Rokas: pa sundim të ligjit, nuk ka anëtarësim në BE për Maqedoninë e Veriut

    Michalis Rokas / Fotografia: Nistori

    Bashkimi Evropian mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe nuk ka asnjë dyshim se vendi shihet si anëtare e ardhshme me të drejta të plota e Unionit. Këtë mesazh e përcolli ambasadori i BE-së, Michalis Rokas, para Këshillit Kombëtar për Eurointegrime, përcjell Nistori.

    Ai tha se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është në zhvillim të plotë, duke përmendur konferencat e fundit ndërqeveritare me Shqipërinë, Malin e Zi, Ukrainën dhe Moldavinë si shembuj pozitivë. Sipas tij, qëllimi i dokumentit joformal (non-paper) të Francës dhe Gjermanisë është të përshpejtojë procesin e anëtarësimit të vendeve kandidate, duke u mundësuar atyre qasje graduale në tregun e brendshëm evropian, paralelisht me përmbushjen e kushteve për anëtarësim të plotë.

    “Franca dhe Gjermania ishin nismëtaret e kësaj iniciative dhe qëllimi është i përbashkët për të gjithë: të përshpejtohet procesi i anëtarësimit, të përmbushen të gjitha parakushtet e nevojshme, por njëkohësisht vendeve kandidate t’u mundësohet qasje graduale në tregun e brendshëm të BE-së. Pikërisht për këtë arsye, ne po punojmë paralelisht edhe në këtë proces”, tha ai.

    Duke vlerësuar gjendjen në vend, Rokas theksoi se Maqedonia e Veriut ka dëshmuar se ka kapacitet për të zbatuar reformat e nevojshme. Ai përshëndeti punën e Kuvendit, por ishte i prerë se sundimi i ligjit mbetet kriteri kryesor dhe i panegociueshëm për hapjen e kapitujve të negociatave.

    “Pa asnjë hezitim mund të them se vendi ka treguar se ka kapacitet për të zbatuar reforma. Dua të përshëndes punën që është bërë në Kuvend, veçanërisht sa i përket ligjeve që miratohen në këtë institucion. Natyrisht, me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian, besojmë se mund t’ju përgatisim me sukses për anëtarësimin në BE”, deklaroi Rokas.

    Për një proces të suksesshëm eurointegrimi, euroambasadori tha se është e domosdoshme të sigurohet një administratë publike profesionale dhe efikase, por mbi të gjitha një gjyqësor plotësisht i liruar nga ndikimet politike dhe i përforcuar me burime të mjaftueshme njerëzore dhe financiare. Edhe pse raportet evidentojnë vlerësime pozitive dhe një atmosferë të mirë demokratike mes aktorëve politikë, Rokas apeloi për arritjen e një konsensusi të gjerë politik për reformat kyçe, me theks të veçantë te Kodi Zgjedhor dhe Kodi Penal.

    “Kam gati dy vjet që jam këtu dhe shoh se ka hapësirë për diskutime, madje edhe për mosmarrëveshje politike për shumë çështje. Por, kur bëhet fjalë për këto reforma kyçe, është shumë e rëndësishme, natyrisht edhe me mbështetjen tonë, të arrihet një konsensus i gjerë politik”, tha Rokas.

    Sa i përket mbështetjes financiare, ai njoftoi se Bashkimi Evropian po punon për një kornizë të re shumëvjeçare financiare me instrumente fleksibile, të cilat do t’i zëvendësojnë fondet aktuale IPA. Ai siguroi se asnjë vend nuk do të mbetet pa mbështetjen e nevojshme, ndërsa Delegacioni i BE-së, siç tha ai, do të vazhdojë ta ndihmojë intensivisht Maqedoninë e Veriut, proces ky që sipas tij varet nga vullneti i përbashkët politik dhe respektimi i vlerave themelore evropiane.

    Lajmi Paraprak

    Keqrregullimi i “Fyerjes” dhe “Shpifjes”

    Lajmi i rradhës

    BE reagon për rrënimin e vilave në Ujman

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë