Gordana Siljanovska Davkova ka 182.376 vota më shumë se Stevo Pendarovski

    Kutia e votimit / Fotografia: Nistori

    10:00 AM (04.25.2024)

    Gordana Siljanovska Davkova 362,682 vota (40,08%), Stevo Pendarovski 180,306 vota (19,93%)

    Rezultatet e para që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i publikoi mëngjesin e sotëm në ueb faqen e tij tregojnë se nga pothuajse 100 për qind e votave të përpunuara, kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova, ka fituar më shumë vota në zgjedhjet e djeshme presidenciale, 362.682 (40,08%) para Stevo Pendarovskit nga LSDM me 180.306 (19,93%).

    Siljanovska Davkova fitoi në 60 komuna, Pendarovski në tre, Osmani në 15, Taravari dhe Dimitrievski në një komunë

    Gordana Siljanovska Davkova, kandidatja presidenciale e VMRO-DPMNE-së, në rrethin e djeshëm të parë të zgjehdjeve për shef të shtetit, fitoi në 60 komuna të vendit, kandidati i LSDM-së, Stevo Pendarovski fitoi më së shumti vota në tre, Bujar Osmani nga BDI në 15, ndërsa Arben Taravari nga VLEN dhe Maksim Dimitrievski nga ZNAM në një komunë.

    Dimitrievski fitoi në Kumanovë, Taravari me fitore të ngushtë në Gostivar, ndërsa Jakimovski humbi në Karposh

    Nga tre kryetarët aktualë të komunave që kandiduan për president të shtetit, vetëm dy morën numrin më të madh të votave në komunat ku janë kryetarë komunash – Maksim Dimitrievski në Kumanovë dhe Arben Taravari në Gostivar, ndërsa Stevço Jakimovski në Karposh fitoi vetëm gjashtë përqind të votave.

    KSHZ numëron 95 % të votave, këto janë rezultatet

    Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ka publikuar rezultatet e para për zgjedhjet presidenciale.

    Sipas KSHZ-së, nga 95% të votave të numëruara, këto janë rezultatet e kandidatëve për president:

    1. Stevo Pendarovski – 171.325 | 19,94%
    2. Gordana Siljanovska-Davkova – 345.329 | 40,19%
    3. Stevçe Jakimovski – 7.836 | 0,91%
    4. Bujar Osmani – 115.374 | 13,43%
    5. Biljana Vankovska – 39.255 | 4,57%
    6. Arben Taravari – 81.105 | 9,44%
    7. Maksim Dimitrievski – 75.852 | 8,83%

    Gashi: Mundësia për rikthimin e rezultatit ekziston, më 8 maj fillojmë nga zero

    Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi ka reaguar në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve presidenciale, duke thënë “mundësia për rikthimin e rezultatit është jashtëzakonisht e madhe”.

    “Të dashur votues, aktivistë e mbështetës të koalicionit VLEN, ju faleminderit pafundësisht për mbështetjen”.

    “Ju jeni më meritorët për këtë fitore në votën shqiptare. Edhe ashtu për nga mandatet nuk kemi ndonjë dallim të theksuar, ndërsa mundësia për rikthimin e rezultatit është jashtëzakonisht e madhe”.

    “Më 8 maj ia fillojmë nga zeroja, me kuti të zbrazëta, dhe ne jemi të bindur se fitorja është e paevitueshme. Vazhdojmë drejt fitores. Ia VLEN”, ka shkruar Afrim Gashi./Nistori/

    Pendarovski: vazhdojmë garën, nesër fillojmë nga zero

    Kandidati i LSDM-së, Stevo pendarovski deklaroi se gara vazhdon dhe se që nesër do të filloj të prezantoj konceptin e tij.

    Ai në një deklaratë për media tha se nesër do të filloj nga zero. Ndërkohë që iu bëri thirrje të gjithë atyre që sot nuk e realizuan të drejtën e votës, atë ta bëjnë më 8 maj.

    “Fillojmë nga zero, fillojmë nga fillimi dhe në këto 20 ditë do të promovoj konceptin time në të cilin thellë besojë. Inkurajoj qytetarët të cilët sot nuk dolën në këtë raund të zgjedhjeve, i inkurajoj që të dalin dhe të votojnë më 8 maj, ku pres një jehonë dhe më të madhe të votuesve”, tha Pendarovski.

    Kasami: VLEN fitoi votat e shqiptarëve, më 8 maj do ta përmbysim rezultatin

    Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami në konferencë për shtyp, së bashku me liderët tjerë të Koalicionit VLEN, tha se ata janë fitues i votave shqiptare, ndërsa theksoi se BDI ka edhe votat e komuniteteve tjera, si dhe e akuzoi se ka blerë vota.

    “VLEN është përfaqësuesi i vetëm legjitim i shqiptarëve në këto zgjedhje dhe në qeverinë e ardhshme. BDI edhe me këto rezultate nuk nxjerr deputet shqiptar. BDI me këto zgjedhje humbi legjitimitetin politik të flasë në emër të shqiptarëve”, tha Kasami.

    Ai shtoi se në zgjedhjet e 8 majit do të fitojë VLEN dhe do të përmbysë rezultatin. “Edhe ky rezultat, po të përkthehet në mandate, është diferencë e vogël dhe me angazhimin e madh ne do ta ndryshojmë. BDI arriti ta shkatërroj mundësinë që presidenti i parë të zgjidhet tash në vitin 2024 në zgjedhjet e drejtpërdrejta, nëse pranonin të kemi një kandidaturë shqiptare”, tha Kasami./Nistori/

    Osmani shpall fitore: dallimi është mbi 40 mijë vota, Taravari ta pranojë humbjen

    Kandidati i “Frontit Europian” për president Bujar Osmani, ka shpallur fitore në zgjedhjet presidenciale të mbajtura sot.

    Ai tha se dallimi ndaj kundërkandidatit të tij Arben Taravari, është me mbi 40 mijë vota.

    Osmani e ftoi Taravarin që ta pranojë siç tha, humbjen dhe mesazhin nga populli. “Më lejoni që të shpall fitore me dallim të madh me mbi 40 mijë vota. Kemi fituar në çdo komunë të vendit. Kjo fitore është fitore e përbashkët dhe dëshmon se Fronti Europian është lokomitovë për të ardhmen evropian. Në emër të frontit iu falënderoj nga zemra. Vota juaj është detyrimi im. Dëshiroj t’i them diçka edhe kundërkandidatit tim Arben, patëm fushatë me dinjitet dhe duhet të pranohet humbja dhe fitorja, por edhe mesazhi që e dërguan shqiptarët dhe komunitetet tjera”, tha mes tjerash Osmani. /Nistori/

    Rezultatet tek kandidatët maqedonas, Siljanovska në epërsi me mbi 100 mijë vota ndaj Pendarovskit

    Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ka nisur të nxjerr rezultatet e para jo-zyrtare për zgjedhjet presidenciale në rrethin e parë.

    Sipas KSHZ-së, me 65% të votave të numëruara deri tani në nivel shtetëror, këto janë rezultatet e kandidatëve për president.

    1. Stevo Pendarovski – 110.108 | 18,93% 2. Gordana Siljanovska-Davkova – 224.044 | 38,51% 3. Stevçe Jakimovski – 5.341 | 0,92% 4. Bujar Osmani – 87.321 | 15,01% 5. Biljana Vankovska – 26.399 | 4,54% 6. Arben Taravari – 63.524 | 10,92% 7. Maksim Dimitrievski – 48.095 | 8,27%.

    KShZ publikon rezultatet e para në Çair me 86% të votave të numëruara

    Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KShZ) ka nisur të nxjerr rezultatet e para jo-zyrtare për zgjedhjet presidenciale në rrethin e parë.

    Sipas KSHZ-së, me 86% të votave të numëruara deri tani në Çair, këto janë rezultatet e kandidatëve për president. 1. Stevo Pendarovski – 1.597 | 6,88% 2. Gordana Siljanovska-Davkova – 2.577 | 11,10% 3. Stevçe Jakimovski – 63 | 0,27% 4. Bujar Osmani – 9.261 | 39,89% 5. Biljana Vankovska – 310 | 1,34% 6. Arben Taravari – 8.099 | 34,88% 7. Maksim Dimitrievski – 388 | 1,67%

    Kush po e merr Gostivarin?

    Në komunën e Gostivarit deri më tani janë numëruar 64.889 vota nga gjithësej 81.517 ose 79,60% të votave.

    Deri më tani prin Taravari me 7.778  vota ndaj Bujar Osmani me 7.575  vota.

    Likovë, Bujar Osmani prin ndaj Taravarit

    Në komunën e Likovës deri më tani janë numëruar 12611 vota nga gjithësej 26.024 ose 52.78% të votave.

    Deri më tani prin Bujar Osmani me 2683 vota, i dyti është Taravari me 1808 vota, Pendarovski me 41 vota.

    Rezultatet në Tetovë me 61 përqind të votave të numëruara

    Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KShZ) ka nisur të nxjerr rezultatet e para jo-zyrtare për zgjedhjet presidenciale në rrethin e parë.

    Sipas KSHZ-së, me 61% të votave të numëruara deri tani në Tetovë, këto janë rezultatet e kandidatëve për president. 1. Stevo Pendarovski – 1.049 | 4,27% 2. Gordana Siljanovska-Davkova – 2.913 | 11,85% 3. Stevçe Jakimovski – 42 | 0,17% 4. Bujar Osmani – 9.486 | 38,60% 5. Biljana Vankovska – 431 | 1,75% 6. Arben Taravari – 9.041 | 36,79% 7. Maksim Dimitrievski – 473 | 1,92%

    Numërohen 38% të votave, KShZ publikon rezultatet e para

    Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KShZ) ka nisur të nxjerr rezultatet e para jo-zyrtare për zgjedhjet presidenciale në rrethin e dytë.

    Sipas KSHZ-së, me 38% të votave të numëruara deri tani, këto janë rezultatet e kandidatëve për president. 1. Stevo Pendarovski – 55.209 | 17,34% 2. Gordana Siljanovska-Davkova – 112.580 | 35,37% 3. Stevçe Jakimovski – 2.912 | 0,91% 4. Bujar Osmani – 57.870 | 18,18% 5. Biljana Vankovska – 13.310 | 4,18% 6. Arben Taravari – 42.210 | 13,26% 7. Maksim Dimitrievski – 23.529 | 7,39%

    Sipas Listës Zgjedhore të mbyllur të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në vend janë regjistruar për të votuar 1.814.317 votues. Dalja në zgjedhje, sipas KSHZ-së deri në ora 18:30 ishte 48,46% apo 801.645 votues.

    VMRO: dallimi mes Siljanovskës dhe Pendarovskit do të jetë 2 me 1

    VMRO DPNE theksuan se edhe pse u regjistruan disa parregullsi këto zgjedhje ishin fer dhe demokratike dhe se qytetarët thanë se duan president që do të ketë kredibilitet. Ai vlerësoi se qytetarët dulën në numër të madh dhe se ndryshimi po vjen dhe se dallimi mes Siljanovkës dhe Pendarovskit do të jetë 2 me 1.

    Mucunski i VMRO-së: procesi zgjedhor ishte i drejtë me parregullsi të vogla

    Timço Mucunski nga VMRO-DPMNE mbajti konferencë për media ku iu drejtua qytetarëve menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor. Mucunski tha se kryesisht procesi zgjedhor u zhvillua në një atmosferë të drejtë dhe demokratike, me disa parregullsi.

    “Më lejoni të përgëzoj popullin maqedonas, qytetarët, për vetëdijen e lartë demokratike për pjesëmarrjen e madhe. Nga pikëpamja e procesit zgjedhor, ai u zhvillua në një atmosferë të drejtë dhe demokratike me parregullsi të vogla nga ana e partisë në pushtet. Vërehet presion mbi votuesit në një vendvotim në Saraj, një seli e improvizuar afër shkollës Goce Dellçev në Gostivar. Janë raportuar raste të votimit familjar dhe janë paralajmëruar nga zyrtarët. Në Kumanovë janë vërejtur parregullsi si mosfunksionimi i aparateve për gjurmë gishtash apo mungesë vule. Në një qendër votimi, pavarësisht mungesës së vulës, këshilli zgjedhor vendosi të vazhdojë votimin”, tha Mucunski.

    Prokuroria: Dita e zgjedhjeve ishte e qetë, nuk janë regjistruar incidente të rënda

    Prokuroria Publike e RMV-së ka dalë me njoftim në lidhje me procesin zgjedhor të ditës së sotme. Gjatë ditës së zgjedhjeve deri në mbylljen e vendvotimeve, në adresën elektronike të Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut [email protected] nuk është pranuar asnjë kallëzim për krim lidhur me zgjedhjet.

    “Sipas informacioneve të marra nga prokuroritë publike në mbarë vendin, dita e zgjedhjeve në rrethin e parë të zgjedhjeve për President të Republikës së Maqedonisë së Veriut ka kaluar në mënyrë të qetë dhe pa shqetësime të mëdha në procesin zgjedhor. Nuk u regjistruan incidente më të rënda që do të kishin karakteristikat e krimit kundër zgjedhjeve dhe votimit apo krime të tjera që do të rrezikonin procesin zgjedhor”.

    “Komisioni i Përkohshëm i Prokurorisë Publike për parregullsi të mundshme zgjedhore ka monitoruar rrjedhën e votimit dhe gjatë ditës janë organizuar punë të jashtëzakonshme në të gjitha prokuroritë themelore publike. Prokuroria Publike ka koordinuar me institucionet tjera përgjegjëse për monitorimin e procesit zgjedhor”.

    “Komisioni do të vazhdojë punën deri në përfundim të ciklit zgjedhor. Të gjitha dyshimet e mundshme për vepra penale që mund të prishin procesin zgjedhor do të hetohen dhe rastet do të kenë prioritet për veprim në prokuroritë publike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Llukarevska: Pendarovski shkon në raundin e dytë

    Nënkryetarja e LSDM-së Sanja Llukarevska në paraqitjen e saj të parë pas përfundimit të procesit zgjedhor tha se kandidati për president i LSDM-së, Stevo Pendarovsli do të shkoj në raund të dytë dhe do të grumbulloj numrin më të madh të votave, përfshi edhe të atyre kandidatëve që ndajnë vlera europiane e që nuk arritën të shkojnë në raund të dytë.

    “Falënderoj qytetarët që realizuan të drejtën e votës, në bazë të kësaj si shoqëri dëshmuam se kemi kapacitete demokratik për zgjedhje të lira dhe demokratike. Unë vetëm nga ju mediat i kam dëgjuar për disa parregullsi. Më vjen mirë që kishim numër të madh të votuesve dhe se qytetarët dëshirojnë vetë të vendosin për të ardhmen e tyre. Do të them se kandidati i LSDM-së do të jetë në raundin e dytë dhe se të gjithë ata që ndajnë vlerat evropiane do të na e japin mbështetjen, unë besoj se kandidati jonë do të fitoj numrin më të madh të votave gjatë raundit të dytë. Besoj se të gjithë kandidatët që ndajnë vlera evropiane dhe nuk kaluan në raundin e dytë, votën do t’ia japin kandidatit tonë”, tha Llukarevska./ Alsat

    Taravari: Tërmeti ndodhi sot, dridhjet do të ndihen më 8 maj

    Kandidati për president nga radhët e opozitës shqiptare, Arben Taravari tha se sot ka ndodhur një tërmet, që dëshmohet me pjesëmarrjen e madhe të votuesve, ndërsa sipas tij më 8 maj do të ndihen dridhjet.

    “Jemi te lumtur që kemi fituar votën e shqiptarëve. Ndryshimi ndodhet Brenda kutive të votimit. Këtë e dëshmon edhe jehona e madhe e votuesve. Vota e shqiptarëve nuk duhet të preket. Tërmeti nisi sot me pjesëmarrjen e madhe, ndërsa dridhjet e mëdha do të jenë më 8 maj, në zgjedhjet parlamentare”, tha Taravari. 

    Dhjetëra qytetarë kontaktuan Avokatin e Popullit për shkelje të të drejtës së votës

    Në linjën telefonike falas në zyrën e Avokatit të Popullit deri më tani kanë telefonuar dhjetëra qytetarë, të cilët janë ankuar se u është shkelur e drejta e votës.

    Avokati i Popullit do të marrë masa të menjëhershme për veprim efektiv, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të votës së qytetarëve.

    Përveç linjës telefonike falas, shkeljet e të drejtës së votës, qytetarët mund t’i raportojnë edhe personalisht në zyrën qendrore në Shkup.

    Shkeljet e të drejtës së votës mund të lajmërohen edhe në zyrat rajonale në Strumicë në tel. Nr.(045).228-586, Tetovë në tel. Nr (044) 344-082, Manastir në tel. Nr (047) 242-310, Shtip në tel. nr. (032) 389-701 dhe në Kumanovë në tel. nr (031) 431-488.

    Ndryshe, qytetarët e Maqedonisë së Veriut sot votojnë për presidentin e vendit. Kutitë e votimit janë hapur që në orën 7:00, ndërsa do të mbyllen në orën 19:00. Të drejtë vote kanë 1.814.317 persona ndërsa 1.713.758 votues janë të regjistruar për votim në 3.480 vendvotime në tërë vendin. Në garë janë 7 kandidatë, kurse këto janë zgjedhjet e shtata presidenciale.

    Votoi Taravari: shpresoj që zgjedhjet të jenë fer dhe demokratike

    Kryetari i Komunës së Gostivarit Arben Taravari, e ka realizuar të drejtën e votës në zgjedhjet presidenciale.

    Pas votimit, ai i ftoi qytetarët të realizojnë të drejtën e votës, duke shtuar se 8 maji do të jetë ditë më e rëndësishme.

    “Sot bashkë me familjen e bëmë obligimin tonë si qytetarë të këtij shteti. Porosia ime është që këto zgjedhje të kalojnë fer dhe të jenë demokratike dhe në fund sot është dita kur sovrani vendos kush do t’i fitojë zgjedhjet. Dhe kushdo qoftë që merr më shumë përkhrahje do ta urojmë. Shpresoj që 8 maji të jetë ditë më e rëndësishme se sot”,

    I pyetur nga Nistori për deklaratat e Bilall Kasamit, i cili tha se pushteti ka bërë veprime që janë në kundërshtim me procesin e lirë demokratike, Taravari tha se i di ato informacione dhe se i kanë paraqitur në institucionet e duhura.

    Ambasadat e huaja ndjekin procesin e votimit në Maqedoninë e Veriut

    Ambasada Amerikane në Shkup në një postim në rrjetet sociale thekson se janë duke ndjekur procesin e votimit për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut.

    Nga Ambasada Amerikane thonë se ekipet e ambasadave janë në të gjithë vendin për të vëzhguar procesin e votimit.

    “Ekipet e ambasadave janë sot në të gjithë vendin për të vëzhguar procesin e votimit. “Duke ju uruar qytetarëve ditën e zgjedhjeve dhe inkurajimin e të gjithëve që të përdorin të drejtën e tyre demokratike për të votuar”, thuhet në njoftim.

    Prokuroria me detaje për procesin zgjedhor, Bajrami: votimi po zhvillohet në mënyrë të rregullt

    Sipas informacioneve të marra nga prokuroritë publike në mbarë vendin, dita e sotme e zgjedhjeve, po kalon në mënyrë të qetë dhe pa shqetësime të mëdha të procesit zgjedhor deri në këtë moment, tha Xhelal Bajrami, kryetar i Komisionit të PPRMV-së.

    “Nga ngjarjet e raportuara gjatë ditës së djeshme është regjistruar rast në Dellçevë me urdhër të MPB-së për kontroll të dokumentacionit zyrtar në Dellçevë dhe Kamenicë të Maqedonisë për shkak të dyshimeve për një vepër penale – ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimi sipas nenit 162 të Kodit Penal. Dyshimet kishin të bënin me gjoja vendosjen e matësve të ujit për qytetarët e ndërmarrjeve publike pa para dhe për ryshfet gjatë zgjedhjeve. Në Radovish është njoftuar sot për një ngjarje në fshatin Buçim, kur një votues, para se ta hedhë fletën e votimit në kuti, ia ka treguar një vëzhguesi të një partie politike. Janë dhënë udhëzime për të verifikuar nëse ka elemente të veprës penale nga neni 160 i Kodit Penal – Shkelja e lirisë së përcaktimit të zgjedhësve”.

    “Megjithatë, bëhet fjalë për një numër jashtëzakonisht të vogël të ngjarjeve të tilla, kështu që mund të japim një vlerësim të përgjithshëm se i gjithë procesi zgjedhor deri në këtë pikë po kalon pa trazira të mëdha që do të përmbanin elemente të veprës penale. Kjo rrjedhë e procesit zgjedhor është pasqyruar edhe në e-mailin tonë [email protected], ku deri më sot nuk është regjistruar asnjë denoncim për krime lidhur me zgjedhjet”, u shpreh Bajrami.

    Jehona e votuesve deri në ora 13:00 është 26.35 përqind

    Jehona e votuesve në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, deri në ora 13:00, sipas të dhënave të përpunuara deri më tani të KSHZ-së, është rreth 26,35%, tha kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Aleksandar Dashtevski.

    Sipas tij, jehonë më të madhe deri në orën 13:00 ka në Novaci (42,87%), ndërsa më të ulët në Vrapçishtë (10,18%).

    Sipas të dhënave të KSHZ-së, dita e zgjedhjeve për momentin po kalon qetë dhe pa probleme të mëdha./Nistori/

    MPB për procesin zgjedhor: në Shkup është hedhur bombë tymuese, janë fotografuar fletëvotime, janë gjetur fletëpalosje në Çair

    Zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski, ka informuar për rrjedhën e procesit zgjedhor që nga hapja e vendvotimeve.

    “Që nga hapja e votimit në orën 7 nuk janë vërejtur probleme të mëdha. Dy fotografi të fletëve të votimit janë regjistruar në Shkup dhe Shtip. Në Radovish, një person ia tregoi fletën e votimit një vëzhguesi. Për të gjitha këto ngjarje janë marrë masa për zbardhjen e rastit”.

    “Në Çair janë vërejtur fletëpalosje në vetura të parkuara dhe janë regjistruar dy grafite. Në një vendvotim në Shkup, kreu i këshillit zgjedhor raportoi se u gjet një bombë tymi e shpërthyer”.

    “Apeloj qytetarët që gjatë votimit të përmbahen nga incidente dhe nëse ka konstatim për prishje të procesit zgjedhor të lajmërohen në stacionin më të afërt policor”, tha Angellovski.

    Voton Kasami: sot zgjidhet njeriu më i rëndësishëm i shtetit, qytetarët janë të vendosur për të bërë ndryshim

    Kryetari i Komunës së Tetovës njëherit edhe udhëheqës i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, sot ka votuar në zgjedhjet presidenciale.

    Pasi votoi, Kasami në një paraqitje para gazetarëve tha se “është koha për ndryshim dhe se qytetarët janë të pjekur mjaftueshëm për ta bërë këtë”, njofton Nistori.

    “Është dita më e rëndësishme për qytetarët, pasi po votojmë për presidentin e vendit, njeriun kryesor i cili duhet ta drejtojë vendin në periudhën e ardhshme. I cili uroj që do të jetë presidenti që do ta anëtaërsojë vendin në BE”.

    “Fushata e deritanishme ka qenë e qetë edhe pse ka pasur veprime të pushtetit të cilat kanë shkuar në kundërshtim me procesin e lirë zgjedhor, por pjekuria e qytetarëve ka treguar se tanimë ata nuk duan të jenë pjesë e skenarëve të pushtetit për të krijuar tensione.

    “Është koha e ndryshimit që ia vlen për t’u votuar dhe për të bërë ndryshimin, pasi pas 30 viteve qytetarët duhet të jenë pjesë e BE-së, që të mos na ikin qytetarët”, tha Kasami.

    Raportohet për transport të organizuar të votuesve në Kumanovë, policia heton rastin

    Në SPB Kumanovë ka denoncime anonime që persona të panjohur po organizojnë transport për votuesit nga shtëpitë e tyre në vendvotime.

    Sipas policisë, rasti është duke u hetuar dhe nëse vërtetohet mund të kualifikohet si vepër penale.

    Ndërkohë deri në këto momente nuk është raportuar për parregullsi të mëdha, ndërsa një vendvotim në Kumanovë ka pasur probleme me aparatet biometrike.

    Shefja e OSBE/ODIHR: dy vendvotimet që kam vizituar, gjithçka shkonte mirë

    Shefja e misionit vëzhgues të OSBE ODIHR, Jilian Stirk tha se deri tani ka vizituar dy vendvotime në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut.

    Ajo theksoi se ende është herët për të vlerësuar përfundimisht procesin zgjedhor.

    “Kam vizituar vetëm 2 vendvotime këtë mëngjes, gjithçka shkonte mirë atje, por siç e thash, këto janë vetëm 2 prej shumë vendvotimeve, kështu që nuk mund të japim ndonjë vlerësim përfundimtar deri në fund të ditës”, tha Stirk.

    Thaçi: pres që zgjedhjet të jenë të rregullta dhe demoratike

    Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi, e ka realizuar të drejtën e votës për zgjedhjet presidenciale.

    Pasi votoi, në një paraqitje para gazetarëve Thaçi tha se pret që zgjedhjet të jenë të rregullta dhe demokratike.

    “Kam besim se këto zgjedhje do të jenë të qeta dhe demokratike. Besoj se do ta plotësojmë edhe një kusht për integrimin në BE dhe shoqërinë e përparuar. Shpresoj në rezultat shumë të mirë të formacionit politik, mendoj se është mirë të gjithë investojmë që sa më shumë të ketë dalje në këto zgjedhje”, tha Thaçi.

    I pyetur nëse ka informacione për parregullsi, Thaçi shkurt u përgjigj: “jo nuk kam informacione të tilla”.

    Toshkovski: për momentin nuk ka asnjë shkelje të procesit zgjedhor

    “Gjendja e sigurisë është stabile. Nuk ka asnjë shqetësim në procesin zgjedhor. Nuk kemi vërejtur shqetësime më serioze në procesin zgjedhor”, deklaroi sot ministri teknik i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski.

    Pas votimit në Shkollën Fillore “Johan Heinrih Pestaloci” në komunën Qendër, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për përgatitjen e MPB-së, ai theksoi se në aspektin kualitativ dhe sasior shifrat janë ashtu siç duhet.

    “Të gjitha departamentet për punë të brendshme janë të mbuluara nga ana teknike dhe njerëzore. Ministria e Punëve të Brendshme vepron sipas planit dhe veprimit operativ, i cili si i tillë përcaktohet në kuadër të Shtabit Operativ. Gjithçka po shkon ashtu siç duhet”, theksoi Toshkovski.

    Votimi në Tetovë vijon pa parregullsi, deri në ora 09:00 kanë votuar 3.2% e qytetarëve

    Nazmi Dauti nga Komisioni Komunal Zgjedhor i Tetovës tha se nuk janë shfaqur parregullsi në 117 vendvotimet që janë në kuadër të këtij komisioni. Ai tha se qendrat janë hapur në kohë, ndërsa shtoi se nëse gjatë ditës qytetarët hasin në probleme teknike, do të intervenojnë menjëherë.

    “Të gjitha 117 vendvotimet që janë në kuadër të Komisionit Komunal Zgjedhor të Tetovës janë hapur në kohë, nuk kemi pasur asnjë problem të paraqitur nga ana e Këshillave Zgjedhor por edhe nëse paraqitet ndonjë problem teknik, ne si Komision Komunal Zgjedhor së bashku me persona të IT-së të angazhuar nga KSHZ do të intervenojmë”, tha Dauti

    Ai tha se deri në ora 09:00 në Tetovë kanë votuar 2300 qytetarë.

    “Nga 117 vendvotime në kuadër të KKZ të Tetovës, të drejtën e tyre të votës e kanë shfrytëzuar 2300 qytetarë, apo në përqindje i bie 3.2%”, tha Dauti.

    KShZ: 3.85 për qind është dalja deri në ora 09:00

    Komisioni Shtetëror Zgjedhor njofton se pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale deri orën 09:00 është 3.85 për qind, shkruan Telegrafi Maqedoni.

    Këtë e njoftoi kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski. Ai tha se të gjithë vendvotimet janë hapur në kohë dhe se procesi zgjedhor po zhvillohet pa probleme.

    Dashtevski tha se janë paraqitur probleme teknike në disa vendvotime, mirëpo brenda ditës do të eliminohen. Të drejtë vote në zgjedhjet presidenciale që mbahen sot kanë gjithsej 1.814.317 votues.

    907.159 vota nevojiten për fitoren e rrethit të parë, në të dytin 362.864

    Në vend sot po mbahet raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale. Të drejtë vote kanë 1.814.317, të cilët mund të zgjedhin mes shtatë kandidatëve Stevo Pendarovski, Gordana Siljanovska Davkova, Stevço Jakimovski, Bujar Osmani, Biljana Vankovska, Arben Taravari dhe Maksim Dimitrevski. Në raundin e parë fitues mund të jetë kandidati i cili ka fituar shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i votuesve, gjegjësisht 907.159 vota, përcjell Nistori.

    Sipas nenit 81 nga Kushtetuta, nëse në rrethin e parë askush nuk e merr shumicën e nevojshme, në rrethin e dytë shkojnë dy kandidatë që kanë fituar më shumë vota në rrethin e parë.

    Nëse edhe në raundin e dytë asnjëri prej dy kandidatëve nuk ka marrë numër të nevojshëm të votave, përsëritet e gjithë procedura zgjedhore.

    Presidenti i Republikës zgjidhet në zgjedhje të përgjithshme dhe të drejtpërdrejta, me votim të fshehtë, në kohëzgjatje prej pesë viteve. Për president të Republikës, personi i njëjtë mund të zgjidhet më së paku dy herë. Presidenti i Republikës duhet të jetë shtetas i Republikës së Maqedonisë.

    Për president të Republikës mund të zgjidhet personi i cili në ditën e zgjedhjeve ka të paktën 40 vjeç. Për president të Republikës nuk mund të zgjidhet personi i cili deri në ditën e zgjedhjeve nuk ka qenë banor i Republikës së Maqedonisë të paktën dhjetë vjet në 15 vitet e fundit. Përzgjedhja për president të Republikës kryhet në 60 ditët e fundit të mandatit të presidentit paraprak.

    Në këtë linjë telefonike raportoni shkeljet zgjedhore

    Në zyrën e Avokatit të Popullit, sot prej orës 07:00 deri në orën 19:00, në ditën e mbajtjes së rrethit të parë për zgjedhje të Presidentit të shtetit, qytetarët do të mund të paraqesin çfarëdo lloj shkelje të së drejtës zgjedhore në linjën telefonike pa pagesë 0800 54321.

    Siç njoftoi Avokati i Popullit, përveç linjës telefonike falas, qytetarët do të mund të raportojnë personalisht për shkeljen e të drejtës së votës në zyrën qendrore në Shkup, e cila ndodhet në rrugën “Maqedonia” nr.19, në objektin e “TD. Makosped” (përballë shtëpisë përkujtimore së Nënë Terezës).

    Shkeljet e të drejtës së votës mund të lajmërohen edhe në zyrat rajonale në Strumicë në tel. Nr.(045).228-586, Tetovë në tel. Nr (044) 344-082, Manastir në tel. Nr (047) 242-310, Shtip në tel. nr. (032) 389-701 dhe në Kumanovë në tel. nr. (031) 431-488.

    Avokati i Popullit njofton se me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të votimit të qytetarëve, do të marrë masa të menjëhershme për veprim efektiv nga organet kompetente në procesin zgjedhor dhe institucionet e tjera të cilat, thekson, janë të obliguara t’u ofrojnë mbrojtje qytetarëve për t’ju garantuar ushtrimin e të drejtës së votës.

    Sot në vend mbahen zgjedhjet e shtata presidenciale. Qytetarët do të mund të votojnë për njërin nga shtatë kandidatët: Stevo Pendarovski i mbështetur nga LSDM, Gordana Siljanovska Davkova e mbështetur nga VMRO-DPMNE, Stevço Jakimovski nga GROM, Biljana Vankovska e mbështetur nga e Majta, Bujar Osmani nga BDI, Arben Taravari nga koalicioni Vlen dhe Maksim Dimitrievski nga ZNAM, raporton Nistori.

    Sot raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, votohet në 3.480 vendvotime

    Votuesit sot do të vendosin cilët nga dy kandidatët do të hyjnë në rrethin e dytë që do të mbahet më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Sot deri në ora 19:00 heshtje zgjedhore.

    Gjithsej në Listën zgjedhore për këto zgjedhje janë regjistruar 1 814 317 votues me të drejtë vote, që votë votojnë në gjithsej 3 480 vendvotime.

    Në mënyrë teorike presidenti mund të zgjidhet edhe në rrethin e parë me atë kandidat i cili do të marrë shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i votave, përkatësisht 50% plus një, gjë për të cilën ekzistojnë gjasa të vogla posaçërisht në këto zgjedhje kur votohet për 7 kandidatë.

    Përzgjedhja e shefit të shtetit duhet të ndodh në rrethin e dytë kur do të vendoset për dy kandidatë të cilët në rrethin e parë kanë marrë më së shumti vota. Megjithatë edhe për përzgjedhjen e tyre nevojitet plotësimi i censusit, përkatësisht në zgjedhje të dalin më së paku 40% të votuesve të regjistruar.

    Rezultatet e zgjedhjeve nga rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale, KSHZ duhet t’i publikojë para mesnatës së 24 prillit.

    Gjithsej 942 mbikëqyrës, gazetarë të huaj dhe përkthyes janë akreditura për ndjekjen e zgjedhjeve presidenciale. Sipas informacioneve nga KSHZ zgjedhjet do t’i ndjekin 342 mbikëqyrës nga vendi dhe 568 mbikëqyrës të huaj, mes të cilëve pjesa më e madhe janë nga OBSE/ODIHR numri i të cilëve është 375.

    KShZ me udhëzime për zgjedhje, në 18 pika sqarohen mënyra dhe procesi i votimit në qendrat e votimit

    Udhëzimet e KShZ-së për votim në zgjedhjet presidenciale:

    – Votimi bëhet personalisht në qendrat e votimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në PDK/ZK.
    – Këshilli zgjedhor u shpjegon votuesve mënyrën e votimit dhe u mundëson atyre të votojnë.
    – Votuesi mund të paraqitet në qendrën e votimit vetëm një herë për të ushtruar të drejtën e tij të votimit.
    – Votuesi dorëzon dokumentin për identifikim personal – letërnjoftim të vlefshëm ose dokument udhëtimi, d.m.th. letërnjoftim ose dokument udhëtimi vlefshmëria e të cilave ka skaduar në periudhën nga 24 korrik 2023 deri më 24 prill 2024.

    – Votuesi vendos gjurmën e gishtit tregues të dorës së djathtë në pajisje për identifikim biometrik, dhe nëse votuesi nuk ka gishtin tregues të djathtë, një gjurmë gishti merret nga gishti tregues i dorës së majtë ose në rast se votuesit i mungojnë këto dy gishta merret një gjurmë e gishtit tjetër të dorës së djathtë.
    – Nëse votuesi nuk ka dy duar, futet në pajisjen teknike duke iu kërkuar numri amë i vetëm (NVAQ).
    – Nëse PIBV nuk mund të përputhet me gjurmët e gishtave nga gishtat e votuesit në listën zgjedhore elektronike, votuesi vendoset në PIBV përmes leximit të dokumenteve personale nga skaneri ose përmes numrit të vetmë amë (NVAQ) ndërsa pastaj votuesi i vendos gjurmët e gishtave në PIBV.

    – Pas vendosjes së identitetit, votuesi e vë nënshkrimin e tij në nxjerrjen e listës zgjedhore.
    – Fleta e votimit e grisur nga koçani sipas rendit numerik, duhet të vuloset në anën e përparme në vendin e caktuar për vulë dhe më pas i jepet votuesit.
    – Votuesi merr një fletëvotim.
    – Votuesi voton i vetëm, në fshehtësi pas paravanit votues.
    – Votuesi votimin e kryen në atë mënyrë që e rrethon numrin para emrit në listën me stilolaps në ngjyrë të kaltër.
    – Fletën e votimit të palosur votuesi e vendos në kutinë e votimit.
    – Votuesi e merr dokumentin për identifikim personal.
    – Votuesi që ka paaftësi fizike ose nuk di të shkruajë dhe për rrjedhojë nuk mund të votojë në mënyrën e përcaktuar në Kodin Zgjedhor, ka të drejtë të marrë me vete një person që do ta ndihmojë gjatë votimit. Nëse ai nuk sjell me vete një person që do ta ndihmojë në votim, atëherë këshilli zgjedhor do të caktojë një person tjetër nga radhët e votuesve. Personi nuk duhet të ndikojë në vendimin e votuesit.
    – Ndalohet votimi familjar dhe në grup, si dhe votimi për një person tjetër.
    – Ndalohet fotografimi i fletës së votimit me celular ose aparat fotografik.

    Mund të votohet edhe me dokumente që u ka kaluar afati

    Sipas dispozitës kalimtare të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, e cila do të zbatohet vetëm për zgjedhjet e këtij viti, votuesit do të mund të votojnë me letërnjoftim ose dokument udhëtimi të cilit i ka skaduar vlefshmëria 9-muaj para datës së zgjedhjeve.

    Në zgjedhjet presidenciale sot do të mund të votojnë shtetasit të cilëve dokumentet personale të cilëve u ka skaduar afati prej datës 24 korrik 2023 deri më 24 prill për çfarëdo arsye, sipas ligjit apo afatit të vlefshmërisë.

    Kjo dispozitë e Kodit Zgjedhor është pjesë përbërëse e Udhëzimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për mënyrën e përcaktimit të identitetit të zgjedhësve.

    E njëjta dispozitë do të zbatohet edhe për zgjedhjet parlamentare, pasi do të mund të votojnë shtetasit të cilëve u ka skaduar dokumenti personal për çfarëdo arsye, në bazë të ligjit ose për shkak të periudhës së vlefshmërisë nga data 8 gusht 2023 deri në ditën e zgjedhjeve, 8 maj.

    Më 7 mars, në kuadër të seancës së 147-të, Kuvendi miratoi me procedurë të shkurtuar pa diskutim ndryshimet dhe shtesat në Kodin Zgjedhor. Siç shpjeguan propozuesit, qëllimi i këtyre ndryshimeve ishte përpunimi i kuadrit ligjor ekzistues dhe përshtatja e dispozitave të zgjidhjes ligjore ekzistuese në drejtim të një procesi zgjedhor gjithëpërfshirës për të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje.

    Dashtevski: Votimi kaloi qetë / Dje votoi diaspora, të sëmurët, dhe të burgosurit në shtëpitë ndëshkuese-përmirësuese dhe personat në arrest, në azilet e pleqve

    Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Aleksandar Dashtevski, sonte në mbrëmje ka njoftuar se ka kaluar e qetë dita e djeshme e zgjedhjeve për zgjedhjet presidenciale, në të cilën kanë votuar të sëmurët dhe të burgosurit në shtëpitë ndëshkuese-përmirësuese dhe personat në arrest, në azilet e pleqve dhe qytetarët tanë jashtë vendit. Informoi se kanë pasur vështirësi në disa zona malore për shkak të reshjeve të borës.

    “Dita e votimit sot (04.23.2024) kaloi e qetë. Janë hapur të gjitha qendrat e votimit. Në disa zona malore kishte disa vështirësi sepse askush nuk e priste që sot (04.23.2024) do të ishte një ditë kaq e keqe, se do të ishte kaq ftohtë, shi, pastaj në zonat malore dhe borë. Por të gjitha vendet u hapën dhe të gjitha këto kategori që duhej të votonin sot (04.23.2024) votuan”, theksoi Dashtevski në paraqitjen e sontme në TV Sitel.

    Dashtevski informoi se deri në orën 17:00 kanë votuar gjithsej 6.953 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm. Thrksoi se në SHNP kanë votuar 2.147 persona dhe në qendra të posaçme për përkujdesje jashtëfamiljare 534 persona. Ai theksoi se të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar dy persona të zhvendosur.

    Dashtevski informoi se deri në orën 17 dalja e qytetarëve tanë në diasporë është më shumë se 50 për qind.

    “Më shumë se 50 për qind, le të themi përafërsisht, kanë votuar. Tashmë në orën 19:00 ka mbaruar votimi gjithandej, sepse bëhet fjalë për një numër të vogël votuesish që kanë votuar në ato vende, në diasporë ka pasur 12 vende, si për shembill në Dubai, Pekin etj. 12 votues që votuan. Në Vjenë kanë votuar 123 persona, 93 në Bruksel, 22 në Sofje, 87 në Zagreb, 260 në Berlin. Në Gjermani kanë votuar pothuajse të gjithë sepse votimi bëhet në Berlin, Bon, Munih, që do të thotë tre vende ku votuesit mund të ushtrojnë të drejtën e tyre, ndërsa janë regjistruar përafërsisht 570 – 580 votues, ku më së shumti e kanë realizuar të drejtën e tyre”, tha Dashtevski.

    Kryetari i KSHZ-së theksoi se pas zgjedhjeve në këtë vend duhet të shqyrtohet çështja e ndryshimit të sistemit të votimit në diasporë.

    “Pas zgjedhjeve duhet të mendojmë për ndryshimin e atij sistemi për diasporën, sepse edhe ata duhet të kenë një përfaqësues, por shohim që në këtë mënyrë për disa cikle jo vetëm që nuk e bëjnë dot, por nuk realizohet as votimi, e jo më të flasim për zgjedhjet presidenciale ku janë regjistruar rreth 2.400, e jo më të flasim për zgjedhje parlamentare ku nuk do të ketë as votim sepse nuk janë regjistruar votues të mjaftueshëm. Kështu që, shteti shpenzon shumë para dhe nuk ka asnjë përfitim apo rezultat nga votimi në diasporë…”, deklaroi Dashtevski.

    Ai theksoi se të gjitha aktivitetet për nesër që ishin paraparë në orar kanë përfunduar. Ai pret që nesër të përfundojë me sukses dita e votimit. Sa i përket KSHZ-së, theksoi ai, gjithçka është e organizuar në nivelin më të lartë.

    Dashtevski u dërgoi mesazh pjesëmarrësve në procesin zgjedhor që të respektojnë rregullat e Kodit që e kanë nënshkruar dhe që zgjedhjet të jenë të rregullta, të lira, të drejta dhe demokratike, se nuk ka gjuhë urrejtjeje dhe diskriminim të çfarëdo lloji dhe të mos ketë diskriminim të veçantë ndaj grave. Ai u bën apel të gjithë qytetarëve që nesër të dalin dhe të ushtrojnë në mënyrë dinjitoze të drejtën e votës, të garantuar me Kushtetutë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Si shpërndahen deputetët në Maqedoni, çfarë parasheh Formula e D’Hondt-it

    Lajmi i rradhës

    Në këtë linjë telefonike raportoni shkeljet zgjedhore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë