Pse shteti e braktisi kalanë e Shkupit!?

    Omer Xhaferi
    Gazetar

    Historia e lashtë dhe vendndodhja në kryeqytet nuk është e mjaftueshme që kalasë së Shkupit t’i kthehet shkëlqimi i të kaluarës. Gjendja aktuale në brendësinë e këtij monumenti të lashtë të trashëgimisë kulturore është larg të dëshiruarës. Ende janë të freskëta pasojat e gërmimeve arkeologjike të vitit 2007. Gropat dhe gërmadhat e gërmimeve prej më se një dekade nuk i ka rregulluar asnjë pushtet qendror ose lokal. Rindërtimi i saj u premtua edhe nga kryetari aktual i Shkupit, Petre Shilegov, mirëpo deri më sot asnjë veprim konkret nuk është ndërmarrë në terren.

    Këshilltari i Lëvizjes Besa në Qytetin e Shkupit, Sedat Ramadani për Nistorin shprehet se ndonëse kalaja nuk është në kompetenca të Qytetit të Shkupit, prej fillimit të mandatit të kryetarit aktual e deri me tani, në çdo planifikim buxhet ka pasur mjete të paracaktuara për rregullimin dhe instalimin e pajisjeve urbane, por të njëjtat asnjëherë nuk janë harxhuar.

    “Gjegjësisht vlera prej 11 milionë denarësh për çdo vit është propozuar dhe asnjëherë nuk janë harxhuar për t’u realizuar projektet e parapara. Në një situatë të këtillë, neve si këshilltar nga opozita na pamundësohet propozimi nëpërmjet amendamenteve për pika që vetëm se janë të propozuara. Shqetësimin e qytetareve unë e kam përcjelle nëpërmjet pyetjeve të këshilltarëve, por çdoherë përgjigjja ka qenë se mjetet janë ndarë dhe po punohet në përgatitjen e projektit. Madje duke besuar se së paku këtë vit do të fillojnë punimet, për buxhetin e 2021-it propozova një amendament për përgatitjen e një harte orientuese me përmbajtje të objekteve që gjenden në brendësi, por as kjo nuk u pranua”, shprehet Ramadani.

    Pse nuk e mbajti premtimin e tij kryetari Shilegov për kalanë e Shkupit, nga Qyteti i Shkupit nuk japin përgjigje konkrete, por thonë se çështja rreth rindërtimit të kalasë së Shkupit do të zgjidhet vetëm pasi që IN “Qendra e Konservimit”, (e cila është institucion nacional dhe jo lokal) do të përgatisë elaborat me bazë konservimi.

    “Meqë një elaborat i tillë ende nuk është përgatitur, Qyteti i Shkupit, nuk mund të veprojë as me rregullimin bazë horitkulturor të hapësirë, për shkak se me çfarëdo veprimesh mund ta rrezikoj pasurinë kulturore e cila është e groposur në këtë rajon. Në momentin kur këta elaborate do të përgatiten dhe do t’i pranojmë këta të ashtuquajtura baza konservimi, ne jemi të gatshëm të intervenojmë. Në kuadër të kompetencave tona, edhe pse kjo hapësirë nuk është në kompetencë tonën, ne dhe ndërmarrjet publike tonat rregullisht e pastrojmë dhe e mirëmbajmë këtë hapësirë”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

    Drejtori i Qendrës së Konservimit në Shkup, Kole Çapkanovski, thekson se në fillim të muajit prill janë dorëzuar elaboratet te Drejtoria e Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore për t’u vlerësuar.

    “Elaborati për kalanë është përgatitur dhe dorëzuar te Drejtoria e Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore. Ata duhet ta shqyrtojnë dhe të na e kthejnë”, tha Çapkanovski, i cili shtoi se nuk e di se sa mund të zgjasë e gjithë kjo procedurë.

    Ndryshe, objekte e këtilla historike në rajon dhe më gjerë janë ndër vendet më të rregulluara dhe më të vizituara nga turistët vendas dhe të huajt. E tillë është edhe kalaja e Tiranës, e rihapur në vitin 2018 pas një restaurimi të hollësishëm. Po ashtu edhe Kalemegdani në Beograd, llogaritet si njëri ndër vendet më të vizituara nga të vizitorët. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Dimitrov: Maqedonia si test për BE-në

    Lajmi i rradhës

    Ruskovska: Askush nuk është dënuar për terrorizëm në rastin “27 prilli”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë