Shqipëri, ushqimet dhe transporti rëndojnë xhepat e qytetarëve, arrin në 7.4 për qind inflacioni!

    Rritja e çmimeve është reflektuar në rritjen e mëtejshme të normës së inflacionit.

    Për muajin qershor, inflacioni, sipas Institutit të Statistikave, ka arritur në 7.4 për qind, vlera më e lartë në harkun e më shumë se një dekadë.

    RAPORTI Çfarë ka rënduar xhepat e qytetarëve përveç çmimeve të karburanteve janë edhe shtrenjtimi i produkteve bazë. Prej muajit maj, çmimi i bukës ka shënuar rritje, ndërsa 20 deri në 50 lekë më tepër tregtohet mielli, sheqeri, veza, orizi, makaronat, qumështi dhe vaji.

    “Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit.

    Rritja vjetore e çmimeve në muajin qershor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +4,38 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me +1,53 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,54 pikë përqindje.

    Çmimet e grupit “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,28 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,25 pikë përqindje.

    Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,23 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,07 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,05 pikë përqindje.

    Çmimet e grupit “Komunikimi” dhe “Shërbimi arsimor” me +0,02 pikë përqindje secili.

    Çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,01 pikë përqindje”, thuhet në raportin e INSTAT.

    Krahasuar me muajin Qershor 2021, theksohet më tej në raport, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 26,9 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 12,6 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 5,6 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 4,7 %, “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 3,8 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,8 %, “Veshje dhe këpucë” me 1,6 %.

    Në raport me muajin maj, çmimet për produktet e shportës kanë pësuar një rënie të lehtë, duke diktuar një normalizim të çmimeve për këtë kategori në gjysmën e dytë të vitit. Ndërkohë, rritje kanë njohur çmimet e karburanteve.

    “Krahasuar me muajin msaj 2022, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u ulën me 1,4 %, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 1,3 % dhe “Komunikimi” me 0,2 %.

    Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u rritën me 4,5 %, pasuar nga grupet “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,6 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,5 %, “Veshje dhe këpucë”, “Shëndeti” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2 % secili dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,1 %, thuhet më tej në raport.

    MASAT

    Përgjatë muajve prill dhe maj, inflacioni regjistroi vlerat 6.2 për qind dhe 6.7 për qind.

    Sipas Guvernatorit Sejko, norma e inflacionit do të kulmojë jo shumë larg nivelit aktual në tremujorin e tretë të vitit aktual dhe do të vijë me rënie graduale gjatë tremujorëve në vijim. Kjo trajektore pritet ta sjellë inflacionin objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024. Në përgjigje të kësaj situate të krijuar, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e fundit vendosi që norma bazë e interesit të rritet në nivelin 1.25% norma e interesit të kredisë njëditore të rritet në nivelin 2.25%, si dhe norma e interesit të depozitës njëditore të rritet në nivelin 0.25%.

    Lajmi Paraprak

    “Burim lotësh e burim drite janë sytë e tu”

    Lajmi i rradhës

    Mitet që rrëzoi dhe të vërtetat që rizbuloi protesta e thirrur nga Berisha

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë