Qytetarët e Tetovës ankohen për ajër të ndotur, Ministria e Ekologjisë mohon një gjë të tillë

    Fotografia: Nistori

    Pas zjarrit dhe tymit të zi që mbuloi Tetovën, ajri është shumë më i ndotur se një ditë më parë. Ndotja në mëngjes tejkaloi për rreth 20 për qind normën e lejuar të ndotjes, ndërsa gjatë ditës vazhdimisht ka shënuar rritje. Ndërkohë nga Ministria e Ekologjisë këmbëngulin se ajri nuk është i ndotur.

    “E rëndësishme është që të dinë edhe qytetarët se vlerat në cilësinë e ajrit tani për tani janë brenda normales, por do jemi në koordinim me kreun e komunës për të informuar qytetarët nëse ka ndryshim në vlerat e ajrit”, deklaroi Naser Nuredini, ministër i Ekologjisë.

    Ndryshe nga Nuredini, banorët ankohen për frymëmarrje të rënduar dhe aromë të keqe në gjithë qytetin.

    “Shumë, shumë ndjehet, shumë e dëmshme është kjo por çka të bëjmë, kjo është. Unë si e kam problemin me hundët e ndjej shumë ka ndotje. Maska duhet me mbajt por shumë ndotje ndjehet, kot edhe maska është”.
    “Ndjehet ndotja por çka të bëjmë, është ndotja edhe sot. Unë e ndjej, ndotjen”.

    “Shumë shumë i ndotur sot ajri, po ja mbaj maskën dhe aq, ndotje ndjehet”.

    “Më i ndotur nuk ka ku shkon më, djeg fyti. Thonë mirë ata që rrinë nëpër zyra por ne që dalim jashtë e ndjejmë”.

    Kanë reaguar edhe nga Eko Guerilla. Kërkojnë që urgjentisht komuna të angazhohet në pastrimin e rrugëve.

    “Më tepër se skandaloze është kjo. Kemi të bëjmë me institucione komplet pa përgjegjësi. Dhe kjo vjen si pasojë e pandëshkueshmërisë. Tetova dje përjetoi një katastrofë të madhe ekologjike, po tetovarët si duket po bëhen imun ndaj zjarreve. Nuk reagohet si duhet. Këtu duhet bë një plan emergjence të gjendjes së jashtëzakonshme, se Tetova s`ka asnjë cisternë për larje rrugësh, dhe duhet të sillen cisterna nga e gjithë Maqedonia dhe të bëhet një pastrim gjeneral i rrugëve me pluhur që më shumë thithen nga fëmijët. Djega e stiroporit lëshon materie me pasoja edhe kancerogjene. E habitshme se si në këtë mënyrë tentojnë ta relativizojnjë këtë, në gjendje normale, qyteti do duhej të evakuohej”, tha Ngadhnjim Memeti, Eko Guerilla.

    Një ditë më parë zjarrfikësit luftuan me orë të tëra për shuarjen e zjarrit në ish fabrikën e duhanit në Tetovë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Autoriteti dhe dhuna brenda piramidës së Policisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë