QEVERIA NUK OFRON NDIHMË – Komunat janë zhytur në borxhe të mëdha për energjinë elektrike

    Qeveria për momentin nuk ka ndërmend t’i ndihmojë komunat me para nga thesari i shtetit për shlyerjen e faturave të energjisë elektrike. Pas kërkesës së djeshme urgjente të Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale për takim urgjent me Qeverinë dhe gjetjen e zgjidhjeve, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se autoritetet lokale duhet t’u drejtohen kompanive energjetike në vend, e jo Qeverisë.

    “Sa i përket BNJVL-së, duhet ta kontaktoni EVN-në dhe EMV-në, që aktualisht e menaxhon BEG-un, për t’i marrë faturat e papaguara për muajin dhjetor, e të mos flasim për muajin e parë të vitit”, tha Kreshnik Bekteshi ministër i Ekonomisë.

    Nëse shteti nuk ndihmon, komunat e vogla kërcënohen me kolaps total. Buxhetet e tyre vjetore tashmë janë shpenzuar dhe nuk kanë para për funksionim normal. Këtë e theksoi kryetarja e BNJVL-së, Danela Arsovska në “Magazinën ekonomike”.

    “Situata me ta është aq alarmante sa mund të ketë edhe ndërprerje të energjisë elektrike dhe furnizim me ujë”, u shpreh Danela Arsovska, kryetare e komunës së Shkupit.

    Për liderin e opozitës Hristijan Mickoski fakti që pushteti qendror nuk dëshiron t’i ndihmojë financiarisht njësitë lokale është shkatërrim sistematik i komunave.

    “Një qeveri serioze, një qeveri që mendon për popullin, e di se do të ketë krizë energjetike dhe në vend që të abuzojë me krizën për kontratat në katër sy në REK Manastirin për gërmime dhe komisione që të përfundojnë në valixhe më të trasha të familjes, duhej të mbante llogari si t’i rrisë grantet komunale në buxhet”, theksoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

    Borxhet e komunave për energji elektrike kalojnë aktualisht 10 milionë euro. Kostot e energjisë elektrike pothuajse për të gjitha njësitë vendore janë rritur me më shumë se pesë herë krahasuar me periudhën para krizës energjetike.

    Lajmi Paraprak

    Sa do të rritet pensioni në RMV?

    Lajmi i rradhës

    Lëvizja Besa – kryeministrit Kovaçevski: Keni shumicë të blerë dhe të shantazhuar që nuk pasqyron realitetin politik të verdiktit të popullit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë