Autoriteti dhe dhuna brenda piramidës së Policisë

    PËLLUMB NAKO 

    Një polic i ri, me eksperi encë pune një apo dyvjeçare, vrau me armën e shërbimit një kolegun e tij më të moshuar. Natyrshëm pasoi dhe zhurma. Disa me komente për të riun duke theksuar mungesën e përgatitjes psikologjike për brezin e tij, të tjerë me komente “patronazhistësh”.

    Ndërkohë, po në ato ditë me këtë ngjarje të rëndë, një polic tjetër, këtë radhe me eksperiencë pune 20-vjeçare, e zbraz pistoletën mbi një qytetar, në mënyrë po aq kriminale sa i riu. Pra, dy personazhe me dy përvoja të ndryshme dhe me veprime të njëjta, tregojnë qartë që problemi për ngjarje të tilla të rënda i ka rrënjët brenda trupit të organizatës së Policisë.

    Problematika nuk është as çështje të rinjsh apo brezash, as dhe e sotme. Ngjarja është shprehje ekstreme e akumulimit të shumë ngarkesave dhe presioneve negative nga hierarkia mbi shpatullat e çdo punonjësi Policie. Shkaqet janë nga më të ndryshmet dhe të shumta. Por të gjitha fillojnë me mahisjen e plagëve të lidhura me vetë thelbin e organizimit policor të ndërtuar piramidë, të bazuar mbi autoritetin hierarkik dhe urdhrin. Me rreth 13 mijë punonjës, që të mbahet në këmbë, kësaj organizate i nevojitet që çdo drejtues të gëzojë patjetër edhe autoritet legjitim.

    Tronditja e autoritetit hierarkik nga vartësit shkakton automatikisht tronditje të tërë piramidës. Këtu, pra, fillojnë edhe rrënjët e problemeve të saj. Nëse do të bënim një krahasim me realitetin jashtë Policisë, do të kishim më shumë menaxherë se çdo biznes apo qendër administrative në vend. Pra, drejtuesit e Policisë në tërësi kanë më shumë punonjës në vartësi se pjesa dërrmuese e bizneseve apo e administratës dhe përgatitjen më të diskutueshme për t’i menaxhuar. Tashmë që në kohën kur sociologu Maks Weber shkruan për autoritetin si koncept, kuptohet se drejtuesit e shumtë të disa niveleve policore, autoritetin e kanë legjitim.

    Kjo, sepse ai bazohet mbi ligjin për Policinë, te rregulloret dhe procedurat standarde, me të cilat operon Policia. Sipas Weberit, në një kontekst të tillë, kemi të bëjmë me një autoritet të arsyeshëm ligjor. Kjo do të thotë se në parim, funksionimi i Policisë si një ansambël i vetëm buron nga autoriteti i arsyeshëm ligjor i drejtuesve të saj, bazuar mbi rregulla dhe ligje, por me kushtin që ushtruesit e tij, të jenë të shkëputur nga sjelljet arbitrare dhe praktikat profesionale të dyshimta. Pikërisht në këtë drejtim ngatërrohen rregullisht drejtuesit e Policisë sonë.

    Nga njëra anë konceptimi i autoritetit si burokraci strikte e zbatimit të rregullave dhe ku funksionimi formal i institucionit është më i rëndësishëm se ai funksional, e kthen drejtuesin në njeri jo human dhe të rëndë. Shembulli më karikatural në këtë kontekst mbetet mbyllja e derës çdo mëngjes për të lënë jashtë ata që vijnë qoftë edhe disa minuta me vonesë, prerja e rrogës në raste të tilla, ndëshkime, kërcënime, raportimet e fshehta se kush doli për kafe dhe me kë doli e banalitetet të tilla. Secili prej punonjësve has thuajse për ditë në sjellje të tilla.

    Më shumë preferohet ndëshkimi i shkeljeve sesa krijimi i kushteve për të mos i bërë këto shkelje. Nga ana tjetër, drejtuesit policorë nuk i kushtojnë fare rëndësi kushtit të Weberit për të eliminuar arbitraritetin dhe çdo gjë të dyshimtë profesionale si kusht që autoriteti i tyre të jetë vërtet ligjor dhe i pranuar vullnetarisht nga vartësit. Kjo bën që urdhri arbitrar, bullizimi sistematik i vartësve, sidomos i kolegeve femra, dhuna verbale, padrejtësia arrogante, favorizime të dukshme dhe po aq të detyruara që karakterizojnë në përgjithësi drejtuesit e niveleve të ndryshme të Policisë, bëjnë që të ndodhin edhe përplasje me vartësit, të cilat shpesh lihen pas dore për të shpërthyer një ditë deri në tragjedi me përmasa si ato që ndodhën në Komisariatin e Policisë Nr.3. Në thelb, shumica e drejtuesve të Policisë nuk e ka fare të qartë se autoriteti i tyre mbi vartësit rrjedh vetëm nga ligji i Policisë dhe nga rregulloret e organizimit dhe të funksionimit të saj dhe jo nga dëshirat e tyre personale.

    Përveç faktorëve të mësipërm të motiveve për përplasjet epror-vartës, të cilat në tërësi janë probleme të kulturës së urdhrit, ka edhe deformime më të rënda, që me shumë gjasa përmblidhen të materializuara në rastin e vrasjes në Komisariatin Nr 3. Në administratën shqiptare në përgjithësi dhe në atë të Policisë po ashtu, ekziston një traditë, mjaft negative, por që haset rëndom. Ndodh që shpesh autoriteti legjitim i një drejtuesi të lartë, të jetë më i dobët dhe i vënë në pikëpyetje nga një apo disa vartës. Këta të fundit gëzojnë autoritet më shumë se eprori i tyre, jo për arsye aftësish, por për shkak të traditës së mbrapshtë kombëtare të lidhjeve të fuqishme sociale e politike që mund të ketë një punonjës Policie jashtë ose dhe brenda radhëve të saj. Kjo gangrenë tradicionale e vetëshkatërrimit tonë krijon situata të tilla cinike, saqë në të njëjtën zyrë Policie një individ mund të mos vijë fare në punë dhe askush nuk “i bie në qafë” sepse ka lidhje të forta.

    Tjetri punon non stop dhe me frikë në zemër, por i duket normale që kolegu nuk vjen fare në punë. Një të tretë e ruajnë me kandil ku vajti dhe ku nuk vajti, kur dhe me kë e piu kafenë duke i kujtuar në çdo sekondë rregulloren si dhe duke i dhënë detyra për të zgjidhur në minutat e fundit të mbylljes së orarit zyrtar. (Gjetjet e shefave “për të të nxirë jetën” janë pa fund). Autoriteti ligjor i eprorit peshon në bazë të fuqisë që ka ai për të lëvizur ose jo vartësin nga posti. Ndaj dhe sot, për të mos pohuar gjëra për të cilat nuk ka deklarime publike, po mjaftohemi me pyetjen e thjeshtë: Ka punonjës Policie, të cilët hierarkia nuk i kontrollon dhe nuk i përjashton dot nga radhët e Policisë? Për të mos folur për ndërprerjen e testimit të drogës. Në koncept, autoriteti tradicional përafrohet me atë të shpjeguar nga Maks Weberi në vitet 20 të shekullit të shkuar. Por ndërsa ai bën fjalë për disa tradita, të cilat për shkak të pozivitivitetit të tyre dhe konsensusit të gjerë që gjejnë, kthehen në legjitime, të lidhura ngushtë me karizmën personale si burim autoriteti social, në rastin tonë autoriteti i bazuar në trashëgiminë tradicionale ka më shumë fuqi dhe është negativ.

    Te koncepti i Weberit bëhet fjalë për fenomene si p.sh., një oficer epror me gradë modeste ka më shumë autoritet sesa një tjetër me gradë edhe më të lartë sepse konsiderohet nga vartësit si mishërues i vlerave më të mira të organizatës policore. Në Komisariatin Nr.3 nuk ndodhi kështu. Ashtu si gjithë administrata shqiptare, edhe Policia nuk ka sesi të jetë ndryshe kur është pjesë e një shoqërie gjysmë të civilizuar, në të cilën e drejta zakonore përzihet dhe bie në kundërshtim me të drejtën ligjore, ku lidhjet sociale private janë aq shumë të forta sa që ende qëndrojnë në themel të ndërtimit dhe menaxhimit të institucioneve publike. Si ilustrim mund të marrim një rast në Afrikë dhe një në vendin tonë.

    Një delegacion ushtarak nga Europa donte të shiste një sasi armatimi të një vendi në Afrikën Perëndimore. Pasi konsultuan hierarkinë ligjore të ushtrisë së vendit afrikan, delegacioni u nis për të takuar një kolonel. Kur mbërritën në vend, ata u këshilluan nga disa persona që të mos takojnë kolonelin, por një kapiten, i cili kishte më shumë autoritet se koloneli sepse ishte i afërm e presidentit të vendit. Kështu u veprua dhe shitja u krye. Kurse në një Komision Parlamentar të vendit tonë, një punonjëse e lartë e administratës prezantoi një qëndrim tepër arrogant dhe sfidues ndaj një përfaqësuesi të popullit, në vend t’i jepte shpjegime, sepse kishte mbrojtje sociale nga lart. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Në kërkim të Presidentit të paracaktuar

    Lajmi i rradhës

    Qytetarët e Tetovës ankohen për ajër të ndotur, Ministria e Ekologjisë mohon një gjë të tillë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë