Aeroplanët komercial nuk janë edhe aq të njohur për teknologjinë e avancuar, pasi kryesisht kanë mbetur të njëjtë prej dekadash.
Por një dizajn i ri ka tërhequr vëmendjen e ekspertëve të aviacionit, pasi në veçanti qëllimi i avio-industrisë është zvogëlimi i shpenzimit të derivateve dhe emetimi i gazrave.
Koncepti i aeroplanit së fundmi është prezantuar nga kompania SE Aeronautics, kurse dizajni i fluturakes është i pazakontë – kjo për shkak se ka tri palë krahë, dy bishta dhe dy motorë në fund të trupit.
Bëhet fjalë për prototipin SE200, aeroplan që mund të akomodojë 264 pasagjerë dhe që do të shpenzojë për 70 për qind më pak derivate, për dallim nga aeroplanët e tjerë të përmasave të ngjashme.
Ai do të jetë në gjendje të fluturojë për 17.000 kilometra pa pasur nevojë të zbret në pistë për të mbushur rezervuarin, kurse shpejtësia maksimale e tij do të jetë mbi 1.100 kilometra në orë.
Kjo shpejtësi është më e madhe në raport me shpejtësinë e fluturakeve tjera të klasit të njëjtë. Gjithashtu, krahët shtesë krijojnë hapësirë për manovrim më të lehtë dhe udhëtim më të shpejtë e më të shkurtër – ku për aterim mund të përdor edhe aeroporte më të vogla.
Koncepti i ri i aeroplanit nuk do të ketë karburant nëpër krahë, pasi që dizajnerë janë fokusuar në një dizajn më të mprehtë dhe më aerodinamikë. Derivatet do të jenë në rezervuarin që gjendet në pjesën e pasme të trupit të fluturakes.