Shumë mërgimtarë këtë verë e vizituan vendlindjen e tyre, Dibrën

    Edhe këtë verë numri i mërgimtarëve që erdhën nga SHBA-ja dhe shteteve të Unionit Evropian në vendlindje ishte shumë i madh. Jozyrtarisht gjatë muajve të verës në Dibër qëndruan katër-pesë mijë mërgimtarë të cilët gjallëruan qytetin, por edhe rajonin më të gjerë.

    Pjesa më e madhe e tyre erdhën për të realizuar pushimet, por edhe për të kryer disa aktivitete që kanë të bëjnë me rregullimin e dhëmbëve. Pikërisht një pjesë e mërgimtarëve bënë një rrugë e realizuan dy punë. Të dhjetë ordinancat të stomatologjisë në qytet kishin goxha punë por ata angazhuan edhe ordinanca tjera të specializuara nga qytetet për rreth Dibrës me qëllim që t’ju rregullojnë dhëmbët një pjese bukur e mirë të mërgimtarëve. Me disa nga mërgimtarët biseduam rreth ardhjes së tyre në vendlindje dhe rregullimin të dhëmbëve dhe ata u shprehën se janë të kënaqur si nga pushimet ashtu edhe nga rregullimi i dhëmbëve, por të kënaqur janë edhe dentistët dibran.

    Viteve të fundit dukuria në fjalë merr përmasa të një turizmi dental. Nga viti në vit rritet numri i mërgimtarëve të cilët gjatë sezonit verorë vijnë dhe rregullojnë dhëmbët e tyre. Kjo ndodh jo vetëm me mërgimtarët që jetojnë në Itali, Austri, Gjermani, Francë etj, por edhe me mërgimtarët të cilët jetojnë në SHBA.

    Çmimet të cilët harxhohen nëpër Evropë dhe Amerikë për rregullimin e dhëmbëve janë më shumë se dhjetë herë më të larta në krahasim me atë që paguhen për të njëjtat probleme të dhëmbëve në Dibër. Naser Sh. është një dibran i cili para tre dekadave ka migruar nga Dibra në Nju Jork. Ai është 57 vjeçar dhe këtë vit ka ardhur në vendlindje në Dibër për të pushuar por edhe për të rregulluar dhëmbët.

    “Dy vitet e fundit kam patur probleme me dhëmbët. Mosha e bën të vetën. Nga disa bashkëqytetarë të mi që janë në migrim në Amerikë, u informova për çmimet e ulëta që ofrojnë dentistët dibran por edhe në Gostivar, Tetovë, Shkup etj, që kanë të bëjnë me rregullimin e dhëmbëve. Qëndrova në Dibër për afro dy muaj. Por, brenda dy javëve të fundit të pushimit tim rregullova edhe dhëmbët. Për rregullimin e dhëmbëve harxhova afro 4 mijë dollarë por në SHBA ajo do të më kushtonte mbi 30 mijë dollar”, thotë ai.

    Ermira është një dibrane e cila jeton vitet e 50-ta. Ajo jeton në Gjermani në qytetin e Hamburgut. Është dibrane dhe para dy dekadave me familjen e saj ka migruar në Gjermani.

    “Erdha në fillim të muajit korrik enkas për të rregulluar dhëmbët. Afro dhjetë ditë isha paciente e një dentisti në Dibër i cili bashkëpunonte me një ordinancë në Tetovë. Jam shumë e kënaqur nga rregullimi i dhëmbëve. Rregullimi ishte i lirë dhe i mirë. Normalisht afro dy javë bëra dhe pushime në Dibër. Isha disa ditë me familjen në bregun e liqenit të Dibrës por isha prezente edhe në disa dasma të të afërmit mi në Dibër”, thotë Ermira. Ajo me buzëqeshje thotë se ka bërë një rrugë e dy punë kur ka ardhur në Dibër.

    Dentistët dibranë thonë se sezoni veror ishte i begatshëm në aspektin material të tyre.

    “Inkasuam mjete për dy muaj e të cilët nuk mundeshim t’i inkasojmë 7-8 muaj. Posedojmë material të kualitetit të lartë dhe kemi një teknologji dentave të niveleve evropiane”, shprehen dentistët. Viteve të fundit faktikisht, siç thonë ata, turizmi dental në Dibër merr përmasa të mëdha. Ata potencojnë se pacientët edhe këtë verë kishin jo vetëm mërgimtar dibran, por edhe mërgimtar të komunave për rreth siç janë Qendër Zhupa, Mavrovë-Rostusha, etj. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Turbulencat politike frenojnë investimet në Maqedoni

    Lajmi i rradhës

    Arrihet zgjidhje për nxënësit e Velesit / Gjimnazi “Koço Racin” do të ketë 2 paralele në gjuhën shqipe

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë