“Shkencëtar” për pesë aspra | Si ka degjeneruar kërkimi shkencor

    “Nuk është për modë titulli doktor!”

    Për 92-vjeçarin, gjuhëtarin  Ferdinand Leka, rrugëtimi shkencor ka qenë i gjatë edhe i mundimshëm, nga komunizmi në demokraci, duke ngjitur shkallët një nga një me botime të herëpashershme për të mbërritur pas 60 vitesh në majë të piramidës akademike, me titullin profesor doktor.

    “Kam marrë unë titullin pasi kam kaluar 4 grada, bashkëpunëtor i ri, pastaj bashkëpunëtor shkencor i vjetër. Janë 4 diploma aty e profesori ka ardhur në fund si konkluzion I punës, janë 70 libra vepra të miat”, tha Ferdinand Leka.

    Sot karrierën 60-vjeçare të mundimshme akademike, mund ta bësh për 4 mijë euro.

    Pas 1 dekade nga bllokimi i doktoraturave, 119 janë fituesit e parë të rinj për të kryer ciklin e tretë të studimeve në Fakultetin Ekonomik,  që 3 deri në 5 vite punë kërkimore ky titull doktor do ju kushtojë 4 mln e 500 mijë. Një gjë e paimagjinueshme për profesorin 92-vjeçar, që tregon se si është tjetërsuar sipas tij arsimi.

    “Po bëj Krishtin se jam i krishterë. Të paguaje atë kohë për të marr titullin? As nuk e përfytyroj që të paguash. Jetoj në një botë tjetër tani, ka profesorë kot…pa asnjë vepër!”, u shpreh Leka.

    Shkeljet kundrejt plagjiaturës, apo rregullave të etikës në kërkimin shkencor janë disa nga kriteret e pranimit për doktorant, por mënyra e verifikimit të kandidatëve vë në pikëpyetje seriozitetin e marrjes se këtij titulli, pasi vlerësimi është bërë përmes vetëdeklarimit.

    Erion Kristo është vetë profesor, por njihet për batutat e tij, si njeri i ekranit. Doktoratura është rasti tipik sipas tij, kur një çështje serioze, trajtohet si komike.

    “Në Shqipëri të gjithë janë profesorë, se bëhet ndonjëri me letra nuk prish punë. Shteti nuk ka pse të bllokojë artificialisht  doktoraturën. Shteti mund të vërë kritere të forta, ose do të mjaftonte një program I thjeshtë kompjuterik për kontroll plagjiature e shumicës së individëve që s’kanë lidhje me dijen do ju kishte ikur dëshira për të bërë një gjë, që do i çonte ata në dëm. Si tha xhaxhi Vani ‘unë për burrë të mirë e njoh veten’… kështu që vetëdeklarimi është shaka”, tha Kristo.

    Moda e doktoraturave duket se ka prekur kryesisht punonjësit e ministrive, bankave apo pedagogët e brendshëm, të cilët në bazë të titujve përfitojnë rrogë më të lartë ose rritje në detyrë. Por a rrezikojmë me numrin e madh të aspirantëve për doktorantë, të kemi një shoqëri intelektuale në sipërfaqe por pa  brumë, me studime shkencore të kopjuara e pa vlerë për progresin e shkencës dhe shoqërisë?

    “Natyrisht kjo për mua është thjesht një biznes. Do humbi koncepti i doktorantit, do çmohen ata që do jenë prf i asociuar, por edhe nëse do plas profesorllëku pa fund le të kalojë një shkallë më lart. Tek e fundit çdo strukturë që ka të bëjë me dijen në Shqipëri ka dështuar. Ndoshta ato letrat e doktoraturave do të shërbejnë për të shpërndarë kaush me gështenja”, tha Kristo. /tch/

    Lajmi Paraprak

    Lewandowski në shënjestër të PSG-së

    Lajmi i rradhës

    Dimitrievski: “Shakaja” e Ramës e papranueshme, e ka për borxh t’i kërkojë falje opinionit maqedonas

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë