Besimtarët myslimanë në Maqedoninë e Veriut do të nisin agjërimin e muajit të shenjtë të Ramazanit të enjten, (19 shkurt 2026), ka njoftuar Bashkësia Fetare Islame.
Nata e parë e namazit të teravisë do të falet të mërkurën mbrëmaz, më 18 shkurt.
Sipas njoftimeve nga myftinitë e Shkup dhe Tetovë, është vendosur që gjatë këtij Ramazani namazi i teravisë të falet dy orë pas thirrjes së ezanit të akshamit, përkatësisht pas iftarit. Ky vendim është marrë me qëllim që besimtarëve t’u lihet kohë e mjaftueshme për iftar dhe përgatitje para faljes së namazit të natës.
Ramazani konsiderohet muaji më i shenjtë në kalendarin Islam, gjatë të cilit besimtarët agjërojnë nga agimi deri në perëndim të diellit, duke u përkushtuar në lutje, reflektim dhe vepra bamirësie.






