Qeveria e Kosovës paralajmëron ashpërsimin e ndëshkimeve për krimet seksuale dhe dhunën në familje

    Qeveria e Kosovës miratoi një projektligj për ndryshimin e Kodit Penal, që ashpërson dënimet për veprat penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se këto ndryshime janë të nevojshme dhe urgjente, për shkak të rritjes së rasteve të dhunës në familje dhe sulmeve seksuale.

    Haxhiu tha se Këshilli Gjyqësor do të ketë regjistër me informacionet e personave që shpallen fajtorë për veprat e tilla penale dhe ky regjistër do të jetë publik. Njëkohësisht, ajo tha se gjykatat do të obligohen që të publikojnë aktgjykimet për këto raste.

    Sipas ministres Haxhiu, ndryshimet parashohin që personave që shpallen fajtorë për dhunim dhe dhunë në familje t’u ndalohet e drejta e kandidimit në pozita publike nga 3 deri në 10 vjet. Po ashtu, sipas ndryshimeve, atyre do t’u ndalohet punësimi në sektorin publik dhe do t’u hiqet e drejta e marrjes së patentë-shoferit dhe e drejta e ngasjes së veturës për 1 deri në 5 vjet.

    Të dënuarit për veprat penale të dhunimit dhe dhunës në familje, po ashtu nuk do të kenë të drejtë të blejnë asete publike në ankande nga 3 deri në 10 vjet dhe për periudhë të njëjtë do t’u ndalohet edhe aplikimi si investitorë strategjikë.

    “Po ashtu është paraparë që kur kemi të bëjmë me veprën penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje, kufijtë e zbutjes së dënimeve nuk do të zbatohen. Është paraparë edhe një vepër e re, sipas së cilës, do të ndëshkohet kushdo që me qëllim të frikësimit ose detyrimit për të vepruar kundër vullnetit të tyre, me dashje ushtron dhunë psikike, fizike, seksuale, ekonomike në formë të drejtpërdrejtë apo indirekte ndaj grave që ushtrojnë funksione publike apo kandidateve për ushtrimin e funksioneve publike”, tha Haxhiu.

    Ajo tha se për veprën e re penale është paraparë ndëshkim nga 6 muaj deri në 3 vjet, dhe nëse ajo kryhet në formë të organizuar, do të cilësohet si rrethanë rënduese.

    “Kosova nuk ka jetë grash dhe vajzash për të humbur. Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private, është përgjegjësi institucionale, është çështje e sigurisë dhe mirëqenies publike e sociale. Është i domosdoshëm angazhimi maksimal, veçanërisht i institucioneve, por edhe i çdonjërit nga ne, prindërve, familjes, mësimdhënësve, zyrtarëve të rendit dhe mbrojtjes së ligjit, të të gjithë qytetarëve”, tha Haxhiu gjatë konferencës për media, pas mbledhjes së Qeverisë.

    Ndërkaq, gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës më 12 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se gjyqtarët dhe prokurorët nuk po reagojnë si duhet për rastet e dhunimeve dhe dhunës në familje, teksa përmendi edhe rastin e fundit të dhunimit të një 11-vjeçarjeje në Prishtinë nga pesë persona, duke shtuar se opinioni “u shtang” nga kjo ngjarje.

    “Përderisa shoqëria reagon me protesta masive dhe kërkon drejtësi për viktimat, sistemi gjyqësor hesht. Ne nuk mund ta bëjmë detyrën e gjyqtarit e as të prokurorit, por mund të hartojmë politika që shtyjnë gjyqtarët e prokurorët të reagojnë, e të veprojnë më shumë e më shpejt, që sjellin përgjigje ndaj thirrjeve të shoqërisë për të sjellë drejtësi”, tha Kurti.

    Sipsa procedurave, ky projektligj për plotësim/ndryshimin e Kodit Penal duhet të dërgohet në komisionet parlamentare, e më pas të dërgohet për miratim në seancë plenare.

    Nga janari deri në tetor, në Policinë e Kosovës janë raportuar 73 raste të ngacmimit seksual dhe 49 raste të sulmit seksual.

    Sipas organizatave joqeveritare, numri më i madh i viktimave janë vajza të moshës 13 deri në 16 vjeç.

    Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime nga 2 deri në 15 vjet burgim për dhunime e sulmet tjera seksuale. /REL/

    Lajmi Paraprak

    LSM: Kovaçevski dhe Mickoski, daljen nga kriza e shohin në kurriz të punëtorëve

    Lajmi i rradhës

    BDI konstituon organet e partisë në restaurant dasmash

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë