë studime psikologjike, kanë treguar se truri i njeriut e ka të vështirë të menaxhojë pasigurinë dhe nuancat e një situatë të caktuar.

    Zakonisht ai kërkon qartësi dhe shpjegime të thjeshta. Kjo dëshirë për siguri rritet kur njerëzit janë të stresuar, të kërcënuar apo janë përballë një pasigurie të shtuar. Pakënaqësia me paqartësinë, i nxit shpesh njerëzit të kërkojnë shpjegime të drejtpërdrejta.

    Kur njerëzit janë të stresuar, ata e bëjnë këtë edhe më shpejt dhe me më pak vlerësim kritik të informacionit që kanë në dispozicion . Pasi kanë vendosur mbi një përgjigje, njerëzit i përmbahen shpesh atij shpjegimi apo zgjidhjeje, edhe nëse ndryshojnë provat ose rrethanat. Për të zvogëluar kompleksitetin e kësaj bote, njerëzit shpesh zgjedhin mjete të thjeshta, siç janë paragjykimet ku bëjnë pjesë apo një kornizë ideologjike, në mënyrë që të gjejnë përgjigje që duken të drejta. Dëshira për të besuar se bota është shumë më e thjeshtë nga sa është vërtet, i nxit shumë njerëz të supozojnë se problemet dhe zgjidhjet janë të dukshme. Nëse ata e besojnë këtë gjë, atëherë është e lehtë të gjykohet se udhëheqësit e një vendi duhet të jenë joefikasë, kur ata nuk arrijnë që t’i zgjidhin shpejt problemet. Shpeshherë njerëzit nuk duan që ta pranojnë se politikë-bërësit po përballen me situata tepër komplekse dhe në zhvillim e sipër.

    Për ta është më mirë të argumentohet, se gjithçka do të ishte mirë nëse udhëheqësit dhe politikë-bërësit do të miratonin zgjidhje të thjeshta. Kjo qasje mund të çojë tek një mosbesim i thellë ndaj autoriteteve qeverisëse dhe “elitave” në përgjithësi. Për shembull, sot shumë amerikanë duan të besojnë se SHBA-ja mund t’i kishte mundur talebanët dhe grupet terroriste në Afganistan.

    Disa e interpretojnë dështimin për ta bërë këtë, si një dëshmi se udhëheqësit e kombit janë shumë të dobët për të bërë gjënë e duhur. Shpeshherë, njerëzit i caktojnë këto tipare një politikani që i përket një partie politike të ndryshme nga ajo që mbështet ai, duke lejuar më shumë nuanca për udhëheqësit e partisë së tyre.

    Për shumë njerëz, kjo është më ngushëlluese sesa të pranosh kompleksitetin e të vepruarit në një vend të komplikuar si Afganistani, motivet e shumta që nxitën politikë-bërës të ndryshëm amerikanë gjatë 20 viteve, dhe shumë faktorë të tjerë.

    Këto probleme nuk janë specifike për një kulturë ose vend të veçantë. Është një instinkt njerëzor. Gjithsesi, kur kombinohet me lloje të veçanta të sistemeve politike apo pakënaqësi të mëdha, nevoja për thjeshtësi mund të jetë e rrezikshme.

    Populistët mund të ngjiten në pushtet duke fajësuar “elitat”, dhe duke përforcuar idenë se për problemet e një shoqërie ka përgjigje të dukshme, të cilat elitat kanë dështuar t’i vënë ato në zbatim. Demagogët i thellojnë ndarjet në një shoqëri, duke fajësuar për të gjitha problemet disa grupe të shoqërisë, zakonisht duke shënjestruar “elitat”, të huajt, emigrantët, pakicat fetare dhe etnike, apo përkrahësit e një ideologjie të veçantë.

    Liderët demagogjikë u thonë më pas njerëzve se zgjidhjet janë të thjeshta, dhe se lideri mund t’i zgjidhë problemet nëse njerëzit e ngjitin atë në pushtet. Kur mbërrin në krye, dhe kur nuk ia del të përmirësojë jetën e njerëzve, ai do të fajësojë sërish një nga grupimet që ka sulmuar edhe më herët.

    Populistët dhe demagogët e shpjegojnë botën me fjalë të thjeshta, dhe ofrojnë përgjigje të lehta. Zgjidhjet e tyre të propozuara janë nganjëherë specifike, dhe herë të tjera ato janë të paqarta, por lidhen emocionalisht me audiencën e tyre.

    Pandemia aktuale ka sjellë sfida veçanërisht të vështira për shkencëtarët dhe politikë-bërësit, të cilët po përpiqen të komunikojnë në një mjedis të pasigurt që po ndryshon vazhdimisht, ndërsa po dalin të dhëna ose variante të reja.

    Ndërsa shumë ekspertë dhe udhëheqës mund të komunikojnë më mirë, një pjesë e problemit është se shpesh njerëzit nuk duan që të dëgjojnë shpjegime të sinqerta që përfshijnë pasigurinë. Kompleksiteti i komunikimit në periudhën krize, është një rrugë më 2 kalime. Politikë-bërësit duhet të mbeten në kontakt me qytetarët e tyre, dhe t’i dëgjojnë shqetësimet e tyre. Qeveritë duhet t’i përgjigjen nevojave të njerëzve. Institucionet arsimore dhe media, duhet të inkurajojnë mendimin kritik, që e pranon paqartësinë, dhe që është i sinqertë në lidhje me kompromiset politike dhe ekonomike.

    Në këmbim, qytetarët duhet të pranojnë se askush nuk i ka të gjitha përgjigjet, dhe të mos presin që politikë-bërësit të rregullojnë gjithçka me shpejtësi. Qytetarët duhet të kuptojnë se politikat dhe rekomandimet mund të kenë nevojë të ndryshojnë, për t’u përshtatur me rrethanat në zhvillim. Përqafimi i kompleksitetit mund të jetë i vështirë dhe stresues, por këmbëngulja tek përgjigjet e lehta, është një recetë për zgjidhje joefektive dhe për zhgënjime të mëtejshme. / “Arab News” /

    Lajmi Paraprak

    Osmani largon Milenkoskin nga detyrimet e tij në misionin e OSBE-së

    Lajmi i rradhës

    Pendarovski: Mund të ketë valë refugjatësh nga Afganistani

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë