Shqipëria me vendim: Pesë vite punë për të marrë diplomën e mjekësisë

    Çdo student që do të hyjë në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë do të njihet me faktin që për t’u pajisur me diplomë do të duhen pesë vjet punë, tha ditë më parë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. 

    Në një përpjekje për të frenuar ikjen e mjekëve jashtë vendit, këtë mesazh u përcolli kryeministri Edi Rama studentëve që synojnë të hyjnë në Universitetin e Mjekësisë, pas vendimit të marrë në mbledhjen e qeverisë.

    Sipas tij, ky vendim është i domosdoshëm në kushtet kur vende të pasura janë bërë ndalesa e fundit për shumë profesionistë të kualifikuar.

    “Mesazh për një vendim të rëndësishëm të qeverisë që ka të bëjë me studentët e mjekësisë dhe me detyrimin për të shërbyer në vend për një kohë të caktuar. Detajet do t’i shpjegojnë ministret, por thelbi është i qartë për çdo qytetar të Shqipërisë që paguan taksa. Shteti e financon universitetin publik, formimin e mjekëve të rinj për të mbrojtur jetën dhe për të garantuar shëndetin e të gjithë qytetarëve të vet. Nuk është njësoj si profesionet e tjera”, tha Rama.

    “Është një profesion i lidhur drejtpërdrejt me detyrimin e çdo shteti për tu kujdesur për shëndetin e njerëzve dhe me të drejtën e çdo qytetari për të pasur kujdes shëndetësor. Në kushtet kur Gjermani dhe vend e të tjera të pasura janë duke luftuar me demografinë e tyre dhe plakjen e popullsisë dhe nevojën për burime të freskëta nga jashtë dhe kur janë bërë stacion i ndalesës së fundit për shumë profesionistë e shumë njerëz të kualifikuar dhe në këtë rast mjekët e kemi të domosdoshme të ndërmarrim këtë hap”, shtoi kryeministri.

    “Çdo student i mjekësisë që do të hyjë në universitetin e mjekësisë do të njihet me faktin që Mjekësia studimet i ka aq sa janë dhe për t’u pajisur me diplomë duhen 5 vjet në shërbim të këtij populli. Për ata që janë në proces vitet janë më të ulëta. Për ata që do hyjnë në vitin e parë ka vetëm një zgjedhje. Nëse do të hyjnë në mjekësi do të duhet të pranojnë këtë kusht dhe ky është formati i ri i universitetit të Mjekësisë për marrjen e diplomës”, shtoi kryeministri.

    Rama theksoi se për këtë paguan taksat populli, ndërsa për që janë në universitet nuk u ndalohet që të largohen me kushtin e pagesës së një tarife që do të përcaktohet nga universiteti.

    “Nuk ndryshon asgjë në thelb për të ushtruar profesionin ajo fillon menjëherë pas 5 viteve por ajo do të bëhet këtu. Për këtë paguan populli shqiptar taksa që mjekët që formohen me tarifa simbolike dhe në universitet që mbahet nga taksat e popullit të ikin që ditën e parë. Nuk u ndalohet e drejta atyre që janë në universitet që të largohen, por për vitet e mbetura do të duhet të paguajnë një tarifë tjetër, që do të përcaktohet nga universiteti sipas ligjit por që mbulon kostot dhe nevojën që ka universiteti për të formësuar një student”, tha në fjalën e tij Rama.

    Lajmi Paraprak

    The Economist: Serbia një nga ‘idiotët e dobishëm’ të Vladimir Putinit në Evropë

    Lajmi i rradhës

    ATDHEU

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë