Rama mbron “Ballkanin e Hapur”

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se thelbi i nismës “Ballkani i Hapur”, është zgjerimi i ekonomive të shteteve rajonale. Ai ka thënë se nga 1 janari i vitit 2022, do të fillojë lehtësimi i qarkullimit të mallrave në kufijtë e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

    Në takimin në Beograd të Serbisë në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, Rama paralajmëroi një takim të radhës në muajin dhjetor në Tiranë, derisa kritikoi Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjën për refuzimin për t’iu bashkuar kësaj iniciative. Arsyet e tyre i konsideroi si arsye të mos arsyes.

    Në një konferencë të përbashkët për medie me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq dhe zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov, kreu i qeverisë shqiptare megjithatë, i bëri ftesë tri vendeve që të bashkëngjitën “Ballkanit të Hapur”.

    “Për gjithë ata që nuk e kuptojnë, ose bëjnë sikur nuk duan të kuptojnë, ose edhe nuk e kuptojnë. Ballkani i hapur është i hapur është gjithëpërfshirës dhe është i të gjithëve. Nuk është vetëm i Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Por as Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut që kanë vendosur të ecin më shpejtë nuk do të presin që të binden gjithë të tjerët. Arsyet pse të tjerët janë skeptik ose refuzues i kam dëgjuar, i kam dëgjuar arsyet e Malit të Zi, Bosnjës dhe i kam dëgjuar me shumë vëmendje edhe arsyet e Kosovës. Më vjen shumë keq, por i konsiderojë arsye të mos arsyes… Të tre vendet pa dallim janë të ftuara të vijnë të punojnë bashkë me ne për njerëzit e tyre. Pastaj çështja e mos dakordësinë e ka dialogun e vet dhe rrugën e vet. Ama nëse të 6 vendet marrin pjesë edhe për Kosovën dhe Bosnjën do të jetë shumë më mirë atmosfera për të trajtuar edhe çështje tjera”, tha ai.

    Duke argumentuar për “Ballkanin e Hapur”, Rama lavdëroi edhe Serbinë për thithjen e investimeve të huaja direkte.

    “Thelbi i kësaj nisme është si të zgjerojmë ekonomitë tona, si të zgjerojmë tregjet tona që mbeten tregje të vogla, por nëse integrohen me njëra tjetrën, atëherë kthehen në një treg të rëndësishëm jo vetëm për aktorët tanë të tregut. Por edhe investimet e huaja direkt në këtë zonë. Gjithmonë e më tepër po del në pah, po kjo shihet edhe në Serbi, që ka bërë një hap të madh përpara në thithjen e investimeve të huaja direkt që kjo ka një kufi që lidhet me hapësirën e shfrytëzimit të tregut. Për të përfituar më shumë investime të huaja direkt që sjellin punësim cilësor duhet të ofrojmë një hapësirë më të gjerë. Më vjen shumë mirë sot se na u dha mundësia të ballafaqohemi direkt me sipërmarrësit, distributorët nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut dhe me problemet e tyre reale. Të gjithë njëzëri në mbështetje të Ballkanit të Hapur kërkuan që ajo që nënshkruajmë të përkthehet në një realitet të prekshëm për ta”, shtoi ai.

    Ai tha se takimi i radhës në muajin dhjetor në Tiranë do të jap rezultate konkrete. Sipas tij, do të jenë vet kompanitë e tri vendeve refuzuese të “Ballkanit të Hapur”, që do të përfshihet në rrjetin e lëvizjes që do të krijohet nga kjo nismë.

    “Gjatë 8 muajve të fundit fluksi i turistëve në Shqipëri nga Serbia është rritur për 63 për qind. Fluksi i turistëve në Shqipëri nga Maqedonia e Veriut është rritur 23 për qind. Janë shifra që janë rezultat i drejtpërdrejtë në ekonomi… Në dhjetor në Tiranë jemi të angazhuar që të japin rezultate konkret, nga janari në kufijtë e vendeve të fillojë një relaksim për kompanitë, distributorët dhe fermerët. Ballkani i Hapur pa asnjë diskutim është një nismë në shërbim të njerëzve, mirëqenies ekonomike, shoqërore të këtyre popujve që përtej gjitha problematikave dhe mos dakordësive meritojnë të jetojnë më mirë. Të kenë një hapësirë më të madhe në favor të mirëqenies së tyre”, theksoi Rama.

    Lajmi Paraprak

    Nikolo Barella mbetet në Inter deri në 2026

    Lajmi i rradhës

    Kjo është puna më e paguar në Kosovë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë