RMV, kriza e radhës për ujin

    Ndryshimet klimatike janë kërcënimi i tretë pas varfërisë dhe situatës ekonomike. Këtë e tregon sondazhi i Ministrisë së Ambientit, lidhur me perceptimet për ndryshimet klimatike dhe nivelin e vetëdijes për këto probleme. Ngjashëm si në vendet e tjera të botës edhe tek ndryshimet klimatike kanë filluar të ndjehen edhe me mungesën e ujit në bujqësi dhe thatësira.

    Njohësit e kësaj problematike, vlerësojnë se pasojat kryesore të ndryshimeve klimatike që lidhen me burimet ujore janë rritja e temperaturës, ndryshimet në reshjet dhe mbulimi i borës si dhe rritja e shpeshtësisë së thatësirave dhe përmbytjeve. Kjo do të sjellë ndotjen e burimeve nëntokësore që përdoren për furnizimin me ujë të popullsisë, por edhe uljen e kapacitetit të tyre. Fenomene të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në prodhimin e ushqimit dhe në bujqësi, por edhe në rrezikimin e furnizimit me ujë të popullatës. Për çdo vit kemi edhe shembujt e tërheqjes së më shumë liqeneve në vend, ku po mungon një rrjet adekuat për monitorimin e ujit.

    “Jemi dëshmitarë se klima është bërë gjithnjë e më e paparashikueshme në dekadën e fundit. Kjo do të thotë se periudhat e reja me shi që ekzistonin më parë në atë periudhë kalendarike tani nuk po ndodhin më. Kemi dukuri të thatësirave të gjata në një periudhë kur duhet të kemi lagështi dhe në të njëjtën kohë po përballemi me temperatura shumë të ulëta, të cilat më tej shkaktojnë dëme në vetë prodhimtarinë bujqësore”, thotë njohësja e kësaj problematike Evgenia Krstevska.

    Andaj me një rrjet të përshtatshëm, institucionet mund të ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e efekteve të ndryshimeve klimatike. Pra, nëse do të investohet në rrjetin e monitorimit të ujit në vend, institucionet do të ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e efekteve të ndryshimeve klimatike. Tani rregullimi aktual funksional dhe mungesa e burimeve financiare dhe personelit rezulton në monitorim të pamjaftueshëm të lumenjve dhe liqeneve, shton ajo.

    Për më tepër, një nga problemet kryesore në menaxhimin e ujërave në vendin tonë është infrastruktura e vjetër që çon në humbjen e ujit në sistem, por edhe në ndotje në disa zona, pastaj monitorim joadekuat dhe trajtim joadekuat të ujërave të zeza që shpesh përfundojnë në ujërat sipërfaqësore, apo në vetë lumenjtë.

    Nevojitet të ndërtohen edhe impiante shtesë të trajtimit të ujarëve të zeza apo të stacioneve filtruese, duke qenë se numri aktual i tyre nuk i shërben të gjithë popullsisë së vendit. Duhet menduar edhe për shfrytëzimin e përvojave sllovene, ku ata nga viti 2016, po mbrojnë burimet prioritare ujore. Apo thënë ndryshe, kanë vendosur një të drejtë elementare të njeriut për ujin dhe me to është i centralizuar menaxhimi i burimeve ujore, ndërsa tek ne është i decentralizuar, thotë Krstevska. Problemi nuk është te masat dhe ligjet por te implementimi real i tyre, për shkak se legjislacioni jonë është i përafërt me atë të Sllovenisë.

    Ndryshimet klimatike prekin të gjitha kulturat që rriten jashtë, pavarësisht nëse ujiten apo jo, ndërsa edhe ujitja nuk është aq efikase vlerësojnë agronomët.

    Vlerësohet se humbjet më të mëdha nga ndryshimet klimatike janë te rrushi, gruri, mollët, specat, domatet, por edhe kafshët si delet, gjedhët. E gjithë kjo kontribuon në uljen e prodhimtarisë së ushqimit. Gjithashtu thatësira, breshri, ngricat e hershme dhe të vonshme të pranverës shkaktojnë dëme të mëdha në bujqësi.

    Nga Federata e Fermerëve sugjerohet të rritet përkrahja për blerjen e rrjeteve mbrojtëse nga breshëri dhe rrezatimi UV.

    Njëherësh duhet të modernizohen edhe sistemet e vaditjes sepse ekzistojnë raste kur disa rajone mbeten pa ujë edhe pas 15-20 ditësh, gjë që është katastrofike për bujqësinë.

    Ekspertët bujqësor thonë se duhet të ndërmarrë më shumë masa për tu përshtatur si zbatimi i teknikave që kursejnë ujë si dhe vaditjen edhe me sasi më të vogla të ujit.

    Gjithashtu në sistemin e vaditjes në vend dominojnë teknikat e ujitjes sipërfaqësore, të cilat kanë efikasitet të ulët të ujitjes.

    Nga ana tjetër, me sistemin e vaditjes pikë për pike ekziston mezi 5 për qind humbje e ujit, që dëshmon se është shumë më efektive të përdoren pikat e ujit se sa vaditja në vijë. Sugjerohet që aty ku priten rendimente më të mëdha edhe më shumë të vaditet dhe anasjelltas.

    Nga ana tjetër, me ardhjen e pranverës më shumë më shumë se një e katërta e kontinentit evropian kërcënohet nga thatësira pas një dimri me pak shi dhe borë, kështu që shumë vende po përgatiten për një përsëritje të verës jashtëzakonisht të thatë të vitit të kaluar, në mos edhe më keq, shkruan Politiko.

    Një studim i fundit me përdorimin e të dhënave satelitore konfirmoi në fillim të këtij viti se Evropa ka vuajtur nga thatësira e rëndë që nga viti 2018. Rritja e temperaturave e bën të pamundur rimëkëmbjen e Evropës, kështu që kontinenti është mbërthyer në një rreth vicioz në të cilin disponueshmëria e ujit është gjithnjë e më e pasigurt.

    “Para disa vitesh do të kisha thënë se kemi ujë të mjaftueshëm në Evropë. Tani duket se mund të kemi probleme”, thotë autori kryesor i studimit të lartpërmendur Torsten Mayer-Gürr.

    Megjithëse kushtet e motit të lagësht në javët e ardhshme mund të rivendosin sipërfaqen e tokës dhe të ndihmojnë bujqësinë, edhe një pranverë me shi nuk mund të rregullojë deficitin e vazhdueshëm të ujërave nëntokësore të Evropës, paralajmërojnë ekspertët.

    Ministria e Ekologjisë së Spanjës vlerëson se qasja ndaj ujit në Spanjë dhe Francë mund të ulet për 40 për qind deri në vitin 2050. Probleme të ngjashme parashikohen edhe për më shumë shtete evropiane. Thatësira është një fenomen kompleks dhe shumë faktorë ndikojnë në të si menaxhimi i dobët i ujit ose konsumi i tepërt. Megjithatë, rritja e temperaturave sigurisht që do të ndikojë shtesë në furnizimin me ujë në Evropë.

    Evropa po ndërmerr edhe masa të ndryshme për parandalimin dhe zbutjen e këtij problemi.
    Në fillim të këtij muaji Italia njoftoi një vendim për të shkurtuar burokracinë për infrastrukturën e ujit, duke përfshirë impiantet e shkripëzimit. Në janar, Spanja publikoi një paketë të re të planeve të menaxhimit të ujit.

    Strategjia e re kombëtare e menaxhimit të ujit të presidentit francez Emmanuel Macron synon të ulë konsumin total të ujit me 10 për qind deri në fund të dekadës. Sipas planit, çdo sektori do t’i kërkohet të bëjë propozime për uljen e përdorimit të ujit.
    Strategjia gjermane e miratuar në mars, përfshin hapa për përdorim “të qëndrueshëm” të ujit në 10 zona deri në vitin 2050, si dhe një seri prej 78 masash që do të zbatohen deri në vitin 2030.

    Megjithatë kritikët argumentojnë se vendet po bëjnë shumë pak për të trajtuar keqmenaxhimin e burimit, i cili është ende i bollshëm në të gjithë kontinentin, duke përkeqësuar efektet e pakësimit të disponueshmërisë së ujit.

    Vlerësohet se një e katërta e ujit të pijshëm të Evropës humbet për shkak të tubacioneve që rrjedhin. Kritika në shtetet evropiane shkojnë edhe për nivelin e pamjaftueshëm të pyllëzimit si dhe politikave të dobëta për ndalimin e humbjes së ujit që humbet në rrjet. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Dibra nga vitet e 90-ta asessi të grumbullojë taksat dhe tatimet!

    Lajmi i rradhës

    Reformat në Kodin zgjedhor janë të patjetërsueshme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë