Rrugë e vështirë për një BE më të madhe

    Që nga shkurti i kaluar, ka pasur një konsensus të ri në Bruksel – BE-ja duhet të zgjerohet. Edhe anëtarët e BE-së që konsideroheshin skeptikë të zgjerimit tani bien dakord se anëtarësimi i Ukrainës, Moldavisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të konsiderohet seriozisht. Ndryshimi i qëndrimeve u shkaktua nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Para kësaj, planet e përgjithshme për zgjerim ishin narrativa e preferuar e Brukselit nga një administratë në tjetrën, ndërsa vende si Maqedonia e Veriut, e cila ka pasur statusin e kandidatit që nga viti 2005 dhe ka kaluar nëpër një sërë ndryshimesh politike dhe ligjore për t’u kualifikuar për anëtarësim, nuk ka arritur madje as në dhomën e pritjes. Tani qëndrimi mendor ka ndryshuar, ose siç thotë një diplomat evropian “zgjerimi tani është një realitet, i cili nuk ekzistonte deri një vit e gjysmë më parë”.

    DISBALANSË I FUQIVE DHE SJELLJA E VENDIMEVE ME PLUS 30 ANËTARË

    Por debati ka filluar. Muajin e kaluar, një grup studiuesish të punësuar nga Gjermania dhe Franca publikuan një punim me ide se si të punohet dhe rrugën drejt një Unioni të zgjeruar. Tu Ngujen, një eksperte në Qendrën “Jacques Delors” në Berlin ishte mes tyre. Ajo thotë se sfida më e madhe politike mund të jetë mënyra sesi BE-ja do të merrte vendime në të ardhmen. Lista zyrtare e vendeve kandidate është e gjatë: Ukraina, Moldavia, Shqipëria, Mali i Zi, BeH, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia. Gjeorgjia dhe Kosova konsiderohen gjithashtu “kandidatë potencialë”.

    Por edhe me 27 anëtarë, ndonjëherë është e vështirë për Unionin të ndërmarrë masa, si për shembull në politikën e jashtme për sanksionet kundër Rusisë, sepse kërkohet pëlqimi unanim, që do të thotë se negociatat ndonjëherë zgjasin muaj përpara se anëtarët të bien dakord për atë se çfarë duhet apo nuk duhet të jetë mbuluar. Ndryshimet në aplikimet për emigracion dhe azil duhet të mbështeten nga një “shumicë e kualifikuar” e anëtarëve të BE-së, që do të thotë të paktën 15 shtete që përfaqësojnë të paktën 65 për qind të popullsisë së Unionit. Një shembull i kësaj ishte javën e kaluar kur Gjermania mbështeti reformat për një rregullore të re për të menaxhuar krizat e migracionit, por pa mbështetjen e Italisë, e cila gjithashtu ka një popullsi të madhe, marrëveshja është e bllokuar.

    Me sistemin aktual të vendimmarrjes, Ukraina, e cila ka një popullsi prej 40 milionë banorësh, do të bëhej një nga vendet më të fuqishme politikisht në Union. Vendet më të vogla si Mali i Zi me rreth 620 mijë banorë apo Shqipëria me 2.7 milionë banorë do t’i jepnin ngjyra kësaj përzierjeje.

    “Sa më shumë shtete anëtare të ketë Unioni, aq më shumë mundësi për veto dhe bllokim të vendimeve,” thotë Ngujen.

    Kjo do të rezultonte edhe më problematike në lidhje me vendimet politike si bllokimi i fondeve për vendet e akuzuara për shkelje të shtetit të së drejtës. Kjo është arsyeja pse Ngujen dhe autorë të tjerë sugjerojnë heqjen e unanimitetit dhe rillogaritjen e shumicës së cilësuar, në mënyrë që një Union i zgjeruar të ketë “kapacitetin për të vepruar”. Në mënyrë kontroverse, propozimi i ri gjithashtu do ta bëjë më të vështirë për fuqitë më të mëdha si Gjermania dhe Franca të bllokojnë vendimet. Por për ndryshime të tilla është e nevojshme të ndryshohen traktatet themeluese të BE-së dhe të mbështeten edhe ata anëtarë që do të humbnin fuqinë. Siç pranon Ngujen, “gjendja politike për momentin nuk është në favor të ndryshimit të marrëveshjeve themeluese”.

    MOSMARRËVESHJA PËR DRITHËRAT NGA FONDET E UKRAINËS DHE BE-së

    Pastaj është pyetja se si të shpërndahen fondet evropiane në raport të ndarjes midis ekonomive. Shumica e kandidatëve kanë një BVP për kokë banori më të ulët se aktualisht anëtari më i varfër i BE-së, Bullgaria, dhe duke pasur parasysh që Brukseli aktualisht ndan një të tretën e fondeve të tij për bujqësinë, anëtarësimi i Ukrainës do të ndryshojë rrënjësisht modelin aktual të ndarjes së fondeve. Muajin e kaluar, Polonia, Sllovakia dhe Hungaria njoftuan plane për embargo të njëanshme ndaj drithërave ukrainase për të mbrojtur prodhuesit vendas nga një rënie e mundshme e çmimeve. Ish-komisioneri i tregtisë së BE-së, Phil Hogan, thotë se ky është një tregues i vështirësive përpara.

    “Do të duhet të ketë një ndryshim të madh institucional, një ndryshim të madh në buxhet dhe përshtatje të politikave me realitetin e ri”, vlerëson Hogan dhe shton se “Ukraina është një vend i madh me interesa të mëdha në bujqësi. Dhe kjo është arsyeja pse ideja që Unioni do të jetë në gjendje të merret brenda natës me çështjet e ngritura nga anëtarësimi i plotë i Ukrainës në politikën bujqësore evropiane do të jetë një sfidë e madhe”. “Edhe në kohën time kishte pika shumë të ndjeshme në tregtinë me Ukrainën”, thotë Hogan duke shtuar se “nuk është asgjë e re të kesh tensione midis Ukrainës dhe BE-së mbi bujqësinë, por mund të imagjinosh sfidat që do të përballen fermerët evropianë kur Ballkani Perëndimor dhe Ukraina dhe të tjerët do të bëhen pjesë e familjes”.

    Megjithatë, Hogan është pozitiv dhe siç thotë ai “Unë favorizoj zgjerimin e Unionit dhe pranimin e vendeve që përndryshe mund të zhvillohen në një drejtim tjetër të padëshiruar”, duke aluduar në ndikimin rus. “Politika sillet rreth asaj që është e mundur, dhe unë pres që anëtarët dhe qytetarët e tyre do të dorëzohen për të siguruar që fqinjësia jonë të jetë më pak e tensionuar”, thotë ish-komisioneri i tregtisë së BE-së.

    FUND PËR UNIONIN QË E DIMË

    Ka një seri të tërë pyetjesh rreth funksionimit të një BE-je të zgjeruar që duhet të marrin përgjigje – sa deputetë shtesë do të ketë Parlamenti Evropian, sa gjuhë shtesë zyrtare të BE-së do të ketë? A do të jetë në gjendje çdo vend të mbajë një anëtar të deleguar në Komisionin Evropian? Duke pasur parasysh trazirat ligjore dhe politike që mund të priten, ka zëra që besojnë se është koha për të ndryshuar përkufizimin e Unionit. Dje kur krerët e shteteve dhe qeverive evropiane u takuan në Granada të Spanjës për takimin e tretë radhazi të Komunitetit Politik Evropian, mund të shihej vizioni për një përbërje më të gjerë ndërqeveritare. Komuniteti Politik Evropian është një konstrukt i presidentit francez Emanuel Macron, i cili për herë të parë e hodhi idenë në vitin 2022 dhe tha se mund të duhen “dekada” që Ukraina të bëhet anëtare e BE-së, duke bërë thirrje për një grupim të ri me “kombet demokratike evropiane” që mund të gjejë “një hapësirë ​​të re për bashkëpunim politik dhe të sigurisë”.

    Sot Komuniteti Politik Evropian nuk është gjë tjetër veçse një grup për bisedime, nuk ka struktura të krijuara, të drejta votimi apo kontrata. Por është i vetmi forum i tillë që përfshin të 45 vendet anëtare të BE-së dhe vendet kandidate, vende të pasura joanëtare si Zvicra, Norvegjia dhe Britania, madje edhe rivalët politikë Armenia dhe Azerbajxhani. Rusia nuk është në listën e të ftuarve. Për Ngujen, kjo strukturë më e lirshme mund të japë një ide se çfarë mund të ndodhë nëse BE-ja nuk arrin të bie dakord për një plan zgjerimi. Ekspertët sugjerojnë se mund të ketë një “rreth të ngushtë” anëtarësh të integruar ngushtë të BE-së, pastaj një rreth të mëtejshëm anëtarësh që do të gëzonin disa përfitime nga tregu i brendshëm i BE-së, dhe në fund një “rreth i jashtëm” i bazuar në Komunitetin Politik Evropian, të cilin Ngujen thotë se nuk do të përfshinte asnjë formë integrimi me ligjet detyruese evropiane, por bashkëpunim të bazuar në konsiderata gjeostrategjike. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Maqedonia në labirint politik

    Lajmi i rradhës

    Zbokth apo Psoriazë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë