Qeveria e RMV premton transparencë me financimin e projekteve

    Ecuria e projekteve që financohen nga qeveria do të ndiqet përmes një platforme që është prezantuar të enjten nga kryeministri Hristijan Mickovski. Realizimi i çdo projekti përmes platformës mund të shihet në kohë reale nga publiku, sistem ky që më shumë sesa teknik, kryeministri e ka cilësuar si një mesazh për një qeveri që siguron llogaridhënie për cdo qindarkë të shpenzuar nga arka e shtetit.

    “Asnjë projekt më nuk qëndron i fshehur aty diku në labirintet institucionale, tani është i dukshëm, i kontrollueshëm. Që nga thirrja e parë, financuar me mjetet e qeverisë janë përfshirë gjithsej 288 projekte me një vlerë prej 4,6 miliardë denarë. Të gjithë kanë filluar dhe për të gjithë janë lidhur marrëveshje me operatorët ekonomikë”, ka thënë kryeministri.

    Ndërsa platforma do të informojë për ecurinë e projekteve, raportet më të fundit flasin për transparencë të përkeqësuar të institucioneve në ekzekutiv dhe ato lokale. Vetë Qeveria në faqen e saj zyrtare, është e vonuar në publikimin e seancave dhe vendimeve të Qeverisë. Për momentin, procesverbali më i ri është i muajit të kaluar – 6 nëntor.

    Sipas raporteve, ai më i fundit i Qendrës për Komunikime Qytetare lidhur me transparencën institucionale, ministritë dhe Qeveria kanë rënë nga 86 për qind e vitit të kaluar në 84 për qind të këtij viti. Nga ana tjetër, komunat kanë ruajtur të njëjtin nivel të transparencës aktive prej 79 për qind.

    Mbrojtja është një nga ministritë më transparente, që nga ky vit edhe për transformimet digjitale, ndërsa nga komunat ajo e Kavadarit dhe Kërçovës, sipas Indeksit të Transparencës Aktive, pra sipas publikimit proaktiv të informacionit me natyrë publike. Plot 44 për qind e institucioneve të mbuluara kanë përkeqësuar transparencën e tyre aktive, për dallim nga viti 2024 ku numëroheshin vetëm 19 për qind. Numri i komunave me transparencë aktive 100 për qind është ulur gjithashtu.

    Sipas rajoneve, për të tretin vit radhazi, Rajoni Lindor është në vendin e parë, me të njëjtën transparencë aktive si vitin e kaluar, prej 88 për qind, ndërsa i fundit është Rajoni i Pollogut, me 71 për qind transparencë aktive. Indeksimi tregoi se si ministritë ashtu edhe komunat publikojnë më pak informacion në lidhje me financat. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Prova e parë për korrupsionin!

    Lajmi i rradhës

    Bilanci i EShR për 2024: uzurpime të tokës, ndarje të mjeteve financiare pa kriter

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë