Reagon BDI sepse Taravari citoi Hitlerin | Taravari: Kujt i djeg miza, le ta mbajë!

    Kryetari i komunës së Gostivarit dhe njëherit sekretar i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, e “vendos” Adolf Hitlerin në politikën e Maqedonisë së Veriut përmes një metafore në Facebook, sipas BDI-së, të papranueshme, skandaloze, të frikshme, të pakuptimtë dhe provokuese, përcjell Nistori.

    Nga BDI thonë se Taravari pa turpësisht e citon Hitlerin: “se populli votoi për ne, tani le të vuajë vdekjen!”.

    “Taravari duhet pa asnjë vonesë t’u kërkojë me përulësi falje të gjithë viktimave, familjeve të tyre qytetarëve dhe të fshijë menjëherë postimin e tij në Facebook. Po ashtu, të gjithë anëtarët dhe kryesia e partisë së tij duhet ta dënojnë menjëherë këtë akt të papranueshëm dhe të distancohen nga qëndrimi absurd i Taravarit”, kanë reaguar nga partia e Ali Ahmetit.

    BDI kërkon nga bota akademike, krijuesit e opinionit publik, mediat dhe gazetarët, nga organizatat joqeveritare që të ngrenë zërin kundër këtij qëndrimi të Arben Taravarit, për të cilin sipas partisë nuk ka vend në shoqërinë tonë.

    Kryetari i komunës së Gostivarit mbrëmë shkroi në profilin e tij në Facebook:

    “Lufta e Dytë Botërore mund të kishte mbaruar më herët dhe mund të kishin shpëtuar shumë jetë që u shuan si pasojë e çmendurisë së saj. Në një kohë kur Hitlerit po fillonte t’i zvogëlohej disi forca ushtarake dhe harta e pushtimeve të tij po niste të rrudhej, një nga komandantët e tij e informon për këto punë dhe i kërkon tërheqje nga lufta sepse po vriten shumë njerëz të pafajshëm, midis tyre shumë fëmijë. Hitleri e kundërshton kategorikisht duke i thënë se meqë populli na votoi ne, tani le të durojë dhe vdekjet!”.

    Ndryshe, sot Taravari në lidhje me reagimin e BD-së ka shkruar sërish në Facebook se ai gjatë citimit të Hitlerit nuk ka përmendur asnjë emër dhe nëse kjo i djeg BDI-së, le ta mbajë.

    “Në një status timin citova një nga reagimet më cinike të diktatorit tê tmerrshëm, Adolf Hitler. Nuk përmenda asnjë emër të veçantë të cilin e krahasoja me Hitlerin. Por reagimi i BDI-së ishte i menjëhershëm…Epo populli thotë- kujt i djeg miza le ta mbajë!”. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Pse kompanitë nuk e japin listën e punëtorëve që punojnë të dielave?!

    Lajmi i rradhës

    Transporti publik në Shkup bëhet gjithnjë e më i vështirë, ndikojnë shumë faktorë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë