Quint-i i zhgënjyer me vendimin e Kosovës për moslejimin e zgjedhjeve të Serbisë

    Shtetet e Quint-it kanë shprehur zhgënjimin e tyre me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë, të caktuara më 3 prill.

    Vendet e Quint-it janë: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Franca.

    “Përderisa ne e vlerësojmë qasjen e Serbisë për të gjetur zgjidhje, me zhgënjim të madh ne shohin vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar propozimin konstruktiv të prezantuar nga Quint-i”, thuhet në deklaratë.

    Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka dështuar të demonstrojë përkushtimin për parimin e mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe anëtarët e grupeve të minoriteteve”, thuhet në deklaratë.

    Sipas Quint-it, “kjo sjellje e Qeverisë së Kosovës nuk është në linjë me vlerat dhe parimet tona dhe do të minojë aspiratat e saj evropiane”.

    Quint po ashtu i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga çdo veprim dhe retorikë që mund të rrisë tensionet dhe mund të çojë në incidente.

    “Ne presim nga Qeveria e Kosovës që të veprojë në interes të të gjithë qytetarëve të saj, të punojë në uljen e tensioneve dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Ky proces është kritik në arritjen e përparimit drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim, që përfundimisht do të zhbllokonte perspektivën evropiane të Kosovës”, tha Quint-i.

    Kosova ka kërkuar që Qeveria e Serbisë t’i dërgojë kërkesë ekzekutivit kosovar për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare serbe, që mbahen më 3 prill.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se me këtë kërkesë, Kosova ka kërkuar që Serbia ta njohë pavarësinë e saj.

    “Serbia nuk mund ta pranonte këtë dhe Serbia nuk do ta pranojë këtë”, tha Vuçiq në një konferencë për shtyp më 22 mars.

    Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka kërkuar që të ketë marrëveshje mes dy qeverive për mbajtjen e zgjedhjeve.

    “Unë kurrë nuk kam synuar që nëpërmes këtij letërkëmbimi ta sjell njohjen e Serbisë. Unë e kam ditur që kjo nuk bëhet, mirëpo nuk mund të kërkojë askush prej meje që unë të mos e njoh Republikën e Kosovës, pavarësinë e vendit tonë”, tha Kurti në një intervistë për transmetuesin publik të Kosovës. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Mobing në çerdhet në Manastir? Konjanovski: MPPS të ndalet me obstruksionet ndaj komunës së Manastirit

    Lajmi i rradhës

    “Mos fajëso askënd”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë