REGJISTRIMI | Neziri: Problemet do të burojnë pikërisht nga kategoria e njerëzve të paregjistruar

    Xhelal Neziri / Fotografia: Nistori

    Ajo çfarë përbën problem në rezultatet e regjistrimit është kategoria e njerëzve të paregjistruar, që përbëjnë 7.2%. Me këtë, sipas opinionistit për çështje politike, Xhelal Neziri, është bërë gabim që ajo kategori e njerëzve të paregjistruar të futet si grafë e veçantë, pasi ata nuk kanë identitet të veçantë etno-kulturor që të futen në përqindjen e përgjithshme të popullsisë. Neziri pyet se, kush janë këta njerëz, nga kush është marrë kjo përqindje, cilët etni janë të cënuara, kujt i përkasin, çfarë identiteti kanë. Do të lindin shumë dilema dhe do të hapen debate nga komunitete të ndryshme, siç pamë edhe reagimin e Ministrisë së Jashtme të Turqisë, shkruan Nistori.

    “Kemi një përqindje të atillë, e cila thotë se, 31% e popullsisë në Maqedoninë e Veriut janë shqiptarë, pa mos marrë parasysh ata që nuk janë regjistruar, por janë shtuar plotësisht nëpërmjet të dhënave elektronike. Pa 136 mijë sa janë shtuar, numri ose përqindja e shqiptarëve është 31%. Mendoj se është bërë gabim që ajo kategori e njerëzve të paregjistruar të futet si grafë e veçantë, pasi ata nuk kanë identitet të veçantë etno-kulturor që të futen në përqindjen e përgjithshme të popullsisë. Është dashur që personat e regjistruar të jenë veçmas. Ndërkohë që për krijime të politikave, strategjive, për qëllime të ekonomisë dhe shkencës, të merret parasysh ajo përqindje e njerëzve të paregjistruar. Andaj, mendoj se kjo përqindje reflekton atë që është pritur dhe që është reale në raport me numrin e shqiptarëve. Problemet në këtë rast do të burojnë pikërisht nga kjo kategori e njerëzve të paregjistruar, që përbëjnë 7.2% e njerëzve.” – deklaron Neziri.

    Profesori Ali Pajaziti thotë se, regjistrimi në Maqedoninë e Veriut, fatkeqësisht, shihet si një garë, sepse shifrat janë determinante të ardhmërisë të një komuniteti apo grupi etnik.

    “Të gjithë synojnë që të jenë sa më shumë dhe në këtë drejtim, kemi një përplasje ndërmjet dy bashkëve më të mëdha, ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve. E dyta është e këtyre komuniteteve më të vogla, të cilët nuk e kalojnë as 10% apo 5%, të cilët duan të kenë hise në tortën e quajtur Maqedonia e Veriut.” – shprehet Pajaziti për Nistori.

    “Unë mendoj se ky proces ishte shumë i hapur, shumë transparent dhe të gjithë kishin mundësi të regjistrohen. Ishte proces i rregulluar me dispozita të caktuara juridike. U sqarua me kohë për popullatën dhe si ata mund të regjistrohen. Gjatë procesit të regjistrimit nuk pati reagime të komuniteteve. Unë nuk kam dëgjuar se një komunitet është ankuar apo nuk ka pasur qasje deri te regjistrimi apo se regjistruesit nuk kanë shkuar te shtëpitë e tyre.”, deklaron profesoresha Besa Arifi.

    Gjatë vitit 2021, qytetarët dhe diaspora e Maqedonisë së Veriut, në kuadër të regjistrimit patën mundësinë të regjistrohen në lidhje sa i përket numrit të përgjithshëm të popullsisë dhe përqindjes së komuniteteve në vend. Popullsia e përgjithshme në vend është 1.836.713 banorë. Shqiptarët dolën 29.52%, ndërsa maqedonasit 54.21%. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Mile Janakieski deri më tani është dënuar në pesë raste, me gjithsej 14 vjet burg

    Lajmi i rradhës

    Në RMV ka keqpërdorime në çmimin e barnave

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë