Rruga e Banjës së Tetovës e rrezikshme për vizitorët (Foto/Video)

    Gazetare | Blerona Jakupi Zylbehari

    Banja e Tetovës, është një nga vendet më të frekuentuara nga tetovarët, e cila ndodhet në pjesën periferike të qytetit, përreth lumit Shkumbin, në një sipërfaqe të blertë. 

    Përveç shfrytëzimit të ujit mineral, i cili ka veti shëruese, qytetarët këtë pjesë të qytetit e shfrytëzojnë edhe si vend për t’u çlodhur, për sport, rekreim, për t’i ikur rrëmujës së qytetit dhe për të shijuar freskinë sidomos gjatë verës. Edhe pse është një nga qendrat me atraksion më të lartë në Tetovë, banja e Tetovës nuk është mirëmbajtur pothuajse fare nga komuna. 

    Ulëse e jo mirëmbajtur dhe mbeturina në rrugën e banjës në Tetovë

    Mungesa e murit mbrojtës anash rrugës, bën që dheu dhe gurët të  rrëshqasin në rrugë dhe të dëmtojnë automjetet dhe të rrezikojnë kalimtarët. Nagip Selimi, është një nga vizitorët e përditshëm të banjës së Tetovës. Sipas tij, ky vend është lënë në mjerim të plotë dhe thekson se investimi i parë që duhet bërë nga komuna është në murin mbrojtës. 

    ”Unë vi për vrap çdo ditë. E frekuentojmë shumë këtë vend por fatkeqësisht është i pa mirëmbajtur. Komuna duhet menjëherë të ndërtojë murin anësor që të pengoj rënien e gurëve dhe dheut në rrugë. Përndryshe rrezikohen edhe njerëzit edhe veturat”- deklaroi Nagip Selimi. 

    Mungesa e koshave për plehra është një tjetër problem. Ngado që të lëvizësh të zënë sytë mbeturina të cilat i prishin imazhin relaksues banjës së Tetovës.

    Asan Alili ishte një tjetër qytetar të cilin e takuam, i cili u shpreh i revoltuar jo vetëm me komunën por edhe me qytetarët. 

    ”Ajri është shumë i pastër por ambienti shumë i ndotur. Siç e shihni, ngado mbeturina, kosha plehrash askund. Fatkeqësisht edhe qytetarët janë të pavëmendshëm, duhet të tregojnë kujdes, por nga ana tjetër nuk kanë faj përderisa nuk ka vend ku ti hedhin mbeturinat” – deklaroi Alili. 

    Nga komuna e Tetovës për Nistori theksojnë se po përpilojnë projekte për ndërtimet në banjën e Tetovës, mirëpo kur do të fillojnë me punën nuk dihet. 

    ”Lidhur me ndërtimin e murit rrethues në rrugën e banjës në Tetovë, projekti është në përpunim e sipër dhe kur do të jetë gati do të publikohet. Kemi plan për vendosjen e paisjeve urbane në disa pika në qytetin e Tetovës dhe njëkohësisht edhe në këtë rrugë”- deklarojnë nga Komuna e Tetovës. 

    Ndryshe, rruga për në Banjën e Tetovës, u ndërtua në vitin 2017 me financim të BE-së. Që atëherë e deri më tani, muri anësor përgjatë rrugës vazhdon të jetë një ndër problemet kryesore. Nga kryetarja e atëhershme, u premtua edhe rregullimi i shtratit të lumit Shkumbin dhe ndërtimi i baseneve të burimeve termo-minerale. Sot, ndërtimi i shtratit të lumit akoma nuk është drejt përfundimit. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Inspektorët përballen me shumë probleme në Tetovë

    Lajmi i rradhës

    Si të merrni 100 për qind të hekurit prej ushqimeve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë