Transporti publik në Shkup bëhet gjithnjë e më i vështirë, ndikojnë shumë faktorë

    Fotografia: Ilustruese

    Rritja e çmimit të metanit nga 50 në 110 denarë, mund të bëjë që 22 autobusë të transportuesve privatë të hiqen nga qarkullimi, në rast se Qeveria dhe Qyteti i Shkupit nuk pranojnë kërkesën për të subvencionuar furnizimin e tyre me këtë gaz ekologjik.

    Lenin Jovanovski, kryetar i Shoqatës së Transportuesve Privatë tha se në këto rrethana funksionimi bëhet edhe më i vështirë, duke pasur parasysh se NQP u detyrohet atyre 43,5 milion denarë, pa llogaritur borxhin që shtohet çdo ditë. Ai tha se nuk planifikohet rritje e çmimit të biletës. Sipas tij, çdo transportues privat duhet të investojë nga 5 deri në 15 mijë euro për të mbushur boshllëqet e krijuara.

    “A e dini se çfarë do të thotë nëse transportuesit privatë e ndalojnë punën, se çfarë ndikimi do të ketë kjo në ekonominë e Qytetit të Shkupit dhe çfarë nervozizmi do të shkaktohet tek qytetarët dhe shumë pasoja të tjera që mund të ndodhin, dhe nuk duam që diçka e tillë të ndodhë dhe nuk kemi ndërmend t’i shkaktojmë. Megjithatë, kërkojmë që Qyteti i Shkupit të hetojë se përse kemi ardhur deri në këtë gjendje ku NQP nuk është në gjendje të paguajë borxhet ndaj nesh,”, deklaroi Lenin Jovanovski- kryetar i Shoqatës së transportuesve privat.

    Ai thotë se deri tani ka bërë kërkesa me shkrim, por edhe verbale dhe nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Jovanovski thotë se kriza e krijuar nga rritja e çmimit të metanit është një tjetër goditje e madhe për transportuesit privat, pas masave që u morën vitin e kaluar për shkak të pandemisë. Kufizimi i linjave bëri që transportuesit privatë të kishin më pak fitim, pasi që përllogaritjet e pagesës së tyre bëhen në bazë të kilometrave të bëra duke marrë parasysh çmimin e naftës si lëndë djegëse. Dërguam pyetje deri në Qeveri dhe në Qytetin e Shkupit nëse janë të informuar me këto kërkesa dhe çfarë qëndrimi do të mbajnë rreth tyre, por deri në këto momente nuk kemi përgjigje. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Reagon BDI sepse Taravari citoi Hitlerin | Taravari: Kujt i djeg miza, le ta mbajë!

    Lajmi i rradhës

    Ekspertët: Kabineti i ri, si qeveri teknike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë