Qindra qytetarë në Tiranë marshojnë kundër ngacmimeve seksuale

    Qindra qytetarë kanë dalë në marshime në të gjithë Shqipërinë, duke protestuar kundër abuzimit seksual dhe ngacmimit të grave e vajzave në vend.

    Me pankarta në duar, protestuesit marshuan nëpër rrugët e Tiranës të dielën, duke bërë thirrje që vendi të mbajë qëndrime më të ashpra përkundrejt abuzimeve seksuale dhe dhunës së ushtruar mbi gratë e vajzat.

    Protestuesit u nxitën nga rastet e fundit të sulmeve seksuale që kanë ndodhur në Shqipëri.

    Për këtë çështje ka reaguar dhe presidenti i vendit, Ilir Meta i cili pohoi solidarizimin me protestat e organizuara.

    “Dënoj me forcë rastet e fundit të abuzimit seksual të vajzave në Shqipëri dhe solidarizohem në mbështetje të protestave qytetare kundër këtij krimi, që meriton ndëshkim të rëndë ligjor,” – shkroi Meta.

    Reagime ka pasur dhe nga Komuniteti Mysliman ku kryetari, Bujar Spahiu u shpreh se raste të tilla duhen dënuar nga secili prej nesh, pa mëdyshjen më të vogël, në cilëndo formë që shfaqet.

    “Është i papranueshëm çdo rast abuzimi ndaj gruas, gjysmës më të mirë të shoqërisë njerëzore. Rasti më i fundit i abuzimit me të miturën në Mirditë është tronditës. Përveç reagimit të organeve kompetente, që duhet të jetë reagim i shpejtë dhe shembullor , i atillë duhet të jetë edhe reagimi i mbarë shoqërisë,” – shkroi Spahiu në faqen e tij në Facebook.

    Në faqen në Twitter të “UN Women Albania” është bërë thirrje për t’i vënë përdhunuesit përballë drejtësisë. Rasti i fundit i përdhunimit të adoleshentes nga pesë persona është një tregues i përshkallëzimit të dhunës seksuale mbi gratë e vajzat, -thuhet në postim.

     Rreth 1 në 5 gra në Shqipëri është dhunuar fizikisht ose seksualisht nga partneri. Ndërsa 2 në 3 gra raportojnë se kanë pësuar dhunë psikologjike.

    Të martën në emisionin “Me pak fjalë” në Euronews Albania u bënë me dije shifrat e sipërpërmendura që vërtetojnë se dhuna në shoqëri është rritur ndjeshëm.

    Gjithashtu një raport i OSBE në vitin 2019 zbuloi se rreth 170 mijë gra kanë përjetuar të paktën një herë dhunë fizike ose seksuale nga partnerët, burri ose i dashuri. /Euronews.al/

    Lajmi Paraprak

    Dënohet prifti dhe besimtarët të cilët u hodhën në ujë për të kapur kryqin në kohë pandemie

    Lajmi i rradhës

    Kallëzim penal ndaj 28 vjeçarit nga Tetova, ka përhapur materiale me përmbajtje raciste dhe ksenofobe në “TikTok”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë