RMV: Opozita akuzon pushtetin për presion ndaj votuesve

    Përdorimi i burimeve shtetërore për fushatë zgjedhore mbetet problematike edhe në zgjedhjet e reja lokale që do të mbahen më 17 tetor, në Maqedoninë e Veriut.

    Zyrtarisht fushata për zgjedhjet lokale do të nisë më 27 shtator dhe do të përmbyllet më 15 tetor, megjithëse partitë politike, aktivitetet në terren veçse i kanë nisur.

    Partitë opozitare thonë se prezenca e zyrtarëve të lartë shtetërorë në aktivitete partiake është presion ndaj qytetarëve.

    Për partinë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, mbetet kontestues fakti që ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, së fundmi, në cilësinë e nënkryetarit të Lidhjes Social Demokrate (LSDM), po paraqitet në shumë aktivitete partiake që po mbahen në komuna të ndryshme.

    “(Pjesëmarrja e Spasovskit në aktivitete politike) Nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme mund të kuptohet si frikësim apo presion ndaj votuesve”, thotë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.

    Ndërkaq, LSDM-ja, që është në pushtet, përmes një reagimi, ka thënë se aktivitetet e ministrit Spasovski po bëhen jashtë orarit të tij të punës dhe se në këto aktivitete ai nuk po përdor veturën zyrtare.

    Po ashtu, problematike është parë edhe takimi që kryeministri maqedonas, Zoran Zaev realizojë në qeveri, ku bisedoi për koalicion zgjedhor me liderët e dy partive shqiptare, Ali Ahmetin nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Menduh Thaçin nga Partia Demokratike Shqiptare.

    Ndërkaq, partitë shqiptare në opozitë thonë se partitë në pushtet, përmes burimeve shtetërore po mbajnë peng votuesit, duke shpallur konkurse për vende pune në institucionet shtetërore, në prag të zgjedhjeve lokale.

    Ilmi Aziri nga koalicioni ndërmjet Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, thotë se hapja e konkurseve për administratë shtetërore, në prag të zgjedhjeve, është presion ndaj elektoratit.

    “Institucionet në Maqedoninë e Veriut janë të politizuara skajshmërisht, pasi ato në vend se të jenë në funksion të qytetarëve, janë në funksion të partive politike, veçmas gjatë fushatave zgjedhor dhe pak para fillimit të tyre, që demonstron keqpërdorim të parasë publike. Është e palejueshme që një muaj apo një muaj e gjysmë para mbajtjes së zgjedhjeve të shpallen konkurse publike për punësime të përkohshme, që është një formë e sofistikuar për t’i shantazhuar qytetarët, duke e ditur se për një vend pune konkurrojnë 10 apo 15 qytetarë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ilmi Aziri.

    Në raportet e OSBE-ODIHR në vazhdimësi është theksuar si problematike përfshirja direkte apo indirekte e burimeve shtetërore në funksion të fushatave zgjedhore.

    Ekspertët e kësaj fushe thonë se të gjitha partitë, qofshin ato në pushtet apo opozitë, përfitojnë nga paqartësitë për këtë çështje që burojnë nga Kodi Zgjedhor.

    Aleksandar Novakovski, ish-kryetar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, thotë për Radion Evropa e Lirë se askush nuk mund të sanksionojë drejtuesit e institucioneve, që përdorin burimet shtetërore për interesa partiake, pasi sipas tij, kjo çështje nuk është e definuar qartë në Kodin Zgjedhor.

    Sipas Novakovskit, për qartësimin e kësaj çështjeje, nuk janë të gatshme ta bëjnë asnjë nga partitë, pasi të gjitha zhvillojnë fushatë jashtë afatit të paraparë me ligj.

    “Do të thotë, momentalisht zhvillohet fushatë zgjedhore para kohe, që është e dukshme, por nëse i pyet partitë politike, ato do të thonë se nuk bëhet fjalë për fushatë zgjedhore, por aktivitetet e funksionarëve janë në kuadër të angazhimeve politike që i bëjnë jashtë orarit të punës. Kjo gjë është e vështirë të definohet se nëse është e vërtetë ose jo, pasi siç thash, Kodi Zgjedhor ka shumë paqartësi në këtë pjesë”, thotë ai./REL/

    Lajmi Paraprak

    LSDM publikon kandidatët edhe për 16 komuna

    Lajmi i rradhës

    Kanali për ujitje në Xhepçisht ende i pa pastruar! Hoxha: Atë që se kanë bërë për 20 vite, ne do e bëjmë shumë shpejtë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë