Maqedonia në labirint politik

    Maqedonia e Veriut ndodhet në një labirint politik, ku nuk dihet qartë se nga do të shkoj në të ardhmen. Zëvendëskryeministri Artan Grubi, ka deklaruar se nëse nuk miratohen ndryshimet kushtetuese, zgjedhjet parlamentare do të mbahen në mandatin e rregullt dhe koncepti për kryeministrin shqiptarë në 100 ditëve të fundit. Ai tha se lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, do të vendos se kush do të jetë kryeministri shqiptar. Vendimet janë më të mirat për qytetarët, gjë që është dëshmuar shumë herë më parë.

    “Tani për tani 100 ditë mbetemi në pozitën e kryeministrit shqiptar, nëse VMRO-DPMNE nuk i voton amendamentet kushtetuese atëherë do të heqim dorë. Në marrëveshjen e koalicionit me LSDM-në, thuhet se kandidati shqiptar për kryeministër duhet të propozohet nga BDI, nga zoti Ahmeti. Vendimet e tij për shtetin kanë qenë gjithmonë të mira dhe të gjithë qytetarët kanë parë të mira prej tyre”, tha Grubi.

    Sipas tij, nuk është e vërtetë që BDI i mban të gjitha fijet në Qeveri, Dimitar Kovaçevski, është gjëja më e mirë për këtë vend në këtë moment, ai nuk ka paragjykime dhe mendoj se do të ishte shumë mirë që ta udhëheq vendin drejt Brukselit.

    Lidhur me Bullgarinë, ai tha se mund të ketë kërkesa të reja për vendin në procesin e anëtarësimit vetëm në kuadrin e negociatave, por jo në bazë të historisë. Grubi u shpreh se BDI ka vija të kuqe për koalicion me ata që nuk e respektojnë marrëveshjen kornizë të Ohrit dhe që janë kundër integrimeve euroatlantike të vendit. Ai nuk e përjashton mundësinë e koalicionit me VMRO-DPMNE-në nëse i pranojnë ndryshimet kushtetuese para zgjedhjeve ose menjëherë pas zgjedhjeve.

    “VMRO-DPMNE thonë se ndryshimet kushtetuese do t’i votojnë pas zgjedhjeve, por asnjë nga partnerët tanë strategjikë nuk beson në këtë. Për të qenë brutalisht i sinqertë, përveç nesh, asnjë nga partnerët strategjikë nuk beson se nëse ka zgjedhje, VMRO-DPMNE do të votojë për amendamentet kushtetuese”, nënvizoi Grubi.

    Ai pret që në zgjedhjet e ardhshme të fitojë fronti pro-evropian, pavarësisht nëse do të shkojnë me LSDM-në me lista të përbashkëta apo jo, dhe shtoi se pret që BDI të fitojë në bllokun shqiptar.

    “Nuk kam qenë në Budapest dhe as nuk e kam takuar Gruevskin atje. Ahmeti dhe Xhaferi nuk kanë marrë asnjë USB prej tij dhe ndryshimet në Kodin Penal nuk kanë qenë në diktimin e tij. Nëse sipas diktimit të tij tashmë janë miratuar dhe kanë hyrë në fuqi, pse nuk po vjen në vend? Ndryshimet e reja ligjore nuk do ta shpëtojnë atë nga burgu sepse ndaj tij janë zhvilluar disa procedime”, tha Grubi.

    Siç tha ai, nëse VMRO-DPMNE, nuk do të krijonte kuorum, ky vendim ligjor nuk do të ishte miratuar. Nuk është e vërtetë që me miratimin e tij ne jemi përpjekur të sjellim ndryshimet kushtetuese. Grubi nënvizoi se ka deputetë të VMRO-DPMNE-së që edhe tani duan të votojnë për amendamentet kushtetuese, por janë nën presionin e lidershipit.

    Nga ana tjetër, analisti Besim Nebiu, për gazetën KOHA, ka deklaruar se dyja taboret do të qëndrojnë në istikamet e tyre dhe nuk do të bëjnë kompromise.  “Jo, mendoj se opozita do të mbetet në qëndrimin e vetë për zgjedhje të parakohshme por zgjedhjet do të mbahen pas atyre presidenciale. të dyja kampet udhëhiqen nga strategjitë dhe kalkulimet e tyre parazgjedhore, dhe kjo e bën ngërçin të pazgjidhshëm në këtë moment. Trysnia e ndërkombëtarëve si duket nuk po jep efekt te opozita”, tha Besim Nebiu, analist. 

    Lajmi Paraprak

    Qindra artikuj ushqimorë “luksi” në RMV shtrenjtohen

    Lajmi i rradhës

    Rrugë e vështirë për një BE më të madhe

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë