Selma Kurtishi – Kastrati tregon nëse profesori vlerësohet më shumë në RMV apo në universitetet ndërkombëtare

    Selma Kurtishi – Kastrati

    Selma Kurtishi – Kastrati është pedagoge me eksperiencë 17 vjeçare në fushën e edukimit të arsimit të lartë. Selma ka mbaruar studimet e larta në Oxford Brookes University, Oxford dhe programin Master e ka përfunduar në Universitetin Webster në Londër. Ciklin e tretë të studimeve Selma e ka kompletuar në vitin 2013 në Universitetin e Evropës Juglindore, në Tetovë ku është përqëndruar në studimin e thelluar të rolit të Investimeve të Huaja Direkte në zhvillimin ekonomik të Maqedonisë. Në periudhën 2004-2013 Selma ka punuar si ligjëruese në Universitetin e Europës Juglindore. Aktualisht ajo punon si profesorshë e Asociuar në American University of the Middle East (AUM) – Kuvajt dhe mban pozicionin Përgjegjëse e Departamentit “Menaxhimi i Burimeve Njerëzore” në Fakultetin e Biznesit. Përveç ligjërimit të lëndëve në fushën e biznesit, gjatë eksperiencës së saj disa vjeçare në AUM, Selma ka qenë koordinatore e projekteve dhe aktiviteteve akademike brenda dhe jashtë universitetit. Ajo është e angazhuar në mënyrë të pandërprerë në projekte kërkimore-shkencore dhe si rrjedhojë ka publikuar shumë artikuj shkencorë në revista ndërkombëtare me impakt të lartë shkencor.

    Intervistoi | Donika Bakiu

    Nistori: Pse vendoset të ligjëroni në një Universitet Ndërkombëtar dhe hoqët dorë nga një Universitet Vendor?

    Selma Kurtishi – Kastrati: Pas një përvoje 9 vjeçare në mësimdhënie në Maqedoni, mendova se kishte ardhur koha t’i jepja një shtysë zhvillimit të karrierës time, duke e pasuruar atë me një eksperiencë ndërkombëtare. Gjithashtu, të jem e sinqertë, oferta ishte shumë më e mirë.

    Nistori: Si është kultura/dallimet e studentëve shqiptarë dhe atyre në Kuvait?

    Selma Kurtishi – Kastrati: Gjithkund mendoj se studenti ka të njëjtat tipare, një filiz i etur për dije, me objektiva të qarta për thithje të njohurive. Megjithatë, mund të identifikoj se kryesisht veçoritë dalluese të studentëve ne Kuvait krahasuar me studentët në Maqedoni derivojnë për shkak të një infrastukture moderne universitare që i suporton ata në zhvillimin e aftësive në shkencat ekzakte.

    Nistori: A e keni pasur të vështirë të përshtateni në një vend me kulturë ndryshe?

    Selma Kurtishi – Kastrati: Darvin thotë se inteligjenca më e lartë e njeriut ekziston kur ai adaptohet më së miri në mjedise të ndryshme. Pas një eksperiece të studiuarit dhe jetuarit në Mbretërinë e Bashkuar, për mua ishte më e thjeshtë të adaptohesha me kulturën arabe. Përvec kësaj, ky vend të ofron siguri të lartë dhe standard jetese që e lehtësojnë adaptimin.

    Nistori: A do të kthehet Selma në vendlindje për të dhënë ende më shumë për shoqërinë shqiptare?

    Selma Kurtishi – Kastrati: Sigurisht që po. Guri i rëndë në vend të vet. Dashuria për vendin tim më ka mbajtur gjithë këtë periudhë me sytë ngërthyer drejt vendit tim për të qenë e përditësuar me ndodhitë e atjeshme në shumë drejtime. Do të kthehem së shpejti për të transmetuar njohuritë dhe eksperiencën time te studentët shqiptarë.

    Nistori: Jeni prind i dy fëmijëve, sa është e vështirë kjo në një vend të huaj që të edukoni fëmijët në një kulturë tjetër?

    Selma Kurtishi – Kastrati: Kultura bazë që ne si prindër mbjellim te fëmijët tanë është shqiptaria. Sigurisht që ne i mësojmë fëmijët të jenë të hapur ndaj kulturave të tjera, për t’i formësuar ata si qytetarët e ardhshëm global.

    Nistori: Çfarë duhet të ndryshojnë Universitetet në Maqedoninë e Veriut?

    Selma Kurtishi – Kastrati: Gjithmonë ka vend për përmirësim, i cili mund të arrihet në shumë drejtime p.sh: në zhvillimin e infrastrukturës universitare, rritjen e suportit ndaj pedagogëve për zhvillim profesional, si dhe rritjen e partneritet me universitete në rajon e më gjerë për shkëmbimin e eksperiencës në planin menaxherial dhe zhvillimin e kurrikulave. Gjithashtu, bashkëpunimi më i lartë me bizneset vendase në ofrimin e programeve “internship” për studentët do të ketë impakt pozitiv në fusha të ndryshme.

    Nistori: A vlerësohet profesori më shumë në universitet ndërkombëtarë apo në vend?

    Selma Kurtishi – Kastrati: Vlerësimi i profesorit nënkuptohet në disa dimensione. Kontributi i një profesori në Kuvait vlerësohet shumë më tepër në aspektin financiar. Megjithatë, në Maqedoni mendoj se profili i profesorit është i lartësuar në sytë e studentëve.

    Nistori: Çfarë do të kishit bërë diçka tjetër, nëse nuk do të ishit sot pedagoge?

    Selma Kurtishi – Kastrati: Profesioni alternativ? Me siguri do të isha angazhuar në organizata ndërkombtare humanitare për të kontribuar në mirëqënien sociale të shoqërisë. Një profesion afternativ do të ishte Konsulenca ndaj bizneseve duke aplikuar njohuritë e fituara në fushën e biznesit.

    Nistori: Çfarë i ka mbetur peng profesoreshës Selma Kurtishi?

    Selma Kurtishi – Kastrati: Shpeshherë, ndjej keqardhje që dashuria, njohuritë dhe përkushtimi i këtyre 10 viteve u kanë munguar studentëve të mi në Maqedoni.

    Nistori: Cili është mesazhi për studentët në RMV?

    Selma Kurtishi – Kastrati: Mesazhi im: ata kanë një potencial të jashtëzakonshëm që me më shumë vetëbesim duhet ta përdorin për të ardhmen e tyre dhe të kombit. Të mos dorëzohen kurrë ndaj asnjë sfide. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    “Njerëzit në Ballkan e dinë se çfarë do të thotë lufta dhe se çfarë pasoja ka”

    Lajmi i rradhës

    Nënshtetësia | Dauti pyet BDI-në: Pse qytetarët që nuk kanë nënshtetësi vazhdojnë të cilësohen si të “rrezikshëm për shtetin”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë