Raporti i KE: RMV nuk ka shënuar përparim në sferën e mjedisit jetësor dhe ndryshimeve klimatike

    *Foto nga arkivi

    Në fushën e mjedisit jetësor dhe ndryshimeve klimatike, Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të kufizuar, por rekomandimet e vitit të kaluar u përmbushën pjesërisht, përfundoi Komisioni Evropian (KE) në raportin e progresit të vendit për vitin 2023 dhe inkurajon që të ndërmerren hapat e mëtejshëm drejt tranzicionit të gjelbër, veçanërisht në kuadër të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, shkruan AIM, përcjell Nistori.

    Në Raportin rekomandohet të forcohet implementimi i të gjithë sektorëve për të qenë në rrjedhë me zhvillimin e së drejtës së BE-së, e në vitin e ardhshëm, vendi duhet të zbatojë masa konkrete për të ulur ndotjen e ajrit në nivel lokal dhe kombëtar, për të zvogëluar ndotjen e burimeve të ujërave të ëmbla dhe për të operacionalizuar sistemin rajonal të menaxhimit të mbeturinave në rajonet lindore dhe verilindore. Në të njëjtën kohë, rekomandohet zbatimi i Marrëveshjes së Parisit, duke përfshirë miratimin e Ligjit të klimës dhe Planit kombëtar për adaptim. Rekomandohet gjithashtu forcimi i ndjeshëm i kapaciteteve administrative dhe inspektuese dhe zbatimi i reformave strukturore në të gjithë sektorët në fushën e mjedisit jetësor dhe ndryshimeve klimatike.

    “Sa i përket legjislacionit horizontal në fushën e mjedisit jetësor, puna duhet të intensifikohet për të arritur pajtueshmërinë e plotë me direktivat për vlerësimin e ndikimit në mjedisin jetësor dhe vlerësimin strategjik të mjedisit jetësor. Kjo ndikon negativisht në të gjithë sektorët e tjerë mjedisorë, investimet në infrastrukturë dhe pjesëmarrjen dhe perceptimin e përgjithshëm të opinionit”, thuhet në raportin.

    Ligji për mjedisin jetësor, shtoi ai, u ndryshua në korrik të vitit 2022 në mënyrë që të vendosë ndalimin e ndërtimit/rindërtimit të instalimeve të reja për industritë e rënda dhe ndotëse në më pak se pesë kilometra nga një vendbanim ose zonë e mbrojtur.

    “Toka ende nuk është harmonizuar me Direktivën e përgjegjësisë ekologjike dhe Direktivën e krimit ekologjik. Mungesa e stafit të specializuar dhe kapaciteti i dobët institucional dhe administrativ minojnë kontrollin e cilësisë dhe performancën e vlerësimeve të ndikimit në mjedisin jetësor”, thuhet në raportin.

    Derisa ndotja e ajrit mbetet shqetësim kryesor në qytetet e mëdha, siç thuhet, është bërë përparim i kufizuar në monitorimin e cilësisë së ajrit.

    “Rrjeti i automatizuar i monitorimit vazhdoi të mirëmbahet dhe u përmirësua me stacion të ri që vepron në Ohër. Në vitin 2022, u finalizuan kadastrat e emetimit ajror për Kërçovë, Koçanë, Shtip, Kavadar, Gjevgjeli dhe Prilep, ndërsa ato për Veles, Tetovë, Gostivar dhe Strugë janë ende në përpilim e sipër. Planet e cilësisë së ajrit u aprovuan për Komunën e Gostivarit në shkurt të vitit 2023 dhe për Komunën e Kumanovës në dhjetor të vitit 2022, konstatohet në raportin.

    Në fushën e menaxhimit të mbeturinave, theksohet se procesi i mbylljes së deponive jo standarde është duke u zhvilluar dhe se përdorimi i qeseve plastike është zvogëluar.

    “Në shtator të vitit 2022, u aprovua Plani i parë kombëtar i parandalimit të mbeturinave (2022-2028), me të cilin përcaktohen politikat rregullatore dhe masat praktike që duhet të ndërmerren nga aktorë të ndryshëm në sektorin publik dhe privat. Procesi për mbylljen e deponive jostandarde në rajonet lindore është në rrjedhë. Përdorimi i qeseve plastike është ulur për 80 për qind që kur është vendosur ndalimi i tyre deri në fund të vitit 2021. Sistemi i vendosur nga operatorët kolektivë për skemën e përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit (IPR) që përfshin shërbimet publike dhe operatorët privatë të licencuar posaçërisht për mbledhjen e plastikës, letrës dhe qelqit nga amvisëritë dhe bizneset është funksional, por kapaciteti është i kufizuar”, thuhet në raportin, duke shtuar se janë iniciuar aktivitete për të përmirësuar më tej sistemin për IPR.

    Theksohet se implementimi mbetet një sfidë e rëndësishme në sektorin e menaxhimit të mbeturinave.

    “Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë përpjekjet e saj për të harmonizuar legjislacionin kombëtar me drejtën e BE-së për menaxhimin e cilësisë së ujërave. Në shkurt të vitit 2023, u miratua programi i menaxhimit të ujërave për vitin 2023 për projektimin dhe ndërtimin e objekteve të reja dhe mirëmbajtjen dhe përmirësimin e objekteve ekzistuese publike për furnizimin me ujë dhe rregullimin e rrjedhave ujore. Korniza juridike dhe politike për menaxhimin e integruar të ujërave në përputhje me Akiton për ujërat në masë të madhe është vendosur. Megjithatë, ritmi i ngadaltë i implementimit dhe zbatimit është dobësi e madhe, sistemore”, konstatohet në raportin, duke shtuar se është bërë përparim në rritjen e nivelit shumë të ulët të financimit.

    Sfida kryesore, siç theksohet, mbetet mungesa e financimit të qëndrueshëm dhe kapacitetit administrativ për menaxhimin e zonave të mbrojtura.

    “Aktiviteti për identifikimin e lokaliteteve potenciale vazhduan në të gjithë vendin. U ndërmorën hapat fillestarë për të digjitalizuar sistemin e dhënies së lejeve, për promovimin e shkëmbimit të informacioneve dhe për bashkëpunimin për të lehtësuar implementimin. Progres është arritur në bashkëpunimin ndërkufitar për mbrojtjen e Liqenit të Prespës gjatë takimeve të Komitetit për menaxhimin e parkut Prespa dhe Grupit punues për menaxhimin e ujërave. Rekomandimet e UNESKO-s për trashëgiminë natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit mbeten të pamjaftueshme. Sekretariati i Konventës së Bernës kreu mision në lidhje me dosjen e hapur “Ndikimet e pretenduara negative në Liqenin e Ohrit dhe Parkun Kombëtar Galiçica – kandidatë për fushat e Emeraldit”, për shkak të zhvillimit të infrastrukturës. Në korrik të vitit 2023, BE-ja dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan marrëveshjen për pjesëmarrjen e vendit në programin LIFE. Aderimi drejt programit LIFE do t’i mundësojë Maqedonisë së Veriut të marrë pjesë në një sërë aktivitetesh për mbrojtjen e mjedisit jetësor, duke përfshirë mbështetjen për natyrën dhe biodiversitetin dhe aktivitetet klimatike”, saktësohet në raportin.

    Theksohet se tek tani duhet të miratohet ligji për emetimet industriale i dedikuar për ndotjen industriale dhe menaxhimin e rreziqeve dhe se vendi duhet të harmonizohet me Direktivën Seveso III, Rregulloren e shenjave ekologjike të BE-së dhe Sistemin e menaxhmentit ekologjik dhe revizionit të BE-së.

    “Numri evropian i thirrjeve emergjente E 112 është në dispozicion të njerëzve në mbarë vendin që nga shkurti i vitit 2022. Flota e avionëve zjarrfikës u servisua dhe është siguruar pajisje e re zjarrfikëse. Maqedonia e Veriut nënshkroi rishikimin e marrëveshjes administrative me Mekanizmin e mbrojtjes civile të Bashkimit. Përkundër pjesëmarrjes së tij shumëvjeçare në sistem, nuk është bërë përparim në lidhjen e sistemit kombëtar të komunikimit për raste emergjente me Sistemin e Përbashkët të Komunikimit dhe Informativ të Komisionit Evropian (CECIS)”, bëhet e ditur në raportin.

    Theksohet se tek tani duhet të miratohet strategjia e re kombëtare e mbrojtjes dhe shpëtimit për periudhën nga viti 2022 deri në vitin 2025.

    “Vendi duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të vendosur program të detyrueshëm trajnimi për të gjithë personelin për mbrojtjen territoriale, zjarrfikëse dhe shpëtimin/mbrojtjes civile”, theksohet në raportin e KE-së për përparimin e vendit në vitin 2023. 

    Lajmi Paraprak

    A është rritur borxhi i komunës së Tetovës?

    Lajmi i rradhës

    Sa ka tregti korrekte në RMV!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë