Sela: Jam konsistent, u qëndroj prapa deklaratave që i kam thënë si kryeopozitar

    Ziadin Sela / Fotografia: TV21

    Sela: Jam konsistent, ju qëndroj prapa deklaratave që i kam thënë si kryeopozitar

    Ziadin Sela në ClickPlus në TV21, ka folur për pozitën e tij, tani si pjesë e Qeverisë edhe pse jo si lider i Aleancës për Shqiptarët. Ai tha se vazhdon të jetë konsistent në qëndrimet e tija, të cilat i ka shprehur publikisht teksa ka qenë kryeopozitar, përcjell Nistori.

    “Do të vazhdoj të jem konsistent në qëndrimet e mija. Do të vazhdoj t’ju qëndroj prapa deklaratave të mija të shprehura si kryeopozitar, sepse i kam thënë pa ndonjë prapavijë, për të nxjerr popullin në dritë, sepse jemi shumë larg dritës”, tha Sela.

    Nuk jam larguar nga politika, qytetarëve ju kërkoj të mos e humbasin besimin tek ASh-ja

    Sela ka folur për largimin e tij nga udhëheqja e partisë pas zgjedhjeve lokale. Ai tha se dorëheqja nuk do të thotë se ai është larguar nga politika dhe bëri thirrje që qytetarët të mos e humbasin besimin te ASh-ja, pasi siç tha, është i vetmi subjekt politik që i mban premtimet.

    “Unë nuk jam larguar nga politika. Jam aty sa herë që jam dashur, për ndonjë këshillë, qoftë për liderin aktual të partisë apo edhe të ndonjë eksponent partiak. Unë e kam një kërkim, mos e humbisni besimin në ASH. Është i vetmi subjekt politik që paraqitet me premtime para qytetarëve dhe që mundohet t’i realizojë, dhe i realizon sapo të bëhet pjesë e Qeverisë. Bëhet fjalë për Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. Prandaj, mos e humbisni besimin te ASH. Një pjesë të fajit e kam edhe unë, por edhe të tjerët prandaj qytetarët votuan ashtu siç votuan”, tha Sela.

    “Izet Mexhiti e kidnapoi Kastriot Rexhepin, tani e bëri pjesë të partisë së tij”

    Nuk komentuam zhvillimet në Bashkimin Demokratik për Integrim pas paraqitjes së “Grupit të zjarrit”, sepse nuk donim të luanim rolin e zëdhënësit. Kështu vlerësoi Sela. Megjithatë, shtoi se Izet Mexhiti, tani lideri i partisë Lëvizja Demokratike e kidnapoi deputetin Kastriot Rexhepin pak para votimit të mocionit të Qeverisë, dhe tani e bëri pjesë të partisë së tij.

    “E kidnapoi apo e mori në shtëpi deputetin Rexhepi dhe kjo është koha kur duhej të kishte 61 deputetë opozita. Kjo çështje tani nuk më takon mua, pasi është çështje që i takon BDI-së dhe ASh nuk është përzier në këtë çështje sepse është çështje e brendshme partiake”, tha Sela.

    Amnistia e Gruevskit, Sela: Nuk do të isha kundër, nëse në tryezë vendosen edhe “Monstra” dhe “Lagjja e trimave”

    “Duhet të jesh aktor i këtyre bisedime që të dish çfarë mund të ndodh. ASH nuk është pjesë e këtyre kalkulimeve. Tani po del se opozita ka ndikuar te presidenti që të amnistojë (Nikolla) Gruevskin”.

    Kësisoj, Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët, edhe pse pjesë e Qeverisë hodhi poshtë pretendimet se kjo parti është pjesë e negociatave për kthimin e ish kryeministrit Nikolla Gruevski.

    Sela shtoi se do të ishin të interesuar, ai personalisht dhe subjekti politik që i takon ai për kët; temë, nëse në tryezën e bisedimeve do të vendoseshin edhe lehtësimet e dënimeve për të dënuar të tjerë, siç është rasti “Monstra”, “Lagjja e trimave” dhe “Alfa”.

    “Nuk do të ishte mirë për shtetin e së drejtës që të amnistohen vetëm politikanët. Nëse do të hapej kjo, unë do të isha i interesuar për këtë rast nëse në tryezë do të vendosej rasti “Monstra”, “Lagja e trimave” e “Alfa””, tha Sela.

    Sela i përgjigjet Ahmetit: Jam shumë i vogël t’i them JO idesë për bashkimin e spektrit politik shqiptarë, por pa parti maqedonase

    “Me Kanun shtëpia është e mikut dhe Zotit”. Kështu e komentoi paraqitjen e liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetit në TV21 Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët.

    U shpreh i gatshëm se do të jetë i gatshëm të hapë shtëpinë e tij për të qëndruar sa më afër publikut, ndërkaq i gatshëm u tregua edhe për realizimin e idesë së Ahmetit për bashkimin e spektrit politik shqiptar.

    Sela refuzon përfshirjen e partive maqedonase, Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë.

    “Është legjitime të shpreh mendimet e veta dhe siç është legjitime të shpreh mendimin edhe unë si eksponent i ASH, i cili është më konzervativ edhe në këto hapa. Nuk do të mendoja se është ide e mirë që të hynim ne koalicion me parti maqedonase, kështu kam thënë edhe më parë sepse mendoj se shqiptarët duhet të hynë si të tillë në Qeveri… Kjo ngjan si në periudhën e ish Jugosllavisë, kur ne ishim vetëm si figurë, si emër dhe mbiemër. Tani tendenca është të rikthehet ky imazh i shqiptarëve. Ideja e koalicionimit të gjithë spektrit politik shqiptar, në një listë zgjedhore, sado që duket utopike ja po e marr për të mirëqenë. Ziadin Sela është shumë i vogël që t’i thotë jo kësaj ideje madhore, kjo vlen edhe për ASH-në. Do të thotë për bashkimin e gjithë spektrit politik shqiptarë…”, tha Sela.

    Sela: U futëm në qeveri sepse në të kundërtën duhet të shkonim në zgjedhje

    Ai duke folur për situatën politike në vend, foli edhe për situatën në të cilën ndodhet partia e tij. Sela tha se duke parë rezultatin e fundit në Tetovë, ku ai e pranoi se ishte një rezultat katastrofik për ta, atëherë, sipas tij, e vetmja mënyrë për të shpëtuar partinë ishte ose të shkonin në zgjedhje ose të futeshin në qeveri, por kjo Aleancës nuk i konvenonte duke parë gjendjen në të cilën ndodhej asaj kohe.

    “Veprimet politike merren në bazë të situatës politike në të cilën ndodhemi. Nëse ne nuk futeshim në qeveri atëherë do të shkonim në zgjedhje, por kjo Alenacës për Shqiptarët nuk i shkonte për shtat duke parë rezultatin e fundit në Tetovë. Për mua personalisht më shumë ka qenë një sakrificë për të ndejtur në krye të ASH-së sesa ëndëra të jem kryetar i përjetshëm. Aleancës i duheshe kohë për të marrë veten dhe ne duheshe të fitojmë kohë për ta rimarrë veten. Bëmë një veprim që i shkonte për shtat Aleancës për Shqiptarët.”- tha Sela.

    Sela i ashpër ndaj Kasamit: Kur punoja për koalicion opozitar, thoshe se Gashi është kundër koalicionit! Pse tani u bëtë bashkë?

    Sipas Selës, Bilall Kasami ishte kundër koalicionit trepalësh mes opozitës kur Sela ishte lider i Aleancës për Shqiparët.

    Sela madje e akuzon Kasamin, liderin e Lëvizjes Besa se akuzonte të parin e Alternativës, Afrim Gashi se ky i fundit ishte kundër koalicionit.

    Sela pyet se pse tani u bënë bashkë AAA-ja dhe Besa?

    “Pse sot u bënë bashkë. Kjo pjesëmarrje në Qeveri e nxori në pah edhe këtë. Pse mendon se u bënë bashkë për ndryshimet kushtetuese. Unë nuk isha faktor që të bëhen ose me atë, ose me këtë. Ideja ishte që të bëhen bashkë, por njëri nga aktorët thoshte se ne jemi për koalicion trepalësh, por le të tregojë Sela se cili nuk është… Koalicioni nënkuptonte AAA, Besa dhe ASH. Këta janë eksponentët. Bilalli dilte pas një kohe dhe thoshte pas disa muaj problematizimi le të del Sela dhe të tregojë se kush nuk është. Ik more tani, se unë po punoj të ju bëj bashkë”, tha Sela. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    15 vendet për t’u vizituar në Europë gjatë vjeshtës

    Lajmi i rradhës

    Skocezët zbulojnë “gralin e shenjtë” që do ta zëvendësojë vajin e palmës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë