Për myslimanët në Maqedoninë e Veriut dhe në mbarë botën, festa e Fitër Bajramit është edhe përfundimi i një muaji të sakrificës dhe adhurimit ndaj Zotit, gjegjësisht muajit të Ramazanit. Periudha njëmujore e agjërimit dhe përsiatjes është praktikë nga besimtarët e Islamit në të gjithë globin. Një nga periudhat më festive në kalendarin e fesë Islame, është festa e Fitër Bajramit, e cila festohet në mënyra të ndryshme islame, përgatitja e ushqimeve dhe ëmbëlsirave tradicionale, vizita familjare dhe përmes akteve të bamirësisë, shkruan Nistori.
Si festohet sot festa e Fitër Bajramit?
Ndryshe nga viti i kaluar, besimtarët nuk kishin lirinë e lëvizjes për shkak të masave dhe protokolleve Covid-19, por këtë vit besimtarët do të festojnë dhe lëvizin lirshëm gjatë ditës së sotme, sepse ora policore sonte fillon nga mesnata (24:00) dhe do të zgjasë deri në orën 04:00 të mëngjesit.
Gjithashtu, këtë herë Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut dhe xhamitë kanë organizuar programe tradicionale, ku është lexuar Kurani dhe janë kënduar ilahi. Kreu i BFI-së ka uruar të gjithë besimtarët për festën dhe ka theksuar se rëndësia e kësaj feste simbolizon kryerjen e amanetit ndaj Zotit.
Përndryshe, krerët e partive politike si në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri kanë uruar besimtarët për Bajramin.
Redaksia e Nistori.com të gjithë besimtarëve mysliman ua uron festën e Fitër Bajramit, duke shpresuar se ky muaj do të jetë dëlirësi dhe përsiatje. /Nistori/